.

“Tragjike dhe zemërthyese”, Ambasadorja e SHBA tregon historinë e dhimbshme dhe ka një apel për politikën 

Në një takim për sensibilizimin e punësimit të grave të prekura nga kanceri i gjirit, e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, duke ndarë dhimbjen e saj pas humbjes së nënës nga kanceri i gjirit, ka përfituar për të bërë edhe një mesazh të fortë.

Gjatë fjalës së saj, Leyla Moses-Ones i bëri thirrje gjithashtu klasës politike shqiptare për të lënë mënjanë ndasitë e tyre dhe të bëhen bashkë për kauza të tilla të rëndësishme. Zyrtarja e ambasadës së SHBA apeloi gjithashtu që palët politike të bashkëpunojnë për reformën zgjedhore dhe të jenë shembull për qytetarët.
“E di personalisht që kanceri i gjirit na prek të gjithëve, pavarësisht se kush jemi apo nga vijmë. Partitë politike? Të parëndësishme! Pasuria? Të parëndësishme! Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjen”, u shpreh ajo.

“Liderët shqiptarë duhet të punojnë bashkë për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, veçanërisht atyre me kancer gjiri. Shpresoj që kjo do të jetë një fushatë e përbashkët ku drejtuesit politikë të Shqipërisë të mblidhen së bashku për ta çuar vendin përpara. Koha është tani dhe mundësia është këtu. Gratë drejtuese shqiptare duhet të punojnë bashkë për të dhënë shembull të shkëlqyer për qytetarët tuaj. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye”, pohoi ajo më tej.