.

Debati në Open: Grabitja e Rinasit, cilët janë përgjegjësit? Të gjithë nga pak…

Të ftuarit në studion e “Open” nga Eni Vasili në ekranin e Top Channel, por edhe ministrja e Mbrojtjes Xhaçka dhe eksperti Dritan Goxhaj, debatuan gjatë dhe në terma tekniko-ligjorë në lidhje me përgjegjësitë për këtë ngjarje të rëndë që tronditi në mënyrë të përsëritur opinionin publik, teksa u godit sërish siguria e Aeroportit të vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë, atij “Nënë Tereza” në Rinas.

Goxhaj tha se përgjegjësia është e të gjithëve, në pjesë të caktuara, ndërsa ministrja Xhaçka theksoi se shpreson që prokuroria të hetojë me intensitet dhe të nxjerrë para drejtësisë të gjithë ata që duhet të mbajnë përgjegjësi.

Në një ndërhyrje të tij, analisti Fahri Balliu, botues i “Gazetës 55”, deklaroi se përgjegjësia për sigurinë e Aeroportit bie edhe mbi krerët e Bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil, Sandër Lleshaj dhe Artan Shkreli, madje duke kërkuar shkarkimin e dikujt, pasi siç u shpreh ai, kështu ndodh në të gjitha vendet e zhvilluara perëndimore kur ndodh një ngjarje e tillë.

“Është skandaloze që askush të mos mbajë përgjegjësi për grabitjen në Rinas”, tha Balliu.

Por, ishte zoti Goxhaj që në replikë e sipër me ministren Xhaçka, nxori në detaje përgjegjësitë e koncesionarit, të Autoritetit të Aviacionit Civil, të Policisë së Shtetit dhe të agjencive të tjera ligjzbatuese dhe parandaluese të ngjarjeve të rënda të kësaj natyre.