.

Zgjedhjet vendore/ Rama kërkon sondazh me votuesit për kandidatët në disa bashki. Kush nuk janë konfirmuar ende

 


Partia Socialiste, tre muaj para datës në fuqi të zgjedhjeve vendore, 30 qershorit, vijon seleksionimin e kandidaturave për kryetarë bashkish.

Mësohet se ka qenë insistimi i kryetarit të PS-së, Edi Rama, që për disa bashki të zhvillojë sondazhe në terren me qytetarët për të gjetur kandidaturën më të pranuar dhe votuar në komunitet. Për të shmangur debatet e brendshme në përzgjedhjen e kandidatëve, aty ku ka disa propozime, socialistët po zhvillojnë sondazhe në komunitet për të marrë edhe mendimin e votuesve për kandidatin më të mirë.

I zhgënjyer nga ndonjë rast kur deputetët kanë dhënë garanci të plota për fitoren e kandidatëve dhe në fund nuk kanë rezultuar fitues, kreu i Partisë Socialiste ka kërkuar që garancinë për kandidatin ta japin vetë votuesit në një testim parazgjedhor. Në këtë mënyrë, kampione po merren në të gjitha zonat, bashkinë, por dhe ish-komunat që tashmë janë pjesë e bashkisë së madhe për të gjetur kandidatin e duhur.

Duket se dhe numri i madh i mandateve të ndonjë kryetari nuk do të jetë pengesë për rikandidim, nëse ai vijon të ketë mbështetjen në komunitet që do të garantonte fitoren e PSsë në atë bashki. Pasi kaloi provën e interpretimit në KQZ, se kur nis numërimi i mandateve për kryetarët e bashkive që kanë më shumë se tre mandate, kërkohet vetëm mbështetja në bashkitë respektive që ata të rikandidojnë.

SONDAZHET

Sondazhe po bëhen për kandidatët e bashkisë Gjirokastër, ku në garë janë deputeti Flamur Golemi, Artemisa Dralo, aktualisht zv/ ministre e Jashtme, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2017 ka qenë edhe kandidate për deputete në Qarkun e Gjirokastrës. Një tjetër emër është Armand Hila, aktualisht kryetar i Këshillit në Gjirokastër.

Po ashtu, sondazhe po zhvillohen dhe në Sarandë, ku kandidatë janë Alket Qendro, Florjana Koka, Adrian Gurma, nënprefekt i Vlorës. Po ashtu dhe për kandidatin për Bashkinë e Dibrës po zhvillohen sondazhe ku përfliten disa emra. Ndërkohë, mësohet se kandidatët për Bashkinë e Durrësit, Shkodrës dhe Vlorës mbeten në gjykimin e kryesisë së PS-së, e cila po zhvillon disa konsulta me personalitetet lokale për të konfirmuar emrat më me reputacion në bashki, që do t’i garantojnë fitoren e sigurt Partisë Socialiste. Në Kongresin e së shtunës të Partisë Socialiste u konfirmuan kandidatët për 7 bashki.

Për Bashkinë e Tiranës do të rikandidojë Erion Veliaj, për Lezhën Pjerin Ndreu, i cili pritet të lërë mandatin e deputetit për t’iu përkushtuar fushatës për zgjedhjet vendore. Ndreu mbajti edhe një fjalë në Konferencë, ku akuzoi kryetarin aktual të Bashkisë Lezhë dhe nënvizoi se tanimë edhe Bashkia e Lezhës duhet të drejtohet nga PS. “Nëse doni ta ktheni rërën në pemëtore, ejani në Lezhë, në Bashkinë që nuk duam. Ne të PS-së nuk e drejtojmë Lezhën prej tri mandatesh. 30 qershori duhet të jetë pikënisja e ndryshimit të Lezhës. Ne jemi njerëz të punës”, u shpreh Ndreu.

Në Elbasan do të ketë një ndryshim nga PS, pasi këtë herë si kandidat do të jetë Gledian Llatja, i cili aktualisht mban detyrën e Prefektit të Elbasanit. Llatja, në fjalën e tij në Kongres, premtoi se në Elbasan do të vijojnë investimet e bëra gjatë qeverisjes nga PS.

“Nisim një rrugëtim për zgjedhjet e 30 qershorit. Sot, në Elbasan janë investuar 7.1 miliardë lekë. Është ky qytet që do ecë para për Bashkinë që duam, për Bashkinë europiane. Sot, në Elbasan kemi 4-fishim të studentëve. Sot kërkojmë mbështetjen e çdo qytetari për të vijuar rrugën tonë, për bashkinë që duam, për Shqipërinë europiane. Pas këtij Kongresi do dalim derë me derë për fitoren në zgjedhje”, u shpreh Llatja.

Në Bashkinë e Fierit do të rikandidojë Armando Subashi, i cili do të kërkojë mandatin e dytë. Subashi, në vitin 2015, ndërpreu mandatin e deputetit për të fituar më pas Bashkinë e Fierit. Në fjalën e tij në Kongres, Subashi tha se në këto katër vite nën drejtimin e tij, Bashkia e Fierit ka pësuar ndryshime rrënjësore. “Fieri ka pësuar progres përgjatë këtij mandati. Qendra e qytetit po pëson një ndryshim rrënjësor. Para tri vite e gjysmë, askush nuk e mendonte se do të arrinim kaq shumë ndryshime”, u shpreh Subashi.

Po një tjetër konfirmim për mandat të dytë do të jetë edhe për Majlinda Bufin, e cila prej katër vitesh drejton Bashkinë e Roskovecit. Edhe Sotiraq Filo në Korçë dhe Dritan Leli në Vlorë kanë marrë besimin e socialistëve për të rikandiduar për një mandat të dytë.

KANDIDATET E KONFIRMUAR
Tiranë ERION VELIAJ
Korçë SOTIRAQ FILO
Pogradec ILIR XHAKOLLI
Fier ARMANDO SUBASHI
Vlorë DRITAN LELI
Elbasan GLEDIAN LLATJA
Kukës SAFET GJICI
Berat ERVIN DEMO
Lezhë PJERIN NDREU
Prrenjas NURI BELBA
Belsh ARIF TAFANI
Kamëz RAKIP SULI
Librazhd KASTRIOT GURRA
Tepelenë TËRMET PEÇI
Tropojë REXHË BYBERI
Mirditë NDREC DEDAJ
Kavajë ARBEN RUGIA
Kuçovë SYBI SHEHU
Himarë JORGO GORO
Divjakë FREDI KOKONESHI/panorama