.

Basha nga Laçi: Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit kundër padrejtësive

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ndodhet sot në Kishën e Shna Ndoit ne Laç, prej nga uroi të gjithë besimtarët katolike e ungjillore për shumë vjet Pashkët.

Basha dha edhe një mesazh politik nga festa, duke uruar që Zoti të bashkojë të gjithë shqiptarët për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë.
“Sot kam një urim për të gjithë shqiptarët kudo që janë që Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit kundër padrejtësive, për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë, për t’u bashkuar të gjithë nën Zot, në këtë ditë të ringjalljes së Krishtit, të ringjalljes së shpresës”, tha Basha.

Urimi i plotë i Bashës nga Kisha e Shna Ndout në Laç

“Uroj që Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit kundër padrejtësive, për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë”

Sapo kam mbërritur në një vend, një nga vendet më të shenjta për shqiptarët, për besimtarët e Krishtit dhe për të gjithë shqiptarët, Kishën e Shna Ndout në Laç dhe dua prej këndej t’u uroj gjithë besimtarëve, katolikë e ungjillorë, dhe të gjithë shqiptarëve: “Gëzuar! Për shumë vjet Pashkët”. Kjo ditë e ngjalljes së Krishtit, në të cilën sot, nga kisha e Shna Ndout lutem për të gjithë bashkëqytetarët e mi, në veçanti, për ata më në nevojë, për të vobekëtit, për të sëmurët dhe familjarët e tyre, për ata që vuajnë padrejtësitë. Lutem që kjo ditë e ngjalljes së Krishtit të jetë dita e ngjalljes së shpresës dhe besimit tek paqja dhe e nesërmja e sigurtë, nën drejtimin e Zotit fuqiplotë.
Sot kam një urim për të gjithë shqiptarët, kudo ku janë, që Zoti të na e ndriçojë rrugën e bashkimit kundër padrejtësive, për ta çliruar Shqipërinë nga padrejtësitë, për t’u bashkuar të gjithë si vëllezër e motra, nën Perëndinë, nën Zotin, në këtë ditë të ngjalljes së Krishtit dhe ngjalljes së shpresës, për një Shqipëri të paqes, për një Shqipëri të së ardhmes më të mirë për çdo familje, për çdo shqiptar dhe për të gjithë bijtë, vogëlushët e shqiptarëve.
Zoti e bekoftë Shqipërinë!
Edhe njëherë, nga Kisha e Shna Ndout, gëzuar e Për shumë vjet, gjithë besimtarëve të Krishtit, gjithë besimtarëve katolikë, në veçanti gjithë shërbëtorëve të Zotit, në gjithë dioqezat tona, në Shqipëri, anembanë kombit shqiptar e në diasporë.
Gëzuar të gjithë besimtarëve ungjillorë, gëzuar të gjithë shqiptarëve.
Gëzuar, Për shumë vjet Pashkët.