.

Ndizet Partizani-Tirana, kompania e biletave del me njoftim zyrtar!

 

Partizani-Tirana është një derbi i zjarrtë jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në tribunat e tifozëve, me kryeqytetin që ndahet më dysh ditën e ndeshjes, në pjesën bardheblu dhe të kuqe të tij. Edhe stadiumi, si në çdo vend tjetër të botës, do të ndahet. Si zakonisht, skuadra pritëse ka pjesën më të madhe të stadiumit, me tifozërinë e kuqe që do të akomodohet në tribunat D1, E, F, G1, G2, C1, C2, B1 dhe B2, ndërsa Tirana në sektorët A1, A2, H1 dhe H2.

Ndryshe nga derbi i fundit, që solli edhe ndryshimin e tribunës historike për tifozët e Tiranës, të dielën ata do të kthehen në sektorin A1, A2 të tribunës qëndrore, me tifozërinë e Partizanit që gjithashtu do të rikthehet te B1, B2. Ndryshimi ndodhi për shkak të problemeve dhe incidenteve mes tifozëve në derbin e dytë.

 

Tribuna D2, ajo e rezervuar për ultrasit e Tiranës, edhe kësaj radhe do të qëndrojë e mbyllur, kjo si pjesë e paktit mes dy klubeve për të mos e shfrytëzuar atë tribunë, e cila u është rezervuar pjesës më të nxehtë të tifozërisë së Tiranës. Edhe policia është dakort me këtë pjesë pasi nuk kërkon që ajo tribunë të kthehet në mollë sherri ditën e derbit.

Ndërkohë, kompania e menaxhimit të biletave, në një njoftim të sajin, bën me dije se tifozët po nxitojnë të sigurojnë një biletë për derbin e madh, ndërsa si rrallëherë, po thyhet miti që tifozët shqiptarë e lënë gjithmonë biletën për në çastin e fundit. Sipas asaj që raporton kompania, tribuna qëndrore e sektorit të kuq, B1 dhe B2 është ezauruar, ndërsa tre tribuna të karshisë janë drejt përfundimit. Ndërkohë, mësohet se Tirana ka bllokuar të gjitha biletat e saj, të cilat normalisht cilësohen të ezauruara.