.

Arion Sulo në Open: Ja deputetët që kanë hyrë në partinë e re të Patozit

Arion Sulo, kryeredaktor i Gazeta Liberale ka zbardhur në emisionin Open, emra të rinj drejtuesish në partinë që pritet të regjistrojë nesër Astrit Patozi.

Sipas Sulos, një nga deputetët që kanë marrë pjesë në mbledhjen themeluese të Bindjes Demokratike është Andi Përmeti, deputeti që hyri në Kuvend nga lista e PD-së së Korçës.

Sulo tha se hyrja e Përmetit ia lehtëson Patozit regjistrimin e partisë në Gjykatë, pasi nuk do i duhen 3 mijë firma.

“Bindja Demokratike”, partia më e re opozitare po krijohet sot në mbrëmje, pasi kryetari i saj Astrit Patozi ka mbledhur rreth orës 19:00 në një zyrë pranë Liqenit Artificial, të pakënaqurit e Partisë Demokratike.

Gazetarja e TCH, Elda Menga raportoi live në “Open” se në këtë mbledhje do të konstituohet forca e re politike dhe drejtuesi i konfirmuar është ish-numri 2 i PD-së.

Në përfundim të takimit pritet një deklaratë për mediat, ndërsa “Bindja Demokratike” pritet që të regjistrohet nesër në gjykatën e Tiranës si forcë politike dhe më pas vendimi kalon në KQZ për tu regjistruar në zgjedhjet  vendore të 30 qershorit.

Hapur.al