.

Përse ishte e mërzitur “opozita e re” dje në Parlament?

 

Nga Ervis Iljazaj

Dallohej qartë dje në seancën parlamentare frika e madhe e deputetëve për një marrëveshje të mundshme midis Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Në të gjitha fjalimet e djeshme, ndoshta fjala më e përdorur ishte marrëveshje. Dhe për këtë arsye, ndihej dëshpërimi që kishin për herë të parë që nga dita që kur pranuan të mos dorëzonin mandatet parlamentare, apo të zëvendësonin ata deputetë që i dorëzuan ato.

Në fakt, dëshpërimi më i madh i “opozitës së re” nuk ishte aspak nga marrëveshja e mundshme midis Ramës dhe Bashës, pasi askush nuk e di ende në këtë situatë se çfarë do të sjellë kriza politika që po kalojmë. E vërteta është se, edhe deputetët e rinj vetë e kuptojnë fare mirë se ata nuk janë opozita shqiptare. Në këtë kuptim, dëshpërimisht gjenden në një situatë shumë të sikletshme që askush nuk do të donte të ishte. Nga një anë janë deputetë që nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë dhe, nga ana e tjetër, edhe pse kanë një mandat formalisht kushtetues, mazhoranca dhe Edi Rama nuk i konsideron kundërshtarët e tij të vërtetë politikë.

Të gjendur në këtë pozicion absurd politik për një deputet, ishte e qartë që në fillim se, “opozita e re” nuk do të krijonte asnjë frymë politike reale, por përkundrazi, shpeshherë janë vendosur edhe në pozicione komike. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, pasi opozita politike është vetëm një. Termi “opozitë e re” është në vetvete një paradoks logjik, që s’ka asnjë sistem politik që mund ta mbajë. Opozitë janë vetëm ato forca politike që qytetarët kanë mandatuar me votën e tyre për të qenë të tilla. Dhe më 25 qershor shqiptarët mandatuan për t’i përfaqësuar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku deputetët e rinj nuk janë pjesë e tyre.

Madje, opozita e re jo vetëm që qytetarët shqiptarë nuk i përfaqëson, por as në Parlamentin aktual nuk përfaqëson kundërshtarin politik të Edi Ramës. Në këtë kuptim, as Edi Rama nuk e do opozitën e re. Dhe sa herë që është i detyruar të replikojë me deputetët e rinj të Parlamentit, dallohet qartë sikleti që ka në këto përballje, deri në bezdi. Jo për faktin se ka ndonjë simpati të veçantë për Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, por thjesht sepse ata janë kundërshtarët e tij politikë. Dhe që të jesh i legjitimuar si palë politike, qoftë edhe në pushtet, ka nevojë gjithmonë për kundërshtarin. Ka nevojë për dialektikë politike, e cila zhvillohet vetëm midis atyre që përfaqësojnë realisht qytetarët shqiptarë. Ndryshe është e gjitha një situatë e sikletshme që nuk e pranon as vetë kryeministri Rama, megjithëse në fjalimet e tij ka përpjekje të sforcuara për të legjitimuar deputetët e rinj si kundërshtarët e tij.

Nga të gjithë deputetët e rinj, të cilët kanë marrë mandatin e deputetit, ka tipologji të ndryshme. Ka nga ata që e kanë pranuar atë post thjesht për të marrë një rrogë, apo një pension të përjetshëm, dhe që nuk kanë lidhje me politikën, përveçse kanë valëvitur në ndonjë rast mitingu politik flamurin e partisë për të cilën kanë bërë fushatë. Ose më keq akoma, ka deputetë, të cilët me paraqitjen e tyre deri më tani, të bëjnë të qash dhe të qeshësh në të njëjtën kohë. Kjo pa dyshim është përgjegjësi edhe e vetë partive politike, PD dhe LSI, të cilat kur hartojnë listat, i bëjnë ato me papërgjegjshmëri të theksuar.

Sigurisht që, brenda tyre mund të ketë dhe ka, edhe nga ata deputetë që mendojnë vërtet se mund të ishin opozitarë me këtë qeveri, apo që vërtet besojnë se mund ta ndryshonin sistemin politik aktual. Mirëpo, fatkeqësisht edhe për këta deputetë të rinj, që ndoshta e meritojnë të jenë të tillë ndryshe nga pjesa e tyre dërrmuese, në këtë Parlament nuk janë përfaqësues. Nëse marrin pjesë në zgjedhjet e tjera dhe qytetarët shqiptarë i besojnë votën, atëherë po, mund të përpiqen vërtet të bëjnë diçka të mirë për këtë vend që ka shumë halle./ Gazeta Liberale