.

I “përzgjedhuri” i De Biazit, ja si pritet të luajë Kombëtarja me Bulkun trajner

Pas 56 ndeshjesh dhe 1 goli të shënuar me fanellën kuqezi, ja ku vjen shansi i artë në karrierë. Ervin Bulku do të jetë trajneri i Kombëtares shqiptare për ndeshjen me Andorrën dhe krahu i tij i djathtë do të jetë Sulejman Mema. Lajmin e bëri të ditur Federata Shqiptare e Futbollit, në njoftimin që lajmëroi shkëputjen e bashkëpunimit me trajnerin Kristian Panuçi.

“Ekipi kombëtar në ndeshjen e dytë zyrtare eliminatore kundër Andorrës në transfertë do të drejtohet nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, si edhe pjesa tjetër e stafit aktual”, shkruhej në njoftimin e federatës. Një rast unik dhe një shans i artë që nuk të vjen shpesh në jetë, prandaj dyshja Bulku-Mema kanë mundësinë që të rikthejnë qetësinë në kampin kuqezi pas këtyre momenteve të vështira që kaluan me ish-trajnerin Panuçi.

I zgjedhuri i De BiazitErvin Bulku është pjesë e Kombëtares shqiptare si ndihmëstrajner prej disa vitesh. Ishte pikërisht ish-trajneri Xhani De Biazi, që vendosi ta zgjidhte si krahun e tij të djathtë dhe t’i jepte një rol të rëndësishëm brenda dhomave të zhveshjes. Në momentin kur Bulku la futbollin e luajtur, italiani i bëri një vend në stafin e tij. Ai mbeti aty pavarësisht se erdhi Panuçi dhe përveç punës në grumbullimet përpara ndeshjeve, kujdesej më shumë për të raportuar elementët cilësorë nga kampionati shqiptar.
Eksperienca e akumuluar ndër vite, sigurisht që i ka shërbyer për të bërë një ndeshje të mirë dhe një debutim ëndrrash në aspektin personal. Në protokollin zyrtar të ndeshjes do të shkruhet emri i tij si trajner i Kombëtares shqiptare. Kjo është ndeshja e tij e parë në karrierë si trajner.
Të drejtosh ekipin Kombëtar është diçka historike, sigurisht që Bulku e ka merituar prej impenjimit që ka pasur sa herë ka mbajtur veshur këtë fanellë. Përkrah ish-mesfushorit do të jetë një “veteran” i këtij sporti. Sulejman Mema, prej vitesh trajner i suksesshëm në futbollin shqiptar dhe në kombëtaret e moshave, do të ndihmojë kuqezinjtë me eksperiencën dhe “dinakërinë” që të mëson ky profesion ndër vite. Aktualisht, ai është specialist i ekipeve kombëtare pranë FSHF-së.

SI MUND TË LUAJMË

Gjatë këtyre orëve, sigurisht që po mendojnë si do ta zbresin në fushën e lojës Shqipërinë, e cila patjetër duhet të fitojë në transfertën me Andorrën. Rezultat, që mund të na mbajë në garë për një vend në Europian. Duke parë lodhjen që disa futbollistë patën me Turqinë, sigurisht që do të ketë ndryshime. Rrokada mund të ndodhë në sulm, ku Sadiku pritet titullar dhe përkrah tij të rreshtohen nga minuta e parë Grezda dhe Uzuni.

Në mesfushë mund të ketë një vend për Bashën ose Kaçen, që do të sillnin më shumë teknikë për të nxjerrë topin nga mbrojtja, duke u sakrifikuar njëri me “muskuj”, si Abrashi ose Xhaka. Bulku dhe Mema nuk mund të bëjnë të njëjtin gabim si Panuçi për të luajtur me Memushajn në krah, ndërsa në mbrojtje mund t’i japin besim Alijit që nga minuta e parë. Pjesa tjetër pritet pak a shumë e njëjta, por nuk përjashtohen surprizat.