.

“E Shtuna socialiste”, si provokim ndaj demokracisë


Ervis Iljazaj

I ashtuquajturi Kongres i Partisë Socialiste të së Shtunës, nuk ishte as më pak dhe as më shumë se një kërcënim dhe një provokim ndaj lirisë. Për nga mënyra se si u zhvillua, për nga mesazhet dhe nga diskutimet, nuk ka asgjë të ekzagjeruar nëse themi se organizimi, aksioni dhe marshimi, përparon ndaj individit dhe lirisë, si një forcë që e mbyt këtë të fundit.

Gjatë së Shtunës Socialiste kishte disa elemente, të cilat nëse i analizojmë me kujdes dhe në bllok, tregojnë qartë shenja dhe tentativa të cilat duhet të na bëjnë të shqetësohemi për lirinë politike dhe individuale të gjithsecilit.

Së pari, nga Kongresi i Partisë Socialiste dhe lideri i saj pritej ndër të tjera, edhe një mesazh, apo një gjuhë reflektimi për situatën politike që po kalon vendi. Pritej pra, që mesazhi i dalë prej saj të shkonte drejt opozitës, e cila prej shumë kohësh ka lënë mandatet dhe u është drejtuar protestave konstante. Shqetësimet e saj, jo vetëm që nuk u adresuan, ose më së paku të kishte një tentativë afrimi midis palëve, gjë të cilën një mazhorancë dhe një kryeministër e ka për detyrë, por, përkundrazi, gjuha ndaj saj ishte agresive, me sulme mbi brez dhe nën brez.

Së dyti, mënyra e organizimit të mitingut socialist, që për shumë ndoshta kaloi pa u vënë re, ishte totalisht një mënyrë autoritare. Që nga detyrimi i pjesëmarrjes, e cila u propagandua nga kryetari i bashkisë si një lloj ftese për qytetarët dhe familjarët e tyre, por që në të vërtetë ishte padyshim një lloj obligimi për të gjithë ata që kanë një vend pune në administratë. Po ashtu, skenografia e mitingut. Një skenografi simetrike, me karrige të rreshtuara sipas një skeme vetëm për të bërë një fotografi me dron, e cila u bë simboli i takimit. Mirëpo, ajo pamje ishte e frikshme. Sepse, është karakteristikë e mitingjeve autoritare. Ka një shkencë, të gjithë nga mbrapa për arkitekturën dhe organizimin e turmave, dhe kjo e së Shtunës Socialiste dukej e mirëmenduar në çdo detaj. Mendimi i parë që të vjen në mend kur shikon atë foto nga larg, është unifikimi i shoqërisë dhe qytetarëve si një trup i vetëm dhe i pandarë. Pra, një lloj unifikimi i shoqërisë, e cila ndodh vetëm në regjime totalitare.

Së treti, lavdet e diskutuesve drejt liderit të tyre ishin të pareshtura. Edhe këtu ka një kult ndaj liderit dhe personalizimit të politikës. Shumë nga fjalimet e folësve, ose fillonin ose mbaronin “me në krye Edi Ramën”.

Së katërti, dhe pa diskutim elementi i turpshëm, ishte rezoluta e Partisë Socialiste për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët, a thua se jemi në një sistem monopartiak. Një forcë politike ka për detyrë të qeverisë të gjithë shqiptarët, dhe jo t’i përfaqësojë të gjithë ata. Sepse, pluralizmi i përfaqësimit është kusht jetik i një sistemi demokratik. Në fakt, padurimi për ta bërë Partinë Socialiste përfaqësues të vetëm të shqiptarëve, është një shenjë e patologjisë së pushtetit, që në shumë elemente u shfaqën gjatë atij takimi.

Së pesti, Kongresi i së Shtunës nuk ishte aspak i tillë, por ishte një antimiting ndaj opozitës. U duk qartë përpjekja e shumë ditëve për të organizuar një miting ku të demonstrohej forca. Por kundër kujt ka nevojë të tregojë forcën një parti që është në pushtet? Kjo është metodë tipike për të mbytur çdo garë politike, e cila është kushti thelbësor për një demokraci. Të kuptohemi, në një regjim demokratik, opozita si institucion është më e rëndësishme sesa çdo qeveri e momentit. Ndërsa ajo që u tregua nga organizimi i këtij mitingu, ishte pikërisht e kundërta, pushteti është më i rëndësishëm sesa opozita.

Për të gjitha këto arsye, e Shtuna e Socialistëve ishte një ngjarje për t’u harruar dhe që dëmtoi rëndë parimet thelbësore të lirisë, garës demokratike dhe parimeve që e mbajnë atë në këmbë. Mbas kaq shumë komunikimi duhet të shqetësohemi. Dhe kohët e fundit, overdoza në komunikim po bëhet gjithmonë e më shumë tipar i kësaj qeverie, qendrore dhe sidomos asaj lokale. /Gazeta Liberale