.

“Mos u ul se të bërtet Gjici”, humor nga tribuna për Gjokën. Ja pikantet e sfidës Skënderbeu-Kukësi

 

Skënderbeu e pëson pa filluar mirë ndeshja me Kukësin. Nëse për korçarët kjo ishte finalja e sezonit, fati nuk ka qenë me ta që prej mëngjesit të së mërkurës. Në hotel ku ishin të grumbulluar, i pari që jep lajmin e keq është Kristi Vangjeli. Korçari zgjohet me temperaturë që shkon deri në 40 gradë celsius dhe në të tilla kushte ishte e pamundur që të luate.

Sikur të mos mjaftonte, në nxehmje dëmtohet Gjergj Muzaka pas një tërheqjeje në rrëzë të kofshës. Për rrjedhojë mbetet jashtë. Këmba i jep dhimbje dhe bëhet e papërballueshme për të qenë në fushë. Kjo e penalizon trajnerin për herë të dytë që ka shumë pak kohë për të ndryshuar. Si të mos mjaftonin dy senatorët, mbas 15 minutash lojë vjen edhe dëmtimi i Oto Xhon.

– Në tribunë gjithçka duket e qetë dhe paqësore. Të dy delegacionet e klubeve janë të pranishme në tribunën VIP dhe japin një shembull korrektësie. Në fund të takimit, Takaj takon Gjicin dhe i uron suksese, ndërsa largohet i zemëruar për eliminimin.

Edhe në tribunat e tjera të stadiumit prezenca e tifozëve është e pakët. “Ujqërit e Dëborës” vijnë me vonesë në stadium kur ndeshja kishte minuta që kishte nisur.

– Shehi i shqetësuar gjatë gjithë kohës kërkon të motivojë lojtarët, por gjithçka duket e pamundur. Goli huton ekipin që pa senatorët në fushë të humbin shkëlqimin. Në pushimin trajneri mundohet t’i “shkundë” lojtarët, por nuk ia arrin dot.

– Në anën tjetër, Gjoka ka qenë gjithnjë aktiv. Pavarësisht se rezultati fliste në favor të Kukësit, trajneri qëndronte në këmbë duke u kërkuar llogari lojtarëve dhe herë arbitrit për mënyrën sesi po shkonte loja në varësi të episodeve. Kjo solli edhe irritimin e tifozërisë që nuk nguroi ta ngacmonin.

Ndeshja pas golit të dytë të Kukësit nuk kishte më histori. Kjo solli që tifozët të mos e kishin mendjen te loja, por vetëm te pankina e Kukësit, ku në “shënjestër” ishte Ernest Gjoka. Çdo lëvizje e trajnerit shoqërohej me batuta nga tifozët vendës. Kulmi arriti në minutat e fundit, kur ngacmonin Gjokën duke i thënë: “Mos u ul se do të të shajë Gjici!”

Ndërsa në momentin kur trajneri vendos të ulet në pankinë, tifozët shpërthejnë: “Safet, u ul Ernesti ore, hiqe se s’po e bën mirë detyrën!” Batuta që shkaktuan të qeshura dhe ilaritet jo vetëm në tribunën A, por edhe te VIP-at. Humor, të cilit as Gjici nuk i shpëtoi pa reaguar.