.

I ka ndëshkuar në vazhdimësi, Starovës i rikthehet “vrasësi” i gjirokastritëve

Sulejman Starova mori drejtimin e Laçit pas largimit të trajnerit Besnik Prenga, largim i cili erdhi pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës me Tiranën. Debutimi i “Bobit” në krye të pankinës laçiane ishte pozitiv, pasi e nisi me dy barazime, 0-0 me Flamurtarin dhe 1-1 me Tiranën në kryeqytet.
Më pas ishte pranë përmbysjes së madhe në Kupë, ku fituan ndeshjen e kthimit 2-0 me Tiranën. Fitorja e parë e Laçit, nën drejtimin e Starovës, ishte e bujshme, pasi mposhtën në shtëpi Teutën në shifrat 5-0. Por ky sukses sikur i dehu kurbinasit, pasi në mesjavë vjen edhe humbja e parë për trajnerin Starova në krye të Laçit, ku Kukësi i mposhti 1- 0 me një eurogol të Vesel Limajt. Në këtë takim, Laçi nuk pati shërbimet e golashënuesit më të mirë të skuadrës, Ndriçim Shtubina, që ishte i pezulluar. Të dielën, Laçi është mysafir në Gjirokastër dhe nën urdhrat e Starovës, kthehet “vrasësi” i bluzinjve, Shtubina.

Trajneri Sulejman Starova do të ketë në dispozicion një lojtar të rëndësishëm, jo vetëm për rëndësinë në skuadër, por mbi të gjitha për faktin se është njeriu që i ka ndëshkuar në vazhdimësi bluzinjtë. Në dy fazat e para, Shtubina ka shënuar ndaj Luftëtarit, duke u dhënë pikë të rëndësishme kurbinasve në përballjet me skuadrën që tanimë drejtohet nga Ahmataj.

Kjo është sfidë jetike për të dyja ekipet. Laçi do fitoren për Europë, ndërsa gjirokastritët duan trepikëshin për mbijetesë. Përveç rikthimit të Shtubinës, kurbinasit shpresojnë të rikuperojnë për këtë ndeshje edhe mbrojtësin Abdurrahman Fangaj, që është dëmtuar në barazimin 1-1 me Tiranën në kampionat. Gjithsesi, duke ditur se ndeshja është shumë pranë, gjasat janë që edhe në Gjirokastër trajneri Starova t’i bëjë llogaritë pa Fangajn.