.

Debati i munguar mbi Tiranën

ENNO BOZDO

Ndërsa disa ditë më parë Veliaj shpallte rikandidimin e tij në Tiranë, dy kulla të stërmëdha janë gati për t’u ngritur në zemër të saj. Njëra nga kullat do të ngrihet ngjitur me Hotel Tiranën dhe tjetra ngjitur me Kullën e Sahatit. Vetëm disa metra më tej ndodhet Teatri Kombëtar, për të cilin Veliaj gjithashtu konfirmoi se do të shembet për t’i lënë vendin

një kompleksi tjetër kullash të larta. Dhe kjo e fundit përfaqëson jo thjesht aferën më të rëndë korruptive të zhvatjes së pasurisë publike, por edhe simbolin e një pushteti arrogant si kurrë më parë! Veliaj konfirmon rikandidimin, ndërsa kullat mbijnë në qendër të Tiranës. Simbolikë më të goditur nuk mund të ketë! Mandati i parë i Veliajt si kryebashkiak shënon ritmin më të lartë ndonjëherë të lejeve të dhëna të ndërtimit në 30 vitet e fundit.

Ky ritëm është dy herë më i lartë se kur Rama drejtonte Tiranën. Ky mandat shënon në të njëjtën kohë edhe operacionin më të madh mediatik për të dezinformuar opinionin publik mbi atë çfarë po ndodh në Tiranë. Veliaj mashtroi me një nga premtimet e tij kryesore në fushatë, atë të mosdhënies së lejeve të ndërtimit në Tiranën tradicionale! Në 2015-n, Veliaj deklaronte se: “…Unë e kam thënë shpeshherë në dëgjesat e ndryshme me banorët e Tiranës, se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim.

Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve europiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë…” Vetëm në vitet 2016-2018, Veliaj ka dhënë 675 leje ndërtimi ose ndryshe rreth 1.7 milionë m2 sipërfaqe ndërtimi, pikërisht aty ku u zotua se nuk do të jepte asnjë leje të tillë. Gjithsesi “etja” për kullat nuk ndalet këtu.

Disa kulla janë tashmë në ndërtim e të tjera janë planifikuar për t’u ndërtuar. Ideja fikse e Ramës për t’iu kthyer planit të tij të vjetër urbanistik, kompleksi i tij për të lënë gjurmë në Tiranë si dhe dakordësia “vrastare” e Veliajt për transformimin e Tiranës po merr formë me shpejtësi. Betonizimi dita-ditës i Tiranës është një fakt, që nuk mund të fshihet, pasi ritmet e dhënies së lejeve të ndërtimit nga Veliaj nuk njohin cak. Veçanërisht në dy vitet e fundit, opinioni publik dhe media kanë qenë mjaft të ndjeshëm ndaj kësaj dukurie. Është denoncuar fakti që Tirana po betonizohet në mënyrë të parikuperueshme dhe se në këtë mënyrë qyteti po kthehet në i pajetueshëm.

Opinioni publik po ndërgjegjësohet dora-dorës se Tirana po tjetërsohet në një rrugë pa kthim, ku koncepti i planifikimit urban ka rënë plotësisht (vazhdimësia besnike e asaj që Rama bëri për 11 vite në krye të Bashkisë Tiranë). Paralelisht, edhe koncepti i “qytetit për qytetarët e tij”, pavarësisht propagandës së pareshtur të tipit “pylli orbital”, është zbatuar pikërisht në të kundërtën e tij. Por tutje betonizimit pa kthim që po i ndodh kryeqytetit, si një proces i cili ngadalë por i sigurt po e kthen Tiranën në të pajetueshme, mes të tjerave
do të veçoja dy çështje të tjera emergjente, shumë të rëndësishme, të cilat janë prekur pak apo aspak nga opozita, nga media, nga shoqëria civile apo opinioni qytetar në Tiranë.

Janë dy çështje thelbësore për një qytet të madh, i cili synon të kthehet në metropol, siç është rasti i Tiranës: menaxhimi i mbetjeve dhe menaxhimi i transportit (publik dhe privat), që të dyja të lidhura ngushtë me cilësinë e jetesës në kryeqytet. Për fat të keq, përsa i përket cilësisë se jetesës, në vitin 2018 Tirana renditet e 176-a nga 231 qytete në botë. Krahasuar me fqinjët rajonalë, jemi shteti me cilësinë më të ulët të jetesës. Ndërsa në Europë jemi të parafundit, duke lënë pas vetëm Minsk, Bjellorusi, i cili renditet i 188-i. Debati i parë i munguar ka lidhje me menaxhimin e mbetjeve. Nuk ka sot një metropol të madh europian apo aziatik që të mos ketë zgjidhur minimalisht për disa dekada në vijim çështjet e nxehta të menaxhimit të mbetjeve dhe të transportit. Sot debati ne Europë mbahet mbi praktikat më të mira të menaxhimit të mbetjeve, mbi riciklimin dhe zgjidhjet “e gjelbra” të këtij problemi. Po kështu, shumë i rëndësishëm është edhe zgjidhja për transportin, veçanërisht ai publik.

Në qytetet europiane po gjejnë zbatim strategji, të cilat synojnë përdorimin e mjeteve të gjelbra të transportit, duke filluar nga biçikletat e deri te makinat elektrike, nga rritja e rolit të transportit publik deri te subvencioni i plotë i biletës (Riga është kryeqyteti i parë europian që po e eksperimenton). Nuk mund të konceptohet Tirana-metropol pa një zgjidhje konkrete, ekologjike dhe afatgjatë të menaxhimit të mbetjeve te saj, si dhe pa një plan të mirëfilltë të transportit publik dhe privat.

Në Tiranë sot po ndodh e kundërta: zgjidhja e çështjes së mbetjeve nëpërmjet ngritjes së impiantit të incenerimit, kur norma e riciklimi është jo më shumë se 10%, është një zgjidhje thellësisht kundër direktivave europiane dhe praktikave më të mira të sektorit dhe jashtë strategjisë se integruar të BE-së dhe politikave të rekomanduara nga Komisioni Europian në menaxhimin e mbetjeve.

Ky opsion që Rama-Veliaj na ofrojnë, do t’i sjellë Tiranës katastrofë ekologjike. Po si na paraqitet gjendja sot? Venddepozitimit ekzistues të Sharrës i ka shteruar kapaciteti i tij dhe venddepozitim të ri nuk do të kemi për të paktën katër vitet në vijim. Jemi në kushtet e emergjencës, ndërsa verbëria dhe paaftësia e administratës së sotme të bashkisë për të zgjidhur problemin, është ulëritëse. Sot ajo që na propozohet pa asnjë transparencë, është inceneratori i madh në Tiranë, i cili do të djegë gjithçka, pa ricikluar asgjë.

Kjo sepse industria ricikluese është goditur rëndë nga politikat antimjedisore të Ramës dhe për rrjedhojë kapacitetet ricikluese në vend janë të pakta. Kjo zgjidhje përfaqëson në thelb një aferë korruptive të pastër, por kjo histori kërkon trajtim më vete! Tirana sot si qark prodhon rreth 490 mijë tonë mbetje në muaj. Disa hapa shumë premtues u hodhën nga administrata Basha, në bashkëpunim me FMN/IFC. Zgjidhja për 30 vite në vazhdim ishte e prekshme. Ajo do të mundësohej nga menaxhimi i mbetjeve nëpërmjet a) ngritjes së një venddepozitimi të ri në Tiranë; b) përmirësimit të venddepozitimit ekzistues nëpërmjet vendosjes së impiantit të filtrimit/pastrimit dhe kullimit të ujërave nëntokësore të Sharrës, dhe c) futjes nëntokë brenda një periudhe 2-vjeçare, brenda Unazës së Vogël të Tiranës, të të gjithë kazanëve të mbetjeve në kryeqytet.

Zgjidhja ofronte rritjen e normës së riciklimit në afro 40% brenda katër viteve të para. E gjithë skema ishte gati për të nisur funksionimin e saj që në vitin 2014, por u ndërpre politikisht dhe arbitrarisht nga Rama nëpërmjet ministrit të tij të Financave. Debati i dytë i munguar ka lidhje me transportin publik dhe privat në Tiranë. Transporti publik sot në Tiranë është në degradim përsa i përket cilësisë së shërbimit. Kjo edhe pse Veliaj rriti me 30% koston e biletës së udhëtimit, pavarësisht kundërshtisë së opozitës në Këshillin Bashkiak. Me bllokimin që iu bë sheshit “Skënderbej”, me zvogëlimin e gjerësisë së disa rrugëve kryesore, qarkullimi sot në Tiranë është bërë thuajse i pamundur.

Ndërhyrja kapricioze në qendër të Tiranës nëpërmjet rikonceptimit të sheshit “Skënderbej”, përveç estetikës së shëmtuar, ka sjellë ndotje maksimale të mjedisit dhe ngërç fatal të transportit (publik dhe privat) në Tiranë. Është një makth të mendosh të lëvizësh nga jugu në veri të qytetit, apo nga lindja në perëndim të tij dhe anasjelltas. Përfundimisht, ndërhyrja në sheshin “Skënderbej” ka përkeqësuar rëndë konceptin e transportit në kryeqytet dhe shanset janë që kjo ndërhyrje të jetë një pengese e pakapërcyeshme në të ardhmen për çdo strategji të mirëmenduar të sektorit. Korsitë e dedikuara të biçikletave janë shumë pak dhe në disa raste të keqmenduara.

Transporti është kaq i rrezikshëm saqë t’i japësh biçikletës në Tiranë kërkon aftësi xhongleri. Administrata Basha gjithashtu kishte bërë hapa përpara për një zgjidhje kompleksive të problemit: ngritjen e Terminalit Multimodal në Kashar, me konsulent BERZH-Ferrovie Italiane, ndërtimin e Tramit në linjën Kombinat-Kinostudio, me konsulent gjiganden franceze EGIS, si dhe zhvendosjen e stacionit të trenit pranë këtij terminali. Projekti i Tramit u prit me shumë mosbesim, pavarësisht se fizibiliteti ekonomik dhe ai financiar premtonin një projekt të shëndetshëm. Terminali Multimodal në fillim u sulmua, ndërsa vetëm pas 3 vitesh Veliaj vendosi ta rihapë garën, duke e kuptuar domosdoshmërinë e tij. Nga ana e opinionit publik dhe e analistëve, për fat të keq, problemi sot në Tiranë perceptohet vetëm shpërthimi shkatërrues i lejeve të ndërtimit.

Ndërkohë, Veliaj vazhdon të japë leje ndërtimi, pavarësisht denoncimit mediatik dhe opinionit qytetar gjithnjë e më shumë kundërshtues. Opozita e ka denoncuar këtë fenomen si “trysni të oligarkëve””, ndërsa reagimi i saj ka qenë përgjithësisht reaktiv dhe jo proaktiv. Për dy çështjet e tjera te sipërpërmendura, po kaq të rëndësishme, debati thjesht nuk ekziston. Për pasojë, reagimi qytetar dhe opozitar është pothuajse joekzistent. Ne si opozitë duhet të përpiqemi për t’i kthyer këto çështje në debat mirëfilli qytetar. Me ndershmëri na duhet të pohojmë se deri më sot nuk ia kemi arritur qëllimit.

Kjo edhe për vetë kushtet specifike dhe problemet madhore të sotme, të cilat kanë diktuar një axhendë shumë të ngjeshur opozitare me çështjet e dekriminalizimit, blerjes së votës dhe korrupsionit. Por duhet kuptuar se temat e “qytetit dhe për qytetin”, krahas temave të rëndësishme të ekonomisë, financës, punësimit, edukimit etj., në qoftë se artikulohen siç duhet, janë të afta ta rikthejnë PD në një forcë qytetare dhe emancipuese, siç edhe është në ADN e saj. Nuk është kurrë vonë për të diskutuar tema të tilla, por për këtë opozitës i nevojitet një strategji e mirëfilltë politike dhe qytetare.

Deri më sot ajo ka reaguar pas faktit të kryer, por tashmë duhet të nxisë debatin në qytet me të gjitha instrumentet dhe burimet njerëzore që ka në dispozicion. Duke e bërë këtë, do t’i bëjë shërbimin më të madh Tiranës dhe vetvetes. Rikthimi te politikat qytetare dhe hedhja e tezave të dobishme për qytetin janë shenja më e mirë e një opozite të aftë të administrojë sot Tiranën dhe nesër Shqipërinë.