.

Kupa e Shqipërisë/ Kukësi fiton të parën, paqe në Gjirokastër

 

Kanë përfunduar dy ndeshjet e para të vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ku në Kamëz, Kukësi ka thyer Skënderbeun me rezultatin 2-1, ndërsa në 90 minutëshin e luajtur në Gjirokastër, Luftëtari dhe Tirana janën ndarë me rrjera të paprekura.

Në përballjen e Kamzës, Kukësi dhe Skënderbeu kanë dhuruar një 90 minutësh emocionues, të dominuar kryesisht nga vendësit, që udhëhoqën në 2-0 pas golave të Rexhinaldos në minutën e 20-të dhe të Vasil Shkurtajt në të 56-ën.

Por një gabim në mbrojtje i Kukësit, që deri në ato çaste po luante një ndeshje perfekte, solli golin e Bregut, që në minutën e 61-të përfiton nga mosmarrëveshja mes Teqes dhe Frashërit duke shënuar golin që në sfidën e dytë mund të vlejë shumë për korçarët. Nuk do të ketë më gola deri në fund, pavarësisht se korçarët rrisin dukshëm lojën e tyre. Kukësi fiton 2-1, por sfida e dytë në Korçë premton sërish të tjera emocione, pasi ende çdo gjë është e hapur.

Emocione, por jo gola në Gjirokastër, ku Luftëtari dhe Tirana kanë barazuar 0-0. Raste të mira shënimi për të dyja skuadrat, por në fund rrjeta të paprekura, për dy skuadrat që veç një vendi në finalen e madhe të Kupës së Shqipërisë, do të luajnë dhe në fundjavë sfidën që mund të vendosë shumë në luftën për mbijetesë.