.

Historia frymëzuese/ 13-vjeçarja shqiptare shet pikturat e saj për të paguar ilaçet e kushtueshme

Sëmundjen nuk e zgjedh askush, por gjithkush zgjedh një mënyrë për ta luftuar. Yllka Leti është një fëmijë i talentuar që frymëzon me vullnetin e saj për të luftuar sëmundjen. 13-vjeçarja nga Prishtina vuan nga Fibroza Cistike (sëmundje që prek organet e brendshme). Terapia e saj është shumë e kushtueshme. Madje, medikamentet për këtë sëmundje nuk gjenden në Kosovë.

Duke qenë se barërat për terapinë e saj janë me kosto të lartë, Yllka me propozimin e mësueses së saj, Valbonës ka vendosur t’i shesë pikturat që bën duke ndihmuar familjen për blerjen medikamenteve të terapisë. Yllka ka rrëfyer për Insajderin se sëmundja e saj është e kushtueshme dhe se po ndjehet mirë që po ndihmon familjen me aftësinë e saj për pikturën.

“Profesoresha Valbonë i ka parë krejt aftësitë e mia dhe i ka lind ideja që unë me i shit pikturat për me ndihmu mi ble barnat dhe kështu deri sot nuk kisha mundur me ia dalë pa ndihmesën e profesoreshës”, ka thënë Yllka.

Ajo ka treguar se çdo ditë duhet të bëjë ushtrimet e terapinë dhe pastaj të merret edhe me hobin e saj – pikturën.

“Çdo ditë unë duhet me i kry ushtrimet e mia, të cilat më janë bërë si rutinë. Si fillim, çdo mëngjes duhet me bë inhalimin pastaj duhet me i bë ushtrimet, pas ushtrimeve e kam shkollën, por pas shkollës mundohem edhe me i bë pikturat që zgjasin diku dy ditë, pastaj i pi barnat e mia si kreonat, adexin” , u shpreh ajo.