.

Kur SHBA ia pret biletën opozitës, “vetëm vajtje”!

ALFRED PEZA/ Edhe nëse dikush nga mediat shqiptare këto 48 orët e fundit, do të ngatërrohej dhe të gjitha deklaratat e zv.

Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Matthew Palmer, do ti vendoste në gojën e Edi Ramës apo të kujtdo përfaqësuesi të mazhorancës dhe të zyrtarëve më të lartë të Brukselit apo Berlinit që janë prononcuar për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, nuk është se do ta vinte re ndokush.

Kjo sepse rrallëherë mund të të qëllojë në historinë tonë dhe të marrëdhënieve me partnerët strategjikë, që të ketë një dakordësi dhe harmoni të tillë qëndrimesh, për një zhvillim të rëndësishëm politik në Shqipëri, si ai që po konsumohet prej dy muajsh në Tiranë.

Përveç PD, LSI dhe aleatëve të tyre, e gjithë bota demokratike e interesuar, janë shprehur kundër djegies së madateve të deputetëve të opozitës, kundër daljes nga sistemi parlamentar dhe kundër të gjitha kërkesave për qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohëshme në vend. Kurrë një opozitë nuk ka qenë ndonjëherë më e braktisur, më e izoluar dhe më e defaktorizuar në kazuat dhe aksionet e saj të mëdha politike të këtyre 30 viteve të fundit në Shqipëri, sesa opozita e sotme.

SHBA nëpërmjet z. Palmer, ua bëri akoma edhe më të qartë këtë shqiptarëve. I pyetur se çfarë duhet të bëjë qeveria që të bindë opozitën për të hyrë në zgjedhje, Palmer tha: “Kjo është përgjegjësi e opozitës dhe jo e qeverisë. Është detyrë e opozitës të bindë elektoratin që ta votojnë. Nuk është përgjegjësia e partive në pushtet që të bindin opozitën për të marrë pjesë në procesin demokratik. Është përgjegjësia e të gjitha partive, që të garojnë në një proces që është i lirë dhe i drejtë, të fitojnë pushtetin dhe më pas t’a ushtrojnë atë në përputhje me vizionin dhe principet e tyre demokratike.”

Në lidhje me kërkesën e opozitës për një qeveri tranzitore, Palmer tha: “Opozita duhet të përfshihet në proceset demokratike. Qeveria dhe institucionet e tjera janë legjitime. Bojkotimi i zgjedhjeve apo djegia e mandateve janë thelbësisht në kundërshtim me praktikat demokratike. Nxis partitë e opozitës që të kërkojnë mënyra për t’u riangazhuar në procesin politik dhe zgjedhjet lokale të qershorit janë mundësia më e mirë për ta bërë këtë sa më parë. Nëse ka një mundësi për dialog me qeverinë mbi reformat zgjedhore, mendoj se ata duhet ta ndjekin këtë mundësi.”

Palmer tha se “reformat zgjedhore janë të rëndësishme në Shqipëri jo si një mjet për të tejkaluar ngërçin aktual por sepse janë të rëndësishme për demokracinë shqiptare. OSBE-ja ka përcaktuar një sërë synimesh dhe objektivash për këtë proces reformash. Do të jetë e rëndësishme për aspiratat europiane të Shqipërisë, që reformat zgjedhore të përfundohen. Duke parë drejt qershorit, do t’i nxisja të gjitha partitë e opozitës që të hyjnë në arenën politike, të garojnë dhe të fitojnë zgjedhjet.”

I pyetur në lidhje me rëndësinë e ngritjes e funksionimit të institucioneve të reja dhe ecurinë e reformës në drejtësi, Palmer siguroi shqiptarët se “të gjithë zyrtarët publikë që janë përfshirë në praktika korruptive, që janë përfshirë në shkeljen e besimit që iu kanë dhënë qytetarët shqiptarë, të gjithë duhet të kenë frikë.”

Kaq mjafton për të kuptuar se SHBA që kanë qenë, janë dhe do të mbeten partneri ynë kryesor strategjik, ia kanë prerë këtë radhë biletën e udhëtimit opozitës sonë, “vetëm vajtje”. Në mënyrë që si PD, LSI dhe aleatët e tyre të bëhen sa më parë pjesë e lojës politike, nëpërmjet rifutjes brenda sistemit të institucioneve demokratike të vendit. Të marin pjesë në zgjedhjet dhe ti parashtrojnë të gjitha pretendimet e tyre me garancitë e duhura, nëpërmjet dialogut me mazhorancën e qeverisë “Rama”. Biletë për tu kthyer mbrapsht në këtë rrugë 30 vjeçare të Shqipërisë post komuniste, as nuk ka dhe as nuk ka për të patur.

Arritja e qëllimeve të opozitës, nuk do të vijë nga loja e strucit, nëpërmjet daljes nga sistemi i rregullave demokratike. Rruga më e sigurtë për realizimin e projektit europian të shqiptarëve me ndihmën e SHBA, kalon pashmangëshmërisht nga përballja e asaj pjese të korruptuar dhe të kriminalizuar të elitës së vendit, me drejtësinë e re. Të gjitha makinacionet e tjera, janë përpjekje të dështuara e të dëshpëruara, për ti ikur jo vetëm të vërtetës, por edhe të ardhmes. Avioni për në destinacion, niset më 30 qershor. Biletë për tu kthyer pas, siç e tregoi edhe vizita e Palmer në Tiranë, nuk ka!