.

“MERRE ME TË QESHUR, RUDINA!” Ish-deputeti i PD i del në mbrojtje Rudina Hajdarit

Ish-deputeti i PD-së, Astrit Patozi i ka dalë në mbrojtje deputetes Rudina Hajdari, e cila shpesh është vënë në qendër të kritikave për shkak të artikulimit të saj.

Nëpërmjet një postimi në facebook, Patozi i drejtohet deputetes së PD-së, ndërsa i thotë se ky është vetëm fillimi, pasi shton ai, shumë shpejt “do të vijë dita kur do të sulen shumë herë më keq”.

Sipas tij këto sulme vijë për faktin se Hajdari i ka tronditur me vendimin dhe qëndrimet e shpallura, ndërsa shton se këto janë si një provë se deputetja po bën gjënë e duhur.

Postimi i plotë:

MERRE ME TË QESHUR, RUDINA!

Mos u mërzit Rudina, se është vetëm fillimi. Konsideroji si përkëdhelje këto që po të thonë sot, se shumë shpejt do të vijë dita kur do të sulen shumë herë më keq. Por mbase deri atëherë edhe ti do të jesh imunizuar dhe nuk do t’u kushtosh më asnjë rëndësi.

Mos u çudit që këtë muajin e fundit nuk po ta kuptojnë shqipen tënde, as kur të ndërrojnë germat e fjalimit tënd, madje duke e shoqëruar me video, në të cilën dëgjohet qartazi që ti e ke shqiptuar ndryshe. Por ata e kanë vendosur që ti e ke thënë gabim, ngaqë ke probleme me artikulimin, dhe të guxojë njeri t’u thotë që kjo nuk është e vërtetë, sepse janë gati t’i kthehen edhe atij.

As kur të lexosh se ka zëra që thonë se në emisionin e fundit tek Top Channel ke vajtur e dehur, edhe nëse ti ndoshta mund të mos kesh vënë kurrë ndonjëherë alkool në gojë. Mos u lodh të kërkosh se nga i kanë dëgjuar ato zërat, sepse jetojmë në kohëra digjitale, ku gjithçka është e mundur. Rëndësi kanë vetëm klikimet, por kurrësesi e vërteta.

Natyrisht, duhet të mësohesh me përmendjen gjithnjë e më të shpeshtë të babait tënd, për të cilin do të hiqen si të prekur dhe lënduar njerëz, që nuk kanë pasur as fatin dhe as mundësinë t’i japin dorën, qoftë edhe një herë të vetme. Nuk e kanë për herë të parë dhe as për të fundit që betohen për gjakun e tij.

Dhe nuk duhet të habitesh edhe nëse dikush prej tyre do t’i kthehet apo përvishet edhe babait tënd të ndjerë, i cili nuk ka mundësi të përgjigjet. Mund ta fajësojnë apo rifajësojnë për historitë e tij të vjetra, por mund t’i kërkojnë edhe llogari pas vdekjes për “gabimet” e tua të muajit të fundit.

Merre me të qeshur Rudina! Se nuk i ke shqetësuar për atë që je dhe, as për atë që di apo je e aftë të thuash. Por është fare e qartë se i ke tronditur me vendimin që ke marrë dhe me qëndrimet që ke shpallur.

Ndaj konsideroje si një provë të mjaftueshme se ke bërë gjënë e duhur dhe, ec përpara!