.

Fenomeni që po shqetëson Balkanin: Të gjithë në krizë për fuqi punëtore.Ja shkaku

Vendet e Ballkanit po përballen me mungesë të fuqisë punëtore si rrjedhojë e emigracionit dhe plakjes së popullsisë. Kroacia po kërkon punonjës nga fqinjët, Serbia po mendon për një zgjidhje afatgjatë, ndërsa politika shqiptare nuk duket se po e merr seriozisht këtë fenomen…

Rënia e lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë, emigrimi, janë disa nga faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e mungesës së fuqisë punëtore në vend, një tjetër prej problemeve më të rëndësishme të një numri të madh shtetesh në Europën Lindore dhe Ballkanin. Artikujt në mediat e Ballkanit nuk mungojnë për këtë fenomen që sa po vjen e po bëhet më shqetësues dhe rrezikon rënien e produktivitetit dhe uljen e konkurrueshmërisë së një vendi, ndërsa mund të thellojë deficitin në skemën e financimit të pensioneve.
Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem madhor për të gjithë sektorët në Shqipëri, ka raportuar më herët Monitor. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira. Industria fason, bujqësia dhe turizmi kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë. Pagat e ulëta dhe emigracioni i lartë janë shkaqet kryesore, teksa bizneset kanë mbetur pa zgjidhje. Në dekadën në vijim, INSTAT parashikon se popullsia në moshë pune do të bjerë me ritme më të larta se popullsia e përgjithshme.

INSTAT në një studim të posaçëm për projeksionet e popullsisë deri më 2030 parashikon se popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana dhe Durrësi).

Përveç emigracionit, numri i ulët i lindjeve po shton presionin mbi perspektivën e tregut të punës. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e tretë 2018, pasqyron një rënie me 35,4%, në krahasim me tremujorin e tretë 2017, raportoi INSTAT, ndërsa numri i lindjeve ka shënuar rënie në të gjitha qarqet e vendit, përveç Tiranës./Monitor