.

… Një sinjal alarmi për “kapjen e shtetit”…

PROF.DR. KASTRIOT ISLAMI
Shqipëria është në krizë, morale, politike, sociale, institucionale, kushtetuese, demokracie. Qytetarët tejet të zemëruar janë prej disa kohësh në protestë, duke kërkuar largimin e Kryeministrit dhe shkatërrimin e kapjes që qeveria e tij i ka bërë shtetit. Opozita, pasi ka konsumuar të gjitha mjetet e mekanizmat institucionale dhe e gjendur përballë dhunës deri policore të qeverisë, në kushtet e mungesës së Gjykatës Kushtetuese e të Gjykatës së Lartë, ka kryer aktin e paprecedent të “djegies së mandateve”, duke dhënë sinjalin e alarmit për qytetarët dhe partnerët dhe është bashkuar në rrugë me qytetarët që kërkojnë orientim e drejtim. Maxhoranca, që ka kapur për fyti shtetin në çdo aspekt dhe po tenton të dalë nga ky qorrsokak me indiferencë, arrogancë, me përdorimin deri edhe të dhunës nga forcat e rendit për të shuar revoltën, por edhe duke tentuar të krijojë një opozitë të re në Parlament, që të jetë e pranueshme prej saj për të shitur tezën se situata është nën kontroll, se s’ka krizë, se gjithçka funksionon, përveç opozitës që tenton të krijojë një turbulencë në gotë për të prishur imazhin e vendit, për të penguar hapjen e negociatave me BE-në dhe nga frika e ndëshkimit prej sistemit të reformuar të drejtësisë. Ndërkombëtarët i kanë të qarta arsyet e zemërimit e të revoltave të qytetarëve të Ballkanit dhe ndonëse ndiejnë se besimi ndaj tyre ka rënë ndjeshëm, po përgatiten të veprojnë me mekanizmat adekuatë sapo të lirohen paksa nga shqetësimet e tyre të brendshme.

1. SHQIPËRI/KAPJA E SHTETIT NGA MAXHORANCA DHE DJEGIA E MANDATEVE NGA OPOZITA

Qeveria ‘Rama’ ka kapur totalisht shtetin; gjithçka tjetër është reagim ndaj qeverisjes autoritare, korruptive dhe të inkriminuar të Edi Ramës. Edhe “djegia e mandateve” është një nga veprimet e opozitës, ose më saktë një veprim in esktremis i opozitës, por i induktuar dhe i detyruar nga qeverisja e maxhorancës, ose më saktë, pasojë e kapjes totale të shtetit nga qeveria ‘Rama’. Thënë ndryshe, “djegia e mandateve”, një veprim i paimagjinueshëm dhe i papranueshëm për një vend sadopak demokratik, është një veprim i paprecedent, që ka ndodhur vetëm e vetëm se shteti është kapur në ekstrem për fyti nga qeveria ‘Rama’ në të gjitha aspektet. Ndoshta ky veprim mund të cilësohet edhe si sinjali i fundit i alarmit për qytetarët dhe partnerët për të ndërhyrë, sepse me mjete institucionale e politike dalja nga kjo situatë krize duket e pamundur dhe e pashpresë. Nëse s’shkatërrohet kjo kapje totale e shtetit, që ndodh pothuajse në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat gjenden formalisht në fazën e fundit të integrimit në BE, kriza do të mund të thellohet dhe situata në çdo aspekt do të përkeqësohet, sepse zemërimi qytetar ka arritur kulmin dhe është gati në shpërthim. Nënshtrimi i qytetarëve duket se s’mund të jetë zgjidhja. Edhe mundësia e vetme që iu kishte mbetur (emigrimi), pasi është përdorur apo nxitur masivisht nga qeveria, duket se s’është një zgjidhje realiste e efikase për shumë prej qytetarëve, të cilët realisht e shikojnë atë ende si zgjidhjen më të vështirë, por edhe më të mundshme për të dalë nga qorrsokaku ku gjenden.

2. A ËSHTË “DJEGIA E MANDATAVE” NJË PRECEDENT…?

Sigurisht që ky veprim përbën një precedent, madje të rrezikshëm, nëse do të analizohej në rrethanat e një vendi demokratik, qoftë edhe me demokraci me shumë probleme. Por ky veprim do të ndodhte dhe mund të cilësohej “një reagim normal”, që do të ndodhte atëherë dhe vetëm atëherë, apo më saktë sa herë do të përsëriteshin shkaqet apo rrethanat që e kanë shkaktuar atë më parë, pra si një veprim/sinjal i alarmit sa herë që sistemi demokratik gjendet i rrezikuar për t’u eliminuar. Në rastin konkret, shkaqet që e kanë detyruar opozitën të marrë vendimin e vështirë të “djegies së mandateve”, lidhen me kapjen ekstreme e totale të shtetit nga Rilindja, pra nga qeverisja e drejtuar nga Rama. Precedenti i një qeverisjeje të tillë, i përsëritur në një kohë tjetër apo në një vend tjetër, pra i një qeverisjeje të njëjtë apo të ngjashme më atë të sektit ‘Rama’, me shumë gjasa do të shkaktonte apo provokonte të njëjtin reagim apo shpërthim alarmi, ndoshta edhe më të fortë e në dukje edhe më radikal, në varësi të traditës së vendit, nivelit të represionit të ushtruar nga qeveria dhe aftësive e mundësive të brendshme të qytetarëve për të reaguar.

3. SI PO E TRAJTON RAMA DHE MANENIKËT E TIJ “DJEGIEN E MANDATEVE”…?

Rama dhe manekinët e tij përpiqen të mashtrojnë publikun, duke fshehur kokën si struci. Ata tinëzisht e cilësojnë veprimin e opozitës për djegien e opozitës si “precedent” që ka ndodhur jo për shkak të (mirë)qeverisjes së tyre, por si një rrufe në qiell të hapur, ndërkohë që, sipas tyre, demokracia shqiptare aktualisht është funksionale dhe qeverisja e tyre e suksesshme. Ata, pasi kanë vënë nën kontroll median, po tentojnë t’u mbushin mendjen qytetarëve se qeverisja e sektit ‘Rama’ është më e mira dhe se vendi nën drejtimin e Rilindjes ndodhet në kushtet e një demokracie funksionale, përpiqen të fajësojnë opozitën, median kundërshtare e qytetarët për këtë akt. Ndërkohë, ata po përpiqen njëkohësisht të frikësojnë edhe ndërkombëtarët me tezën se një precedent i tillë do të mund të shtrihej edhe në vendet e tjera të Ballkanit. Dhe se, sipas tyre, ky veprim i gabuar i opozitës shqiptare është marrë sepse opozita kërkon pushtetin në tavolinë meqë s’arrin të konkurrojë e fitojë. Dhe se lidershipi i opozitës ka frikë nga Reforma në Drejtësi, ndërkohë që sekti ‘Rama’ ka vënë nën kontroll edhe sistemin e reformuar të drejtësisë. Të gjitha këto teza spekulative lëshohen përmes medias së kapur për të maskuar kapjen totale e ekstremale të shtetit.

4. TRAJTIMI I “DJEGIES SË MANDATEVE” NGA NDËRKOMBËTARËT?

Duket se ndërkombëtarët s’kanë një qëndrim unik. Shumica kanë heshtur. Ndonjë prej partnerëve të rëndësishëm e ka trajtuar me realizëm krizën aktuale, duke shpjeguar se qeveria e korruptuar dhe e lidhur ngushtë me krimin dhe mungesa e Gjykatës Kushtetuese në rrethanat kur qeveria ‘Rama’ po kryen veprime antikushtetuese, pra, thënë ndryshe, kapja e shtetit nga qeveria ‘Rama’, e kanë detyruar opozitën të ndërmarrë vendimin e vështirë të “djegies së mandateve”. Ndërkohë, nga disa pak “ndërkombëtarë” të tjerë, po theksohet frika se “djegia e mandateve” mund të kthehet në një “precedent” që mund të shtrihet në vendet e tjera të Ballkanit e ndoshta edhe më gjerë. Nuk është hera e parë që disa prej tyre kanë preferuar të mbështesin qasjen “stabilitet versus demokraci”, tashmë të aplikuar për vendet me demokraci të brishtë e jofunksionale; por edhe për shkak të situatave të brendshme në vendet e tyre e mbi të gjitha të angazhimeve e shqetësimeve të vendeve të tyre në zgjedhjet e majit 2019 për Parlamentin Europian.

5. KAPJA TOTALE E SHTETIT, E MASKUAR ME PROPAGANDË PRODEMOKRATIKE E PROINTEGRUESE

“Djegia e mandateve” mund të klasifikohet me të drejtë nga shumë përfaqësues perëndimorë si një “precedent” për një vend demokratik, qoftë edhe për një vend demokratik me shumë probleme të funksionimit demokratik. Por në rastin e Shqipërisë, ku s’bëhet më fjalë për një vend demokratik, “djegia e mandateve” rezulton vetëm një veprim i detyruar e në rrethana in ekstremis, një sinjal alarmi për të ndërgjegjësuar e sensibilizuar shqiptarët e ndërkombëtarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë shqiptare nga “kapja totale e shtetit” por që është maskuar me propagandën e mashtrimet qeveritare, gjoja prodemokratike e prointegruese, ndërkohë që parimet demokratike dhunohen në ekstrem dhe reformat integruese janë veçse demagogjike.

6. NË VEND TË NJË PËRFUNDIMI…

Kapja e shtetit nga “strongmen”-ët e Ballkanit është një dukuri që njihet shumë mirë nga të gjithë kancelaritë në Bruksel dhe në të gjithë kryeqytetet e vendeve të BE-së. Ish-drejtori i Komisionit Europian, Reinhard Pribe, tashmë në pension, por i angazhuar kohët e fundit nga Komisioni Europian, duke përshkruar situatën në Maqedoni ka arritur në përfundimin se “kapja e shtetit është një dukuri që është prezente në të gjithë vendet e BP; dhe kjo dukuri njihet shumë mirë nga lidershipi i vendeve të BE” (https://europeanwesternbalkans.com/ 2019/02/08/priebe-report-state-capture-western-balkans/). Sipas tij, ekziston edhe “modeli i zgjidhjes për këtë situatë, një variant i të cilit u përdor me sukses në Maqedoninë Veriore”. Por për momentin, udhëheqësia europiane “është e angazhuar me problemet e saj të brendshme dhe zgjedhjet e ardhshme europiane të majit 2019”. Precedenti i “djegies së mandateve”, ndonëse i kritikueshëm dhe i pambështetur nga ndërkombëtarët, duhet kuptuar e trajtuar si pasojë e “kapjes së shtetit” nga qeveria ‘Rama’, ose thënë ndryshe, në rrethanat e pamundësisë së kryerjes së funksionit opozitar brenda institucioneve të kapura të shtetit dhe të mbylljes së plotë të gjithë hapësirave për opozitën e qytetarët kur për to është bërë i pamundur edhe veprimi qytetar në kushtet e kapjes për fyti të shtetit nga korrupsioni qeveritar dhe lidhjet e fuqishme të qeverisë me krimin e trafiqet, e kontrollit nga qeveria të gjithçkaje, të institucioneve kushtetuese, të biznesit, medias, shoqërisë civile, zgjedhjeve dhe së fundmi edhe të sistemit të drejtësisë. Ky veprim in ekstremis duhet kuptuar edhe si një sinjal i fundit i një demokracie të rrezikuar, që po fundoset nga kapja për fyti e shtetit, ndërkohë që, nga njëra anë, ushtron dhunë policore e hedh helme neuroparalizuese mbi qytetarët e revoltuar dhe, nga ana tjetër, tenton të maskojë veprimet e saj me propagandë e mashtrime, gjoja properëndimore e prointegruese, që askush në vend s’i beson më dhe për të cilat edhe ndërkombëtarët kanë filluar të ndërgjegjësohen për arsyet e thella të shpërthimit të revoltave qytetare e të veprimeve të opozitës.