.

Ngec në vetting, shkarkohet drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes.Ja kriteri që nuk përmbushte

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Lushnjes, Çlirim Shahini.

Në seancën dëgjimore drejtuesi i Prokurorisë së Lushnjes nuk ka justifikuar pasurinë që zotëronte, kështu që KPK pas shqyrtimit të seancës dhe dokumentacionit përkatës mori vendimin për të shkarkuar nga detyra Shahinin.

Trupa gjykuese e KPK-së përbëhej nga Brunilda Bekteshi si kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Suela Zhegu anëtare, ndërsa seanca u ndoq nga vëzhguesi ndërkombëtar Branko Hrvatin.

Pine pohoi se sipas raportit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, të dorëzuar në KPK, prokurori Çlirim Shahini kishte kryer deklarim të saktë, nuk kishte kryer fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit.

Përpos kësaj KPK ndërmori një hetim të pavarur lidhur me deklarimin e pasurisë së Shahinit ku evidentohej edhe shkelja, ç’ka solli dhe sharkimin e tij nga detyra.

Njoftimi i plotë i KPK:

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 21.03.2019 për subjektin e rivlerësimit, z. Çlirim Shahini, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 26.03.2019 vendosi:

Shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, Çlirim Shahini, drejtues i Prokurorisë së Rrethit Lushnjë.

Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues e kryesuar nga znj. Brunilda Bekteshi, znj. Xhensila Pine relatore, znj. Suela Zhegu anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve .

Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.