.

Shqiptarët popullojnë Zvicrën, hapet tjetër dritë jeshile për ta

Zvicra ka qenë një ndër destinacionet kryesore të shqiptarëve të Kosovës, të cilët pasi u larguan nga vendi vijuan jetën e tyre duke punuar në qytete të ndryshme të këtij shteti. Nga ana tjetër, Senati Zviceran ka miratuar marrëveshjen për pensionet e kosovarëve, nismë kjo që do të shpërblejë mundin për shumë shqiptarë që kanë punuar prej vitesh në sektorë të ndryshëm.

Zvicra ka diasporën më të madhe të shqiptarëve të Kosovës pas Gjermanisë. Në Zvicër jetojnë rreth 112,000 persona me shtetësi kosovare, përcjell albinfo.ch. Megjithatë, numri i njerëzve që vijnë nga shteti më i ri i Evropës është shumë më i madh.

Sipas një studimi nga Zyra Federale e Statistikave në vitin 2015, gati 250,000 njerëz e shpallën gjuhën shqipe si gjuhë të tyre kryesore, ku shumica prej tyre nga Kosova. Zvicra ka njohur Republikën e Kosovës më 27 shkurt 2008 dhe themeloi marrëdhëniet diplomatike dhe konsullore me Kosovën. Që atëherë, Zvicra dhe Kosova kanë lidhur marrëveshje bilaterale në shumë fusha.