.

Sytë nga Europa, Partizani kërkon rikthimin e madh të mesfushorit për në Champions

 

Pas fitimit të kampionatit pas 26 vitesh, te Partizani e kanë seriozisht edhe për Europën. Menjëherë, në kampin e kuq ka nisur puna për të forcuar skuadrën, për në Kupat e Europës.
“Demat” do të luajnë në Champions League si fillim, për të provuar për të kaluar sa më shumë ture, dhe më në rast eliminimi, do të provojnë forcat edhe në Europa League.

Ditën e sotme, ishte “Panorama Sport” që zbuloi ekskluzivisht se Partizani po mendonte ish-sulmuesin e Skënderbeut, Ali Soue, si përforcim të mundshëm për Europën, ndërkohë gazeta mëson edhe një emër tjetër.

Është pikërisht Ylber Ramadani, një “ish” në kampin e Partizanit, që u shit në 2017 tek Velje në Danimarkë nga të kuqtë, i cili po përflitet për një rikthim të mundshëm në kryeqytet. Trajneri i Partizanit në atë kohë, Adolfo Sormani, e mori me vete tek Velje ku u bë edhe trajner i këtij ekipi, por tashmë që ai nuk është më në krye të danezëve, edhe Ramadani nuk ka kuota të mëdha në formacionin titullar, dhe nga kjo situatë stafi i kuq po mundohet të përfitojë.