.

Rrëfehet Arta Marku në ‘Open’: Nga betimi mes tymit te përplasja me prokurorët, pse ka zvarritje të dosjeve

“Ka dosje të zvarritura qëllimisht dhe prokurorë që shesin informacione”, kështu deklaroi Prokurorja e përkohshme e Përgjithshme, Arta Marku, në studion e “Open” në “Top Channel”.

Për më shumë se dy orë, Marku foli për dosjet e nxehta dhe detyrën e saj në këto muaj që nga betimi në Kuvend, moment për të cilin u shpreh se sa herë e shikon, adhuron veten dhe deri te përplasja me prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo është hera e dytë që Marku flet në publik pas asaj të disa muajve më parë, sërish në një emision televiziv. Gjatë mbrëmjes së djeshme, Marku ka ngritur akuza për të drejtpërdrejta për ish-drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdaramatajn, se ka zvarritur disa dosje të rëndësishme.
Prokurorja e përkohshme e Përgjithshme tha se kjo zvarritje nuk mund të jetë rastësore. Ndërkohë, në lidhje me dosjen “Shullazi” Marku u shpreh se veprimi i prokurorëve që nuk pranuan shortimin ishte pa etikë dhe për këtë u morën masa disiplinore. Nga ana tjetër, në lidhje me pretendimin se prokurorët janë shprehur se kanë kundërshtuar procedurën dhe jo shortimin, Kryeprokurorja e quajti vetëm një lojë fjalësh.

Marku foli gjithashtu edhe për vizionin e saj për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke thënë se vizioni i saj për Prokurorinë është me “prokurorë të pavarur, por të përgjegjshëm”. Për asnjë nga dosjet e pyetura, zonja Marku nuk zgjodhi të flasë në detaje, duke pretenduar se nuk ka dijeni për hetime, por vetëm për anën procedurale dhe statistikore për dosjet.

E pyetur nëse i vinte keq që me ndryshimet e reja në drejtësi ajo ishte një Prokurore e Përgjithshme më pak e fuqishme se paraardhësit e saj, u shpreh se nuk e kishte këtë ambicie dhe secili zyrtar duhet të funksionojë në bazë të kompetencave të saj. Kryeprokurorja e Republikës ka konfirmuar deklaratën e saj të dhënë në analizën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, kur tha se është e kthyer në supermarket. Marku pohoi se rrjedhja e informacioneve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka ardhur si pasojë e rrjedhjes nga brenda institucionit.

Më tej, Marku është pyetur edhe për procesin e vetingut, të cilin e konsideroi si të vështirë, ndërsa tha se kishte një gjë për të cilën ishte penduar dhe ajo ishte mospjesëmarrja në seancën dëgjimore. “E vetmja gjë për të cilën jam penduar, është fakti që nuk kam shkuar vetë në seancë. Duhet të kisha shkuar”, tha Marku.

DOSJA 339/1

“Para se të jap një përgjigje që askush të mos zhgënjehet, më duhet të them se me ndryshimet e reja ka ndryshuar e gjithë mënyra e punës së Prokurorit të Përgjithshëm. Prokuroria nuk është më organ i centralizuar, është komplet i decentralizuar dhe prokurorët janë zotër të dosjeve. Kështu, Prokurori i Përgjithshëm nuk kërkon dot informacion për dosje, madje nuk heton më, vetëm përfaqëson Akuzën në Gjykatën e Lartë. Dijenia që unë kam për këtë dosje, është vetëm aq sa më lejon ligji të kem.

Informacioni që merr Prokurori i Përgjithshëm është i karakterit procedural, pa detaje dhe lidhje të tjera me hetimin. Kam marrë informacion se hetimet janë mbajtur për një kohë të gjatë me përgjimin dhe asnjë CD nga përgjimet nuk është zbardhur në letër. Në momentin që prokurori që kishte këtë çështje u transferua në një prokurori tjetër, prokurorët që e morën konstatuan se ishin rreth 700 CD të patranskriptuara.

Nuk dua të them që transkriptimi i këtyre përgjimeve do të shkojë me vite, pasi është shtuar numri i oficerëve të Policisë Gjyqësore. Dosja ka dy prokurorë, nga një që kishte çështja dhe puna po ecën. Unë mendoj se tani puna po ecën, por dua të bëj të ditur që unë nuk mund t’i hetoj ato dosje, nuk e kam një kompetencë të tillë. Po ta kisha, do ta kisha zgjidhur.

Unë mendoj që nuk është lënë krejt rastësisht kaq gjatë pa veprime të tjera hetimore, mendoj se është mbajtur qëllimisht pa u shoqëruar me hetime të tjera. Mendoj se prokurori që e ka pasur, e ka ngecur qëllimisht për një kohë shumë të gjatë, kjo nuk është rastësi apo harresë, sepse janë shumë CD të pazbardhura. Gjatë analizës vjetore e kam ngritur problem edhe te Krimet e Rënda, që dosjet që kanë ndikim publik duhet të hetohen shpejt. Unë nuk kam informacion se çfarë ka ajo dosje dhe nuk mund të them nëse është ruajtur Dako nga një arrestimi i mundshëm”.

DOSJA 184

“Është një dosje me të njëjtën problematikë si e para, ka qindra CD të pazbardhura dhe përgjimet nuk janë shoqëruar me veprime të tjera hetimore. Nuk është në të njëjtën situatë si dosja e parë për nga sasia, por edhe kjo dosje është mbajtur si e para. Edhe zbulimi i zvarritjes së kësaj dosjeje ishte një rastësi, vetëm kur u transferua prokurori i dosjes. Unë di që tashmë po punohet intensivisht me to, prokurorëve që kanë marrë hetimet u duhet kohë që të punojnë mirë. Dosja është zhbllokuar dhe po hetohet tashmë. Prokurorët u detyrohen gjithë shqiptarëve që t’i zbardhin këto dosje”.

HETIMET PËR TENDERIN E UNAZËS

“Kjo çështje është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës dhe është një çështje shumë sensitive, që ka prekur shumë opinionin publik. Edhe për këtë dosje, unë nuk kam informacione të detajuara, por di që ka një grup të mirë hetimor dhe veprimet hetimore kërkojnë kohën e vet. Në lidhje me pyetjen e zyrtarëve të lartë, që ju thoni se nuk janë parë të pyeten, unë preferoj të them se ndoshta janë marrë në pyetje dhe ne nuk e dimë”.

SHULLAZI

“Shtatori i vitit 2018 përkon me fazën e leximit të pretencës, që do të thotë, prokurorët duhet të shkonin me kërkesat për dënimin përfundimtar. Në këtë periudhë, drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda merr një shkresë që prokurori i çështjes kishte probleme shëndetësore dhe nuk mund të ishte i gatshëm. Në këto kushte, lindi nevoja e ndryshimit të prokurorit, por prokurorët e tjerë nuk pranuan shortin për t’u bërë pjesë e dosjes. Unë kam marrë një informacion zyrtar nga zonja Prela, se çfarë kishte ndodhur në atë mbledhje dhe konstatova që sjellja nuk ishte etike dhe morëm masa disiplinore.

Unë mendoj se për një arsye dhe për një tjetër, për shkak të natyrës së çështjes nuk preferuan ta merrnin përsipër. Unë nuk jam në dijeni për presione nga subjekti “Shullazi” dhe nuk mund të them gjë në lidhje me këtë. Në lidhje me caktimet e përkohshme të dy prokurorëve, ato nuk janë masa ndëshkuese, thjesht janë lëvizur përkohësisht për të përballuar një ngarkesë të momentit në prokuroritë ku janë caktuar. Konstatimet e prokurorëve që nuk kundërshtuan shortin, por procedurën, i quaj lojëra fjalësh”.

AKUZAT E OPOZITËS

“Për hetimet që janë duke u zhvilluar për Adriatik Llallën nuk ka zvarritje dhe hetimet janë duke ecur. Pengesa e kësaj dosjeje janë përgjigjet e letërporosive.

Ende nuk ka përgjigje nga autoritetet amerikane dhe ato gjermane për disa informacione të kërkuara nga Prokuroria për Krime të Rënda, për këtë edhe hetimet janë zgjatur. Ndërkohë, në lidhje me akuzat se jam vënë në krye të Prokurorisë që të mbyll dosjen “Tahiri”, dua të them se, që ditën që kam ardhur, për këtë jam akuzuar. Pra, për të prishur këtë dosje, por fakti që dosja eci dhe e zgjidhën ashtu siç e menduan prokurorët e dosjes, këto akuza për mua këto janë të kota”.

MIQËSIA ME DONIKA PRELËN

“Mendoj se drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda është përpjekur të bëjë maksimumin, si me dosjen “Shullazi”, arrestimet e disa anëtarëve të grupeve kriminale dhe janë goditur disa grupe kriminale.

Këto suksese nuk mund t’i atribuohen dikujt tjetër. Në lidhje me akuzat për konfirmimin në detyrë të Donika Prelës, dua të them se vendimmarrjen për Prelën e ka marrë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Çdo person që ka diçka për Prelën dhe çdo prokuror tjetër, t’ia dërgojë Komisionit dhe jo të bëjë sulme të tilla, që unë i quaj denigruese. Të jesh në atë proces nuk është shumë lehtë, është shumë e vështirë dhe çdokush mund të flasë me një kafe para shumë lehtë, por vetëm ata që e provojnë, e dinë që nuk është e lehtë”.

KRIMINALITETI

“Kriminalitet më të lartë kanë Vlora dhe Shkodra. Në bazë të ngjarjeve dhe statistikave, ka një kriminalitet shumë të lartë në Vlorë. Unë nuk mund të them pse është kjo gjendje, por është duke u punuar. Në Shkodër ka një bashkëpunim shumë të mirë mes Policisë dhe Prokurorisë, ka pasur disa ngjarje të zbardhura dhe kjo është për meritë të drejtuesit të Prokurorisë së Shkodrës dhe Policisë Vendore.

Për Elbasanin, nuk mund të them se punët janë bërë aq mirë sa në Shkodër, duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë mes Policisë dhe Prokurorisë. Ndërkohë, çështja e vrasjes së avokatit Ravik Gurra është mjaft e rëndë, hetimet janë në Prokurorinë për Krime të Rënda, por unë nuk kam dijeni për vazhdimin e tyre”.

ARRITJE

“Bilanci i punës në këtë periudhë është i tillë: Fillojmë nga lëvizjet në krye të prokurorive. Kam lëvizur drejtues që kishin plotësuar orët e tyre në drejtim dhe nuk mendoj se kishin për t’i dhënë gjë sistemit. Unë mendoj se në krye të prokurorive kam vënë njerëz cilësorë, të ndershëm. Është cilësi shumë e rëndësishme të jesh i ndershëm. Zonja Prela nuk është e vetmja drejtuese që kam caktuar.

Më duhet t’ju sqaroj se kompetenca për të lëvizur prokurorët ka qenë një dispozitë kalimtare deri në krijimin e KLP-së. Nuk janë zgjedhje abuzive. Janë zgjedhje që janë bërë, pasi kam marrë informacione nga institucionet”./Gazeta Panorama