.

Robert Aliaj: Nëpër ekrane, të njëjtat shëmbëlltyra silikoni

Artisti Robert Aliaj është shprehur së fundmi se nëpër ekrane shihen po të njëjtat shëmbëlltyra silikoni, ndërkohë që realiteti shqiptar sipas tij kërkon personazhe dinjitozë. Në një intervistë për “Panorama Plus”, Aliaj ka folur se edhe në politikë hasen po të njëjtat fytyra.

“Personazhet e panjohur në terrenin e tyre, të trajtuar me dinjitet, janë ajo çka i mungon realitetit shqiptar në të gjitha dimensionet. Kemi të njëjtat fytyra në politikë, edhe pse dështimet janë normë. Kemi të njëjtat shëmbëlltyra silikoni nëpër ekrane, kemi të njëjtat qëllime, etj.”- u shpreh ai.

Aliaj cilësoi më tej se aktorë të vërtetë të dramës shqiptare janë pikërisht njerëzit e panjohur, të cilët, sipas tij, janë më të spontanë, më të sinqertë, më të mençur dhe më zemërbardhë me të gjithë vështirësitë. “Nuk mund të them që më janë mërzitur fytyrat e bukura të ekraneve, sepse nuk i kam njohur asnjëherë fytyrat e tyre të vërteta”-përfundoi ai.