.

“Oh sa mirë me qenë shqiptar”, Muç Nano: Sikur të gjithë shqiptarët të ishin përmetarë, do ishim…

Nga Mustafa Nano

Ka ca gjëra shqiptare që mua më bëjnë të ndihem mirë, e që në ndonjë rast ma bëjnë me kuptim edhe atë shprehjen “oh sa mirë me qenë shqiptar”. Janë gjëra të së shkuarës dhe të së tashmes:

-Më bëjnë të ndihem mirë intelektualët shkodranë të paraluftës së dytë botërore, të cilët, me çfarë shkruajtën, dhanë para të tjerëve provën se shqipja ishte gjuhë si gjithë të tjerat, që do të thotë se me të mund të bëhej art i rafinuar e mund të kultivohej kulturë.

-Më bën të ndihem mirë besimi fetar i shkujdesur, mbi të cilin ngrihet ajo që ne gabimisht e quajmë harmoni fetare, por që në fakt nuk është harmoni fetare. Sepse harmoni fetare nuk ka e nuk mund të ketë. Rrofshin besimtarët e shkujdesur, duhet thënë. Këtë janë një soj i bukur shqiptarësh. Mpu!

-Më bën të ndihem mirë Korça, që është e vetmja gjë e denjë e botës urbane shqiptare. Dhe kur them këtë, më shumë sesa rrugët e pastra të shtruara me kalldrëm e shtëpitë e ulëta, kam parasysh fibrën civile e civike të njerëzve që banojnë atje.

-Mua më pëlqejnë vallet e gegëve.

-Më pëlqen, si një dokument i jashtëzakonshëm historik, Kanuni i Lekë Dukagjinit. Më pëlqen edhe tradita orale e malësorëve të veriut. Kjo traditë orale mund të mos jetë e jona burimore, por ç’rëndësi ka kjo? Kjo traditë është një prodhim shqiptar, sidoqoftë. Mjaft ta lexosh në gjuhën tonë dhe ti fillon e mendon se nuk ka mundësi të mos jetë shqiptare.

-Më bëjnë të them oh sa mirë me qenë shqiptar Zarifja nga Tropoja që gjeti vdekjen prej një mine në Letoni, ku shërbente si ushtarake shqiptare e NATO-s, Petraq Kolevica, të cilin kam vite pa e takuar, dhe të cilin dua ta përshëndes nga kjo studio, Saimir Repishti, me të cilin do ta kisha pirë me shumë dëshirë një kafe (siç themi ne shqiptarët), Kolec Topalli, i cili nuk jeton më, blogu “Peizazhe të Fjalës”, kënga qingji i vogël pse mendueshëm, korsitë e biçikletave në Tiranë, ai ministri që shkon në punë me autobusin urban (në fakt, nuk ka asnjë ministër që shkon në punë me autobusin urban, unë e thashë se më pëlqen si fabul; është thjesht një ëishful thinking),

-Më bëjnë të them “oh sa mirë me qenë shqiptar” shqiptarë të kohëve të ndryshme, të gjallë e të vdekur, si Thomas Strakosha, Vaçe Zela, Tano Banushi, Zef Pëllumbi, që nuk munda ta takoja sa qe gjallë, Robert Ndrenika, të cilit i uroj jetë të gjatë, doktor Adnan Kastrati, doktor Mentor Petrela, Dhimitër Anagnosti, Pëllumb Kulla, kompania “EHË”, Gianni de Biasi, që është shqiptar gjithashtu, Zëri i Amerikës në gjuhën shqipe, Lasgush Poradeci për munxosjen, të huajtjen e zvjerdhjen ndaj regjimit komunist që ai e manifestoi pa bujë, në mënyrën më elegante të mundshme.

Mikel Koliqi që teksa ishte i internuar në Savër të Lushnjës, e kishte bërë zakon të dilte jashtë në një ditë të javës, në një orë të pasdites, pranë altoparlantit të kooperativës prej nga ku dëgjohej programi me muzikë klasike i Radio Tiranës. Edhe kur binte shi, ai dilte atje, i vetëm, rrinte në këmbë, për të dëgjuar Bahun, Bethovenin, Shopenin, Vivaldin, Wagnerin, etj.

Musine Kokalari që në gjyqin që i bënë komunistët “guxoi” të bënte pohimin më të thjeshtë e më logjik që mund të përfytyrohet: nuk ka nevojë të jem komuniste për ta dashur këtë vend.

-Më pëlqejnë përmetarët, që janë ashtu si unë do doja të ishin shqiptarët, janë tolerantë, janë mendjehapur, dhe janë të tillë prej natyre, domethënë janë të tillë pa u sforcuar fare, janë patriotë të pabujshëm, janë me një qasje e vokacion urban edhe në rastin që banojnë në fshatra të thellë, janë shtetas shembullorë. Sikur të gjithë shqiptarët të ishin përmetarë, edhe pogradecarë do të thoja, ne do ishim… shumë më mirë sesa jemi sot.