.

VIDEO/ Të enjten në “Open”, Xhaçka flet për ushtrinë në Rinas, ekspertët tregojnë si u ndihmuan grabitësit

Open u fokusua të enjten në grabitjen e Rinasit dhe problematikën e sigurisë së aeroportit të vetëm në vendin tonë. Grabitja e armatosur në Rinas e rreth 10 milionë eurove është cilësuar një ngjarje e rëndë edhe nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Open” të Eni Vasilit. Edhe vendimin për të dislokuar ushtrinë për të garantuar sigurinë në Aeroportin e Rinasit, ministrja Xhaçka tha se ishte marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura. “Është dërguar Policia Ushtarake, për të cilën ka kuadër tjetër ligjor nga dërgimi i Forcave të Armatosura”, tha ministrja.
Nëse do të ishte dërguar ushtria, për një rast hipotetik të jashtëzakonshëm, atëherë sërish nuk do të ishte e nevojshme që ministrja të trokiste në dyert e Presidencës, por në Kuvendin e Shqipërisë. Ky ishte reagimi i ministres, e pyetur nëse ishte konsultuar me Presidentin e Republikës për dërgimin e Policisë Ushtarake në garantimin e sigurisë në Aeroportin “Nënë Tereza”.
Por, gazetarët në studio këmbëngulën se duke qenë se është sulmuar një objekt i rëndësisë së veçantë, përbën edhe cënim të sigurisë kombëtare. Këtu ndërhyri Carlo Bollino, i cili tha se nëse do të ishte kështu, atëherë edhe protestat e opozitës që sulmojnë Kryeministrinë përbëjnë cënim të sigurisë kombëtare.

“Nuk kemi asnjë ndryshim të shkallës së sigurisë, as ngritje të alarmit, as luftë, as cënim sigurie kombëtare. Kemi thjesht një cënim sigurie, siç kemi pasur edhe në bazën e Pashalimanit, më herët, dhe siç bëmë atëherë duke përforcuar masat e sigurisë, ashtu bëmë edhe këtë herë”, ritheksoi më tej Olta Xhaçka.

Xhacka u pyet në open edhe për kërkesën për informacion që Meta i ka dërguar shefit të Shtabit të Fiorcave të Armatosura.
“Në fakt, presidenti ka shkelur ligjin që i ka kërkuar informacion shefit të Shtabit. Presidenti vepron përmes Shtabit në kohë lufte, por në kohë paqeje ligji për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit-komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë e përcakton qartë zinxhirin e drejtimit, i cili nis me Kuvendin dhe mbaron me komandantin e fundit në hierarki”, deklaroi Xhaçka.

Edvin Libohova, ekonomist dhe bankier i njohur dhe me njohuri edhe mbi shoqëritë e sigurimeve, të cilin shumëkush mund ta njohë edhe si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit, ndërhyri në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Open” nga Eni Vasili për të diskutuar në detaje mbi grabitjen e rreth 10 mln eurove në Rinas.

Zoti Libohova tha se për transferta të tilla, ligji shqiptar imponon bankat të pajisin transfertat e tyre në marrëveshje me kompanitë private të sigurisë fizike me bojë ngjyrosëse që i nxjerr jashtë përdorimit paratë në rast sulmi nga bandat e armatosura, apo me GPS që të mund të gjurmojnë dërgesën e tyre deri në aeroport.

I pyetur nëse ishin marrë këto masa në rastin e fundit apo jo, ai tha se asnjë nga këto masa nuk ishin respektuar, ndoshta për shkak se bankat kanë vijuar në rutinën e tyre të përhershme. Por a vjen kjo neglizhencë e bankave për çështje financiare, kostosh? Zoti Libohova tha se nuk ka asnjë shpenzim ekstra për këto masa, por deklaroi se GPS-i ndoshta mund të rezultojë problematik për shoqëritë e transportit ajror, edhe pse tha se një pajisje e tillë mund të hiqet sapo thasët ngarkohen në avion.

Nderkohe, Dritan Goxhaj, një nga ekspertët më të mirë të aviacionit në vend, deklaroi në emisionin Open të Eni Vasilit, se vetëm punonjësit e sigurisë së aeroportit kanë ditur vendin e saktë ku do të parkohet avioni, çka i ka dhënë mundësi grabitësve që të afrohen aty ku ata kanë dashur për të kryer grabitjen spektakolare.

Emisioni i plote “Open” 11 prill: