.

Zyrtare/ Luajnë për “jetë a vdekje”, Tirana lë jashtë tifozët!

 

Duket e habitshme por është e vërtetë! Tirana-Kastrioti do të luhet pa praninë e tifozëve dhe ky vendim është marrë nga drejtusit e klubit bardheblu, që kanë vendos të mos e konvertojnë me gjobë pjesën e mbetur të dënimit, duke zgjedhur të luajnë me stadium të boshatisur sfidën vendimtare kundër Kastriotit.

Tirana do të presë nesër krutanët në “Selman Stërmasi” në kuadër të javës së 34-ët të Kategorisë Superiore, me bardheblutë që luajnë takimin e rëndësishëm që vlen mbijetesën, kjo sepse Kastrioti i vendit të parafundit gjendet në kuotën e 38 pikëve, 2 më pak sesa Tirana.

Ndaj, në kushte të tilla duket mjaft i habitshëm ky vendim i presidentit Halili, që ka vendosur të mbajë mbyllur dyert e stadiumit në këtë 90 minutësh tejet të rëndësishëm. Ende nuk dihet një motivacion konkret për këtë vendim, por dyshohet se te klubi i Tiranës mendojnë se sjellja gjatë ndeshjeve të fundit më shumë e ka dëmtuar psikologjikisht ekipin sesa e ka ndihmuar. Ndaj, ndonëse kjo hipotezë është në shkallën më të lartë habitore, duket se drejtuesit mendojnë se qëndrimi konfliktual i tifozërisë ka dëmtuar ekipin e drejtuar nga Mema.