.

Pse Amerika ia mori kërbaçin nga dora Europës

 

MENTOR NAZARKO

Janë dy lajmet, të cilat lidhen drejtpërdrejt me qëndrimin e frontit perëndimor ndaj Shqipërisë dhe rajonit. Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, figura kryesore që merret me vendet aspiruese ka deklaruar se do të rekomandojë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë në fund të 6-mujorit të parë.

Ndërkohë, është bërë e ditur se zv./ndihmësi i sekretarit të shtetit amerikan, Matthew Palmer do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të një turi rajonal.

Qasja rajonale është e përbashkëta e këtyre dy akteve.

Shqipëria konsiderohet se do të përfshihet në këtë proçes afrimi me Bashkimin Evropian, bashkë me Maqedoninë, pra jo si e fundit e rajonit- as Maqedonia vetëm dhe as Shqipëria vetëm. Nga ana tjetër edhe zv.ndihmës sekretari i shtetit do të vizitojë Shqipërinë në kuadër të një turi ballkanik që do të përfshijë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, apo edhe ndonjë vend tjetër. Në këtë kuptim, kemi një angazhim në sinkron mes diplomacisë amerikane dhe asaj evropiane, me gjithë diferencat që ekzistojnë midis tyre, për të ndërtuar apo ankoruar rajonin me vlerat euro-atlantike, dhe për ta shkëputur atë nga ndikimi i faktorëve të tretë si Rusia, Turqia, apo Kina.

Ndalojmë tek aktorët europianë:

Maqedonia, e cila është më përpara Shqipërisë, pasi e ka marrë ftesën për çeljen e negociatave për statusin e anëtarit që në vitin 2002, ka arritje ndërkombëtare më të rëndësishme, por edhe në planin e zhvillimit të brendshëm është më e pjekur se Shqipëria. Ky vend i vogël, njëjtë si Mali i Zi shërbeu si një lloj banko-prove për përplasjen midis Bashkimit Europian edhe Rusisë. Ky afrim dy vendësh mund të jetë një mesazh për të treguar që shqiptarët të cilët janë kombi më pro-perëndimor, nuk mund të lihen të fundit në integrimin e tyre evropian,(perjashtuar rastin e Kosovës, e cila me siguri do t’i bashkohet rajonit, në një moment të dytë si pjesë e një karrote e cila me gjasë do t’i jepet Kosovës, në përfundim të negociatave me Serbinë.

Nëpërmjet këtij akti, BE synon ndërkohë që t’i japë opozitës shqiptare një sinjal, sipas të cilit nuk shpërblehen veprimet e tipit bojkotues, destruktiv që në fakt rezonojnë edhe me zhvillimet e tjera si në Serbi, Mal të Zi, -një cikël protestash të njëkohshme, që infektohen reciprokisht. Ndërsa flitet për zhvillimet në Serbi, parashikohet pse jo, edhe bojkoti nga ana e opozitës serbe, e zgjedhjeve të parakohshme të shpallura nga presidenti Vuçiç, diçka që vjen nga Shqipëria si virus.

Në këtë kuptim, Bashkimi Evropian synon të tregojë se ndonëse vendet aplikante, Shqipëria posaçërisht është e përfshirë nga protesta relativisht të ashpra, këto protesta nuk do ta ndalojnë kursin e afrimit të këtyre shteteve, Shqipërisë në këtë rast. Unioni Europian, përkundrazi, e sheh këtë veprim edhe si ndonjë lloj ndëshkimi për këto politika kundërvënëse të opozitës. Aq e vërtetë është kjo, sa Komisioni Evropian pret që të verifikojë ato kushte që i janë vendosur Shqipërisë,si: Reforma Administrative, Refoma Zgjedhore, Reforma në Drejtësi, në Administratën Publike, lufta kundër korrupsionit, rezultatet positive të të cilave do të shërbenin si një bonus për të përmbyllur rekomandimin pozitiv të Shqipërisë, i cili sipas vendimit që u mor në Qershor të vitit 2018 mund të ketë këtë formë: nëqoftëse, komisionerët evropianë do të rekomandojnë çeljen e negociatave atëherë Këshilli Evropian nuk do të ndërhyjë, pra për ta shqyrtuar kandidaturën e Shqipërisë dhe Maqedonisë. Shqipëria çel automatikisht negociatat.

Veprimi amerikan

Ndërkohë, në rastin amerikan kemi disa elementë të tjerë të cilët përfaqësojnë gjithashtu një përbërëse të përbashkët me atë të Unionit Evropian, që janë: jo favorizim, jo stimulim, jo inkurajim, i veprimeve destruktive, destabilizuese të opozitave në vendet e rajonit më konkretisht në Shqipëri, për arsyet e përmendura më sipër, por edhe të tjera. Mbështetje dhe vijimësi me çdo kusht e reformave të nisura, qoftë dhe duke sakrifikuar opozitën.

Është krejtësisht e kuptueshme- ndonëse nuk është folur qartë- që aksioni amerikan përveçse ka dekurajuar publikisht sjelljen e opozitës, jopublikisht ka ndikuar që ky aksion mos të shkasë në akte të dhunshme, fuqimisht destabilizuese, Kjo është mundësuar nëpërmjet komunikimit privat personal të zyrtarëve të lartë amerikanë me krerët e opozitës, diçka është kuptuar tashmë.

Mirëpo, duket se kemi mbërritur në një fazë kur pritet që të bëhet ky rekomandim pro Bashkimit Evropian: SHBA-të kanë gjithë interesin e tyre që ta mbështesin këtë integrim euro-atlantik të Shqipërisë, Maqedonisë, apo gjithë rajonit në përgjithësi. Mu për këtë arsye, për ta pastruar pak terrenin, me gjasë pritet që misioni i Mattheë Palmerit, pasardhësi i Brian Hoyt Yee në rajon të ketë gjithashtu fokus krizën edhe një zgjidhje eventuale të saj.

A do të jetë një zgjidhje me platformën e cila do të bashkonte kërkesat e dy palëve apo do të jetë një zgjidhje tjetër kjo pritet për tu parë, por është krejtësisht e qartë që SHBA-të sot kanë armë shumë më të fuqishme ndikimi, ndaj opozitave, në rajon se sa një apo dy vite më pare.

Administrata e udhëhequr nga presidenti Trump, ka rifituar njëlloj besueshmërie ndërkombëtare dhe vendore pas vendimit të fundit të atij komisioni hetimor për ndikimin e mundshëm rus në zgjedhjet presidenciale. Kjo administratë ka zgjedhur gjithashtu edhe qasjen e kapërcimit, të konfrontimit me Bashkimin Evropian në veprimin e saj në Ballkan. Pra SHBA-të e kanë bërë të qartë posaçërisht në rastin e Kosovës se bisedimet Kosovë-Serbi nuk janë çështje ekskluzive të zonjës Mogherini, pra e BE-së, por interes strategjik të SHBA-ve. Afërmendsh që jashtë Kosovës, në lidhje me Kosovën, apo pavarësisht prej saj, qasja rajonale amerikane është akoma me justifikuar- ndalim i ndikimit të faktorëve të tretë. Ballkani, i parë nga SHBA-të është një hapësirë, një pikë gjeografike e vogël, pra për ta është e vetëkuptueshme qasja rajonale, i gjithë Ballkani duhet të hyjë si një i tërë në BE, të integrohet si i tillë në strukturat euroatlantike, në NATO përkatësisht (kur bëhet fjalë për Maqedoninë). Për këto arsye SHBA-të janë të investuar në vijimin e atyre reformave që këto protesta po mundohen të ndalojnë: Reformës në Drejtësi, atë Zgjedhore, apo reformave të tjera.

Matthew Palmer vjen me një kapital politik nga qendra, më i fuqishëm, jo si ai i Brian Hoyt Yee, cili ishte i një administrate në largim e sipër, si ajo e Obamës, dhe një tjetre në ardhje, diçka që krijonte pak iluzione tek opozita çadriane se ardhja e Trump-it mund ta ndryshonte balancën e forcave.

Matthew Palmer është dikush që e ka bërë të qartë se vendi i tij do ta kapërcejë BE-në sa i takon zgjidhjeve në Ballkan, apo në Shqipëri në rastin konkret. Në raport me zgjidhjet që u adaptuan në rastin e çadrës, nga Brian Hoyt Yee, kemi një risi të rëndësishme. Nëse dy vjet më parë në fillim e provoi David MacCallister, zëvendës i znj. Merkel në partinë e tij të Kristian Demokratëve, një figurë e rëndësishme edhe brenda europianëve, dhe pastaj u përfshi buldozeri Brian Hoyt Yee, tashmë me gjasë mund të kemi një përfshirje amerikane në vijë të parë.

Kjo është e shpjegueshme: do kemi amerikanët para se të kemi një përfshirje europiane, sepse tashmë kartat janë përmbysur, institucionet evropiane janë në fazë zgjedhore. Autoriteti i Hahn, Mogherinit, figurave të tjera që përfaqësojnë institucionet evropiane në vendet tona, është i kufizuar, madje mund të thuhet i rrënuar. Kështu që në këtë mënyrë, presim që amerikanët ta ‘marrin kërbaçin në dorë’.

Siç kuptohet, nga shenjat e brendshme sepse ambasadorët amerikanë lëvizin edhe nëpërmjet përfaqësuesve të tyre diplomatikë në rajon, duket që është zgjedhur linja e fortë. Rasti i znj. Hajdari e cila është, një individ politik me kontaktet e veta, që komunikon me diplomacinë amerikane, ka zgjedhur të thotë se ne jemi opozita reale, ndërsa ata që janë jashtë, PD, në fakt ‘de jure’ nuk janë opozitë parlamentare. Kemi një qëndrim cilësor të saj, i cili nuk ngjan se është një qëndrim personal, por i induktuar, i mbështetur prej diplomacisë ndërkombëtare.

Pra kemi një rritje të vendosmërisë apo edhe të presionit të Bashkësisë Perëndimore, nëpërmjet lojtarëve të saj vendorë, që të bëjë presion mbi opozitën se mund të ngelet jashtë zhvillimeve, siç janë zgjedhjet vendore apo parlamentare.

Sigurisht, deri tani opozita ka zgjedhur qasjen e strucit për tu dukur se nuk i shikon se cili është vërtet qëndrimi amerikan, por ardhja e Matthew Palmerit, mesazhet që ai do të sjellë, teknikat negociale të tij, do ta bëjnë të qartë përfundimisht se cili është qëndrimi amerikan.

Për tu kujtuar, Brian Hoyt Yee, sipas një mitologjie të përhapur në Shqipëri, ka përdorur shumë karta presioni ndaj politikanëve tanë. Mes të cilave, (përveç atyre që janë përdorur në miratimin 140 në 140 vota të Reformës në Drejtësi), ka përdorur edhe presionin personal mbi politikanët e nivelit të lartë duke lënë të kuptojë që Amerika, politika amerikane, përveç heqjes së vizave amerikane për ta, i di shumë mirë se ku janë pasuritë e tyre.

Ky ngjan se është një truk për të treguar që Amerika po përdor sipas një eufemizmi përdorur nga një politikan i rëndësishëm i opozitës për teknikat e përdorura nga Brian Hoyt Yee dy vjet më parë. “Ishin teknika negociale të parefuzueshme”– tha ai me sinqeritetin që rrallë e përdor. Duket se për arsyet e mësipërme, edhe Matthew Palmer do t’i përdorë ato.