.

Pyetje të çuditshme mbi historinë dhe konfliktin e sotëm politik

ARTAN FUGA
Pa kuptuar misteret e historisë së shkuar, nuk kuptojmë dot se çfarë po ndodh sot! Ka muaj që jeta sociale dhe jeta e përditshme e njerëzve është shqetësuar dhe çrregulluar nga tensionet politike në vend. Sigurisht, për të kuptuar se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe me shqiptarët, çka nuk është e lehtë të kuptohet, përtej thjeshtëzimeve politike të të dy krahëve, duhet analizuar e sotmja. E kaluara, shkaqet që vijnë nga historia, nuk mund të ndikojnë, veçse nëpërmjet faktorëve të tanishëm. Nuk do të shkojmë tej tek ilirët, tek etruskët, tek australopiteku, te majmuni, për të shpjeguar ngjarjet që ndodhin në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë, para Kryeministrisë apo në sheshin e qytetit të Fierit apo të Vlorës.

E sotmja duhet shpjeguar me të sotmen.

Por ngjarjet e sotme gjithsesi, nga ana tjetër, vijnë nga një e kaluar dhe nuk lindin nga asgjëja.

Prandaj, na duhet të njohim mirë historinë. Jo sikurse e bëjnë ca historianë që e shohin atë bardh e zi, që e reduktojnë në disa skema të ngurta metodologjike, që e kthejnë në shërbëtore të pikëpamjeve të tyre ideologjike, duke injoruar e fshehur fakte.

E mbi të gjitha, historia e Shqipërisë, pas Luftës të Dytë Botërore, e cila është në një gjendje për faqe të zezë nga amatorizmi, nga politizimi, nga spekulimet, sikurse ka qenë dikur e trajtuar për turp si një gënjeshtër e madhe nga historianët e ndodhur nën diktaturë.

Pa njohur si duhet të kaluarën, e sotmja na fshihet! Na mbetet një moskuptim i madh.

Për shembull, a kishte grupime lidhjesh të gjithëfarësojta dikur në lidershipin e diktaturës apo vetëm shefi i saj drejtonte me dorë të hekurt pa u lënë të tjerëve të organizoheshin pa bërë zë, në grupime klanike midis tyre?

Historiani ideologjik as nuk e çon në mendje këtë gjë, por po qe se shihet me kujdes e kaluara, dallohen që në majën e udhëheqjes politike pas Luftës të Dytë botërore ka pasur grupime rivale mes tyre, që kanë qenë gati t’i hanë kokën njeri-tjetrit dhe kanë qëruar jo pak herë hesapet me njeri-tjetrin.

Edhe në vitet ‘80, mahisen konflikte të brendshme midis grupimeve të Hysniut, Ramizit, Mehmetit, Nexhmijes etj., që sigurisht kanë jo vetëm influenca lokale të ndryshme, jo vetëm kanë kuptime konfliktuale për politikën, por edhe kanë hallin se kush do ta marrë pushtetin pas vdekjes të Enver Hoxhës.

Pas secilit nga këta liderë organizohej një grupim i tërë strukturash, familjesh, hierarkish, të cilët kanë vazhdimësinë dhe kujtesën e tyre edhe sot. Nuk dihet nëse i ruajnë apo jo ende inatet midis tyre, rivalitetet e vjetra, por pyetja mbetet: Në konfliktet e sotme politike, a kanë gjurmë dhe influencë sherret e klaneve kryesore politike të viteve ‘80?

Ju duket e çuditshme pyetja? Aq më mirë.

Sepse, pas tyre angazhoheshin edhe kultura politike lokale që shprehnin jo vetëm vija ndarëse më të mëdha, por edhe që vinin nga historia e largët dhe e afërt. Kishte ndarje influencash politike krahinore.

A kishin individët dhe grupet konfliktuale brenda sistemit totalitar ndarje ku mund të dallohej zona jugperëndimore e vendit nga ajo verilindore, zona e jugut nga zona e veriut dhe a vazhdojnë këto ndarje të luajnë rol në konfliktet e sotme?

Lebërit, skraparllinjtë, bregdetasit, tiranasit, shkodranët, korçarët, etj., ishin vetëm konotacione kulturore gjeografike apo ishin edhe disa vija ndarëse në kulturat politike të të njëjtit vend dhe të të njëjtit sistem politik totalitar?

A kishte një dominim të jugut mbi veriun, të myslimanëve dhe ortodoksëve mbi katolikët, a kishte një sundim politik të të ardhurve ndaj autoktonëve tiranas, durrsakë, korçarë e kështu me radhë?

Pyetja duket e çuditshme? Aq më mirë. Kjo është shkenca, kur nisin pyetjet e çuditshme për t’u dhënë përgjigje!

Dhe a kishte ndarje konfliktuale politike midis lidershipit komunist brenda një shoqërie ateiste midis myslimanëve, bektashinjve, ortodoksëve dhe katolikëve komunistë ose antikomunistë? Historiani i ideologjizuar do të çirret duke thënë: Çfarë janë këto?Pyetja duket e çuditshme? Aq më mirë.

Unë jam gati të provoj përpara çdo Gjykate Ushtarake dhe drejtuesve të Akademisë të Shkencave që flenë prej 30 vjetësh mbi dogma ideologjike dhe kanë bllokuar mendimin e gjallë kombëtar se pyetja është krejtësisht e bazuar!

Ja pra ku vijmë që brenda të njëjtit identitet kombëtar, ka vend të pyetet nëse i kemi tejkaluar apo vazhdojmë t’i ruajmë vijat ndarëse me impakt të fortë në politikën e sotme midis myslimanëve, bektashinjve, ortodoksëve apo katolikëve, i kemi tejkaluar në planin politik vijat ndarëse mes korçarëve, shkodranëve, skraparllinjve, lebërve, bregdetasve etj., apo vazhdojmë t’i ruajmë nën dhé?

I kemi tejkaluar vijat ndarëse politike midis klaneve komuniste të viteve ‘80 apo vazhdojmë që të pësojmë goditjen shkatërruese të influencave të aleancave dhe konflikteve të tyre të atëhershme?

Me një fjalë, a e ka kryer Rilindja e shekullit të 19 unitetin kombëtar në planin politik apo sado që ajo arriti rezultate të mëdha dhe të pashoqe, tani provohet se përtej një uniciteti totalitar, në liri, ne vazhdojmë të kemi probleme substrukturore identitare në linjat e përmendura?

Ju duken të tepërta këto pyetje që Akademia jonë e Shkencave as i ka bërë kurrë, se nuk ka as këllqet dhe as guximin t’i shtrojë?

Aq më mirë. Shkenca nuk mund të avancojë pa pyetje të çuditshme.

Përndryshe, vazhdojmë avazin e Qemos!

Dhe për ata më ideologjikët, një ftesë për të lexuar veprat e historianit Fernand Braudel, autoritet në historinë e Mesdheut, ku veç të tjerash do të gjejë edhe konfliktin mes malësorëve që luftojnë për pushtet dhe fushorëve që konkurrojnë për të mira ekonomike.