.

A do e braktisin Bashën demokratët? Ja situata që favorizon Rudina Hajdarin

Alternativa e re opozitare e ka emrin “Bindja Demokratike”, e sapokrijuar të shtunën. Themeluesit e saj janë Rudina Hajdari, deputete e Partisë Demokratike,(PD) dhe kryetare e grupit të sapoformuar parlamentar demokratik opozitar si edhe dhe ish-deputeti i PD, Astrit Patozi, një nga kritikët më të ashpër të liderit aktual të PD, ish deputetit demokrat Lulzim Basha, që hoqi dorë nga mandati i tij parlamentar në shkurtin e kaluar së bashku me deputetët e tjerë të grupit parlamentar të PD, me përjashtim të deputetes Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi.

“Bindja Demokratike” do të regjistrohet në Gjykatën e rrethit të Tiranës, të martën e javës së ardhshme , më 23 Prill. Kryetare e saj do të jetë Rudina Hajdari dhe nënkryetar Astrit Patozi.
Grupi parlamentar demokratik bëri me dije të premten se do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Themelimi i partisë së djathtë opozitare “Bindja Demokratike” vjen pas këtij vendimi dhe nevojës për të kapur afatet kohore të Kodit Zgjedhor për t’u regjistruar si subjekt politik që do të marrë pjesë në garë me siglën e saj.

Anëtarë të partisë së djathtë opozitare “Bindja Demokratike” pritet të jenë figura të njohura të PD-së, të cilat lideri i saj aktual Basha nuk i përfshiu në zgjedhjet parlamentare 2017, për shkak të qëndrimeve të tyre kritike ndaj strategjisë politike të PD në zgjedhjet parlamentare 2017.

Bindja Demokratike synon të bashkëpunojë me mazhorancën socialiste në reformimin e sistemit zgjedhor dhe të përfaqësojë në parlament elektoratin demokrat dhe opozitën e qytetarëve./ DW