.

Letër publike Kryetarit të Kuvendit

 

ARTAN FUGA

Për dijeni Kryeministrit, z. Edi Rama. Zoti Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë! Ju drejtohem si qytetar, si profesor dhe anëtar i Akademisë të Shkencave. Sikurse e dini, me iniciativë të Kryeministrit, pas denoncimeve të brendshme në institucion për degradim të punës të tij, si edhe me vendimin e asamblesë së muajit dhjetor të vitit 2017, Akademia e Shkencave u detyrua të niste një proces reformimi. Qeveria për këtë reformim iniciativën ia delegoi Ministrisë të Arsimit dhe Akademisë të pareformuar të Shkencave. Me urdhrin e ministres së asaj kohe, në janar 2018 u formua një komision reformimi, me në krye z. Skënder Gjinushi. Nga ana ime propozova një platformë ligjore alternative, e cila mbas shumë përpjekjesh, me sugjerim publik të Kryeministrit, nisi të merrej në shqyrtim nga Ministria e Arsimit së bashku me projektligjin e përgatitur nga komisioni i Akademisë së pareformuar të Shkencave.

Pikërisht kur ballafaqimi midis dy platformave e kishte sjellë procesin pothuajse në realizimin e tij, dhe Ministria e Arsimit po vilte frytet e përpjekjeve për reformim, ndodhi e papritura.

Një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të shumicës Socialiste dorëzojnë, mbas një iniciative ligjore në Kuvend, një projektligj, i cili pranohet nga shërbimet Tuaja për të hyrë në procedurat e Kuvendit për shqyrtim.

Lidhur me këtë veprim të këtij grupi prej pesëmbëdhjetë deputetësh, Ju drejtohem duke denoncuar veprimin e tyre jodemokratik, arbitrar dhe jotransparent.

Fillimisht, Ju bëj me dije se ajo që paraqitet si iniciativa e tyre ligjore, në fakt, nuk është veçse një rrëmbim në Ministrinë e Arsimit të tekstit të projektligjit të përgatitur nga komisioni i Akademisë të pareformuar të Shkencave, dhe paraqitje e tij si produkt i këtij grupi deputetësh. Kam shumë arsye të dyshoj që as e kanë lexuar me seriozitetin e duhur çfarë kanë paraqitur, përderisa një projektligj që paraqitet si iniciativë ligjore e deputetëve qysh në fillim shprehet se është një nismë dhe propozim i qeverisë!!!

Si mund të pranohet nga ana etike dhe procedurale të paraqitet si iniciativë ligjore e një grupi deputetësh, një projektligj i përgatitur nga një person ose grup tjetër personash?

Më pas, Ju bëj me dije që këta deputetë janë treguar fare të papërgjegjshëm për arsye se pretendojnë të ndërmarrin një iniciativë ligjore në mënyrë arbitrare dhe pa treguar seriozitetin e duhur në veprimet e tyre. Ku e bazoj këtë?

Si mund të ndërmarrin iniciativën për të përgatitur një projektligj për reformimin e një institucioni kaq të rëndësishëm shkencor si Akademia e Shkencave, kur nuk kanë bërë paraprakisht asnjë studim a marrë ndonjë të dhënë për gjendjen në këtë institucion.

Pretendohet se ata kanë qenë dikur pedagogë përpara sesa të bëheshin deputetë!!! Në këtë pikë, ka një ngatërrim të statusit të tyre dhe të identitetit të deputetit sepse në këtë rast deputeti ka marrë edhe privilegjin për t’u konsideruar si ekspert, meqë dikur paska qenë pedagog!!!

Nuk kanë ardhur asnjë sekondë të vetme në Akademinë e pareformuar të Shkencave për të bërë zyrtarisht dhe sipas procedurave përkatëse një konsultë të vetme me asamblenë e Akademisë së pareformuar të Shkencave apo edhe më gjerë se aq.

Nuk kanë konsultuar zyrtarisht deri në çastin e dorëzimit të atij projektligji asnjë ekspert të pavarur dhe pa konflikt interesi!

Kështu mund të sillen projektligjet për t’u debatuar në komisionet përkatëse? Unë nuk besoja se Ju do ta lejonit këtë farsë!

Pretendohet se në komisionin përkatës do të bëhen debatet dhe korrigjimet përkatëse, por as ky argument nuk e justifikon veprimin e tyre të nxituar dhe nxitur nuk e di nga cilat arsye! Diskutimi në komisione nuk parakupton që një ose disa deputetë të mos kryejnë të gjitha procedurat që iniciativën e tyre ligjore ta mbështesin në një argumentim logjik dhe bazuar në praktika të arsyeshme.

Aq më shumë, që më rezulton se asnjeri prej tyre, mos gaboj, nuk është anëtar i komisionit përkatës të Kuvendit.

Si është e mundur që ky grup deputetësh merr në Ministrinë e Arsimit njërin nga dokumentet, atë të përgatitur nga Akademia e pareformuar e Shkencave dhe injorojnë platformën ligjore alternative që Ministria e kishte edhe atë në shqyrtim?

Ju mbase nuk e dini që platforma në fjalë, që unë kam përgatitur, është marrë në shqyrtim nga Ministria e Arsimit pas një rekomandimi publik, bërë nga Kryeministri i vendit. Pretendohen gjithfarë naivitetesh, por Ju bëj me dije se është krejtësisht arbitrare dhe e padenjë që të merret një version i kuadrit reformues, duke injoruar rivalin e tij. Asnjë takim a konsultë me mua si përfaqësues i kritikës ndaj Akademisë së pareformuar të Shkencave dhe përpilues i platformës alternative të reformimit të saj, marrë në shqyrtim zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, ky grup deputetësh nuk ka denjuar të ndërmarrë!

Ky është konsultimi me grupet e interesit në procesin e ndërmarrjes të iniciativës ligjore? Kjo është bashkëqeverisja që flitet aq shumë? Kjo është edukata demokratike e deputetëve tanë? Ky është respekti për mendimin ndryshe?

Ata, në këtë rast, nuk kanë bërë veçse detyrën e postierit. Por, nuk besoj që kemi luksin të paguajmë me rrogë deputeti dikë që bën detyrën e postierit!!!

Mbase nuk jeni në dijeni që qeveria kishte ngarkuar Ministrinë e Arsimit për të sjellë në qeveri këtë projektligj si kuadër normativ të reformimit të Akademisë të pareformuar të Shkencave. Në çastin kur ky proces po shkonte drejt fundit, pra, pikërisht kur pas shumë vonesash, procesi po përfundonte, sipas burimeve të vetë Ministrisë, ndërhyn grupi i deputetëve tuaj dhe nxjerr krejtësisht jashtë loje Ministrinë e Arsimit. Në fakt, vetë Kryeministrin!

Përse kjo ndërhyrje kaq brutale kur, sikurse theksova, Ministria po shkonte në fund të procesit?

Ka një arsye, sigurisht, për këtë. Është detyrë e ministres, Besa Shahini, të shpjegojë heshtjen dhe mosveprimin e saj për të kryer detyrën e ngarkuar nga Kryeministri, por si dëshmitar i ngjarjes, nuk mund të mos Ju informoj edhe për arbitraritetin e ndërhyrjes së deputetëve tuaj, edhe për mefshtësinë e reagimit dhe indiferencën e zonjës Besa Shahini për ta trajtuar me profesionalizëm dhe pjekuri rastin. Duket sikur ajo hoqi një peshë të rëndë nga vetja!!!

Ju bëj me dije se grupi i deputetëve, që gjoja ka paraqitur një iniciativë ligjore dhe që ka marrë “ok!” për të nisur procedurat, ka injoruar, fyer, marrë nëpër këmbë komunitetin shkencor dhe universitar të vendit. Juve mbase nuk Ju kanë informuar fare ata që e kishin për detyrë ta bënin këtë gjë, se zyrtarisht Ministria e Arsimit kishte dërguar në të gjitha universitetet dhe qendrat kërkimore të vendit për konsultim si projektplatformën time, ashtu edhe projektligjin e Akademisë të pareformuar të Shkencave.

Ministria i ka marrë rezultatet e këtij konsultimi dhe paturpësisht i mban të pabotuara dhe të fshehura! Grupi i deputetëve Tuaj jo vetëm që nuk i ka përfillur, por as ka marrë mundin t’i analizojë ato. Ju informoj se bëhet fjalë për dhjetëra, ndoshta qindra universitarë, që përkrahin pikërisht platformën që grupi i deputetëve Tuaj injoroi me arrogancë!

Kështu i trajtojnë deputetët Tuaj intelektualët dhe universitarët?

E dinë ata se çfarë mendimi kanë dhënë ekspertë të Komisionit të BE në Tiranë për dokumentet në fjalë? Duam ne të hyjmë në Europë apo do të vazhdojmë me modele lindore të ish-Jugosllavisë?

Zoti Kryetar i Kuvendit!

Unë besoj se Ju nuk i dini këto, për të cilat Ju informoj, sepse ata që duhet ta kishin bërë këtë nuk kanë pasur interes ta bënin! Unë kam dëshirë t’Ju besoj kur Ju ndërmerrni hapa elokuente për t’i gjallëruar deputetët dhe ministrat e shumicës Suaj! Unë kam dashur për të pasur besim te përpjekja Juaj për të qenë i drejtë në këtë histori tridhjetëvjeçare! Unë besoj që Ju nuk e konsideroni bashkëqeverisjen që flitet si një fjalë propagandistike!

Por, gjithçka më errësohet kur konstatoj që është dhënë “ok” për një projektligj si iniciativë deputetësh, e cila nuk është veçse një sipërmarrje jodemokratike, jotransparente dhe arbitrare, krejtësisht në kundërshtim me atë që ne presim nga Kuvendi i Shqipërisë i paguar nga taksat tona, të cilat i paguaj deri në një!

Unë e di se përse kanë ndodhur të gjitha këto shkelje, por nuk preferoj t’i bëj hëpërhë publike!

Unë kërkoj nga Ju, të ndërhyni në mënyrë energjike për ta zmbrapsur këtë ngjarje diskredituese për atë grup deputetësh për të mos e njollosur Kuvendin e Shqipërisë, sidomos në ditët tona kur ai si rezultat i konjukturave politike funksionon me parametra që dihen botërisht sa cilësore janë. Ta lini Ministrinë e Arsimit ta kryejë detyrën e saj për të cilën ka pasur të gjithë mbështetjen time, ndonëse e ndodhur, sigurisht, nën presion, ministrja Besa Shahini ka refuzuar të më presë në takim për këtë çështje zyrtare! Kështu sillet një ministre që ka marrë votën Tuaj me një akademik? Çfarë bëhet pastaj me mësuesit e thjeshtë, me prindërit dhe me studentët?

Zoti Kryetar i Kuvendit!

Mos e lini Akademinë e Shkencave në duart e lojërave që e mbajnë atë në gjendje të mjeruar!

Unë, si qytetar dhe profesor, Ju shpreh bindjen që sa më përket mua nuk do të stepem deri në fund për ta përballur rezistencën e nxitur nga ruajtja e privilegjeve, nga dëshira e verbër për pushtet, nga mefshtësia e drejtueses së Ministrisë të Arsimit në këtë proces si edhe nga presionet e valëve të parazitizmit, fshehur pas vetëmadhështisë së dikujt apo disave.

Mos lejoni që farsën e Akademisë së pareformuar të Shkencave, që u pasua nga farsa e farsës e komisionit të kësaj akademie të pareformuar, ta plotësojë si farsë e farsës së farsës grupi i deputetëve që vepron në mbikëqyrjen Tuaj!

Për verifikimin e gjithçkaje që Ju paraqes në këtë letër publike, jam gati të ballafaqohem me drejtuesit e Ministrisë të Arsimit dhe grupin e deputetëve Tuaj! Madje, u kam bërë thirrje të debatojmë publikisht para qytetarëve në një studio televizive. Por, kam marrë si përgjigje vetëm heshtje dhe moskokëçarje!!!

Ju faleminderit!

Me shpresën e një kontakti të drejtpërdrejtë me Ju dhe të reagimit Tuaj,

Me nderime,

Artan Fuga