.

Rinasi/ Merret në pyetje gruaja gjermane e Renaldo Sulës

Hetimet për zbardhjen e megagrabitjes në Rinas janë në vijim e sipër. Ndërsa deri më tani janë pesë të arrestuarit që kanë lidhje me ngjarjen, policia ka thirrur për të dëshmuar edhe bashkëshorten gjermane të njërit prej tyre, e Renaldo Sulës, siç raporton gazetarja Klodiana Lala.

Nuk dihet lidhja që mund të ketë kjo e fundit me ngjarjen, por mësohet se shtetësja gjermane po jep dëshminë e saj në këto momente.

Bashkëshorti i saj Renaldo Sula u la dje nën masën arrest me burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda së bashku me Saimir Çelën dhe Oltion Veselin. Një ditë para tyre edhe për dëshmitarin e drejtësië, Alkond Bengasin, gjykata dha të njejtën masë.

Po dje policia tha se po heton një ish-police, 31-vjeçare me inicialet E.B., e cila dyshohet të ketë djegur furgonin e tretë të përdorur për grabitjen e 9 Prillit në afërsi të Bathores, me qëllim shpërqendrimin e vëmendjes së policisë. E reja është ende e dyshuar e policisë që po hetohet në gjendje të lirë.

Të arrestuar për grabitjen janë: Alkond Bengasi; Renaldo Sula; Oltian Veseli; Saimir Çela; Elton Pikli. Ndërsa Admir Murataj, personi që konsiderohej si truri i grabitjes, mbeti i vrarë në tentativën për t’u arratisur me furgonin e modifikuar “Hetimi Tatimor”. Në kërkim janë edhe disa persona të tjerë si Klement e Eldi Çala, por edhe dy shtetas nga Kosova.

Burimi:Balkanweb