.

Çfarë treguan përleshjet në programin “Open” të deputetëve Ralf Gjoni dhe Rudina Hajdari

Klementin Mile

Ku gabojnë Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni kur e identifikojnë veten me opozitën e vërtetë? Javët e fundit i kemi parë të dy këta deputetë të bëhen aktivë në Parlament dhe në studiot televizive. Herë e mbështesin qeverinë dhe herë e kundërshtojnë me takt. Për shembull, deputeti Gjoni tha në një debat televiziv se kryeministri Rama do të duhej ta kishte dhënë dorëheqjen për një mijë e një probleme të qeverisjes së tij, por jo për votimin e Parlamentit holandez që kërkoi rivendosjen e regjimit të vizave me Shqipërinë. Duke iu referuar problemeve të tjera të qeverisjes, të cilat nuk ishin temë debati, deputeti Gjoni e largoi përgjegjësinë nga kryeministri me një marifet retorik të tipit “fajtor është, por jo për këtë”.

Është e dukshme që cilësia opozitare e deputetëve Hajdari dhe Gjoni, sikundër edhe e kolegëve të tyre të futur rishtas në Parlament, lë për të dëshiruar. Më keq se kaq: lë për të dyshuar. E megjithatë, të thuash se Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni nuk janë opozitë e vërtetë ngaqë nuk e përfaqësojnë popullin opozitar, është e pamjaftueshme. Siç e dinë mirë votuesit e Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka pasur edhe shumë emra të tjerë, të cilët sot i kanë lënë mandatet, që nuk meritonin të ishin në listat e deputetëve. Përfaqësimi i vlerave dhe interesave të popullit opozitar është një çështje që nuk e ka zgjidhur as opozita që dogji mandatet, as opozita që pranoi mandatet.

Çka ua pamundëson deputetëve Hajdari dhe Gjoni të jenë opozitë e vërtetë nuk lidhet me përfaqësimin. Në fund të fundit, Rudina Hajdari, si vajza e Azemit, nuk është më pak përfaqësuese se mjaft deputetë të Partisë Demokratike që tashmë e kanë lënë mandatin dhe nuk dihej se çfarë i lidhte me demokratët e thjeshtë. Po ashtu Ralf Gjoni nuk ka qenë më pak i angazhuar në strukturat vendimmarrëse dhe këshilluese të Lëvizjes Socialiste për Integrim sesa gjysma e deputetëve të dikurshëm të kësaj partie.

E nëse për të qenë përfaqësues duhet të jesh aktiv, si Hajdari ashtu dhe Gjoni i kanë bërë aktet heroike të tyre. Deputetja Hajdari shkëlqeu me heroizmin e vet si qëndrestare (thuajse e vetme) e opozitës parlamentare, kur refuzoi të lërë mandatin e deputetes. Pastaj u shfaq në emisione televizive ku performoi përballë analistëve të njohur, të cilët hetuan potencialin dhe perspektivën e saj si lidere opozite. Edhe deputeti Gjoni, pavarësisht mungesës së një babai të famshëm për ta katapultuar në vëmendjen e publikut, e mori famën e vet prej bojës që i hodhën në fytyrë. Pas kësaj ai i vijoi aktet heroike duke u përleshur me ish-deputetë të njohur si Salianji dhe analistë të njohur si Iljazaj.

Por këto akte heroike nuk i bëjnë deputetët Hajdari dhe Gjoni as përfaqësues as opozitë. Qenia e tyre në Parlament është lexuar në mënyra të ndryshme, por njësoj të gabuara. Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni nuk janë në Parlament për një rrogë, siç thonë politikanë dhe komentatorë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ata nuk janë aty as për të formuar opozitën e re dhe të vërtetë, siç shprehen politikanë dhe komentatorë të Partisë Socialiste. Duket se edhe vetë deputetët Hajdari dhe Gjoni e identifikojnë veten gabimisht me njërin nga këto lexime alternative: kur shfaqen në publik ata përdorin leximin e socialistëve, sipas të cilit janë duke bërë opozitën e re, atë të vërtetën; dhe kur janë në hapësirën private përdorin leximin e demokratëve dhe LSI-stëve, pra që janë futur në Parlament për një rrogë.

Këto dy lexime, edhe pse të gabuara, në fakt reflektojnë dallimin që bëri mendimtari gjerman Maks Veber ndërmjet dy lloje politikanësh: politikani që jeton prej politikës dhe politikani që jeton për politikën. I pari është i motivuar materialisht, i dyti idealisht. Veçse kundërtia e artikuluar prej Veberit nuk mjafton për të identifikuar si duhet fenomenin e politikanëve Hajdari dhe Gjoni. Ajo është një kundërti që niset nga individi, që hyn në mendjen dhe predispozitat individuale, duke u dhënë atyre një peshë të tillë që i bën të padukshme strukturat dhe sistemin ku ndodh e gjitha kjo.

Nga perspektiva e sistemit politik, e cila është themelore për çdo analizë të ngjarjeve dhe gjendjeve politike, Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni janë thjesht një eksperiment i sistemit. Vetëm kështu mund të përligjet ontologjikisht qenia e tyre në Parlament: e Rudinës që mbeti dhe e Ralfit që erdhi.

Sistemi politik e ka gjithmonë të nevojshme të ketë legjitimitet. Në gjendjen aktuale, kur opozita i ka djegur mandatet, kur shumica e shqiptarëve dëshirojnë të largohen nga vendi, kur ka prova dhe dyshime të shumta se mekanizmi themeltar i zgjedhjeve të lira e të ndershme nuk ka funksionuar, sistemi politik ka nevojë urgjente për të testuar vetveten. Kjo gjë nuk mund të presë deri në zgjedhjet parlamentare të ardhshme, pasi dy vjet pa testim të legjitimitetit të vet do të ishin katastrofike për sistemin.

Që sistemi politik të testojë vetveten duhet t’i komunikojë publikut jo vetëm çfarë mund të bëhet, por edhe çfarë është e pamundshme. Por në kushtet e një sistemi politik ku partitë kanë rol themelor, nuk mund të pritet që e pamundshmja të figurojë në programet e tyre. Në gjendjen aktuale nuk mund të presim që Partia Socialiste nga njëra anë dhe Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nga ana tjetër, të shprehen për pamundësi. Në artikulimet e tyre do të ketë gjithmonë premtime për zgjidhje perfekte të të gjitha problemeve. Kjo, pasi gara për pushtet zhvillohet në bazë të premtimeve sa më tërheqëse dhe sa më pompoze dhe publiku shpërblen rregullisht me votë artikulimet e realizueshmërisë.

Në këtë mënyrë, sistemi politik nuk e teston dot vetveten me anë të artikulimeve dhe veprimeve të Ramës, Bashës dhe Kryemadhit për daljen nga kriza politike ku është futur. Për t’i komunikuar publikut të pamundshmen, si bie fjala zgjidhje të tipit “opozita e re”, aktivizohen politikanë individualë si Hajdari dhe Gjoni. Me anë të tyre sistemi politik mund të eksperimentojë në terrenin e së panjohurës, pa paguar koston e lartë të humbjes së zgjedhjeve nga njëra parti apo tjetra, për shkak të guximit për të eksperimentuar. Dhe në fakt, “opozita e re”, a nuk është ajo krijesë e Rudina Hajdarit dhe Ralf Gjonit, për të cilën nuk mund t’i atribuohet faj apo meritë as qeverisë Rama as opozitës Basha – Kryemadhi?/ Gazeta Liberale