.

Ndryshim në Kodin Penal për dhunën ndaj mjekëve, Rama:Kush kapërcen vijat, hyn në burg

Kryeministri Rama ka kërkuar ndryshimin e Kodit Penal për ndëshkime shembullorë të kujtdo që cënon fizikisht bluzat e bardha.

I pranishëm në një takim me mjekë e drejtues shërbimesh, duke u ndalur tek dhuna ndaj mjekëve, Rama deklaroi se kjo është e patolerueshme dhe se për këtë do të parashikohen ndryshime në Kodin Penal.
Rama u shpreh se askush nuk mund ta justifikojë cënimin e sigurisë fizike, ndërsa shtoi se deri më tani mungesa e ndëshkimit nga ata që kanë ushtruar dhunë ndaj mjekëve ka ardhur për shkak të mosfunksionimit të gjykatave, për të cilat tha se janë të korruptuara.

“Akush nuk mund të thotë se nuk ka pasur ndryshime nga dje në sot. Kush nuk e sheh ndryshimin, ka nevojë për një kontroll te okulisti. E nëse te okulisti del në rregull nga sytë ka nevojë për psikolog, kjo është mëse e qartë, që ti dalë psikoza e negativitetit dhe e së keqes së hapur si vaj në lakra kanal më kanal e portal më portal.

Por askush nuk mund të justifikojë cënimet e sigurisë fizike. Nuk mundet që cënimi i sigurisë fizike të kthehet në një sport. Godit mjek për shkak të detyrë, godit policin për shkak të detyrës, godit godit godit… duke vënë në pikëpyetje një nga gurët e themelit të këtij sistemit, për të vendosur kufi mes lirisë së njërit dhe lirisë së tjetrit. Goditja për shkak të detyrës dënohet nga Kodi Penal.

Por fitojnë gjithmonë ata që duhet të ndëshkohen në fakt dhe humbasin ata që meritojnë drejtësi, për shkak të gjykatave që janë ende pengje të korrupsionit. Do bëjmë ndryshime në Kodin Penal. Ministria e Drejtësisë është duke udhëhequr këtë proces dhe goditja për shkak të detyrës do të hyje në një fazë të re pamundësie për të thënë jo po i ra, jo po nuk i ra, jo po ishte pa mendje. Po bëjmë gati ndërhyrjen për mos kapërcimin e vijave. Kush i kapërcen hy në burg. Përcaktimi i kufijve është një domosdoshmëri. Nuk mund të kemi spitale që ngjajnë me stacione treni në filmat “Western”.

I kam parë të katër rastet e agresionit, i kam lexuar me detaje përshkrimet e skenave cfarë ishte duke bërë mjeku, cfarë i tha mjeku agresorit dhe ca përgjigje mori duke përfunduar në spital. Kjo është barbari, që frymëzohet në një atmosferë ku dhuna duket si opsion demokratik, duke u komentuar dhe predikuar nga lloj lloj kadrish që shfaqen si opinionistë, analistë. Sot është momenti që t’i japim përgjigje këtij fenomeni në dy plane.”, tha Rama.