.

Pyetje të çuditshme mbi historinë dhe konfliktin e sotëm politik!

Nga Artan Fuga

Pa kuptuar misteret e historisë të shkuar nuk kuptojmë dot se çfarë ndodh sot!

Ka muaj që jeta sociale dhe jeta e përditshme e njerëzve është shqetësuar dhe çrregulluar nga tensionet politike në vend.

Sigurisht për të kuptuar se çfarë po ndodh në Shqipëri dhe me shqiptarët, çka nuk është e lehtë të kuptohet, përtej thjeshtëzimeve politike të dy krahëve, duhet analizuar e sotmja. E kaluara, shkaqet që vijnë nga historia nuk mund të ndikojnë veçse nëpërmjet faktorëve të tanishëm.

Nuk do të shkojmë tej te ilirët, te etruskët, te australopiteku, te majmuni për të shpjeguar ngjarjet që ndodhin në sheshin para Kuvendit të Shqipërisë, para kryeministrisë apo në sheshin e e qytetit të Fierit apo të Vlorës.

E sotmja duhet shpjeguar me të sotmen.

Por ngjarjet e sotme gjithsesi, nga ana tjetër, vijnë nga një e kaluar dhe nuk lindin nga asgjëja.

Prandaj na duhet të njohim mirë historinë. Jo sikurse e bëjnë ca historianë që e shohin bardh e zi, që e reduktojnë në disa skema të ngurta metodologjike, që e kthejnë në shërbëtorte të pikëpamjeve të tyre ideologjike duke injoruar e fshehur fakte.

E mbi të gjitha historia e Shqipërisë pas Luftës të Dytë Botëtore, e cila është në një gjendje për faqe të zezë nga amtorizmi, nga politizimi, nga spekulimet, sikurse ka qenë dikur e trajtuar për turp si një gënjeshtër e madhe nga historianët e ndodhur nën diktaturë.

Pa njohur si duhet të kaluarën e sotmja na fshihet! Na mbetet një moskuptim i madh.

Përshembull, a kishte grupime lidhjesh të gjithëfarësojta dikur në lidershipin e diktaturës apo vetëm shefi i saj drejtonte me dorë të hekurt pa u lënë të tjerëve të organizoheshin pa bërë zë, në grupime klanike midis tyre?

Historiani ideologjik as nuk e con në mendje këtë gjë, por poqese shihet me kujdes e kaluara dallohen që në majën e udhëheqjes politike pas Luftës të dytë botërore ka pasur grupime rivale mes tyre që kanë qenë gati t’i hyanë kokën njeri tjetrit dhe kanë qëruar jo pak herë hesapet me njeri tjetrin.

Edhe në vitet 80 maisen konflikte të brendshme midis grupimeve të Hysniut, Ramizit, Mehmetit, Nexhmijes etj., që sigurisht kanë jo vetëm influenca lokale të ndryshme, jo vetëm kanë kuptime konfliktuale për politikën, por edhe kanë hallin se kush do t’a marri pushtetin pas vdekjes të Enver Hoxhës.

Pas secilit nga këta liderë organizohej një grupim i tërë strukturash, familjesh, hierarkësh. Të cilët kanë vazhdimësinë dhe kujtesën e tyre edhe sot. Nuk dihet nëse i ruajnë apo jo ende inatet midis tyre, rivalitetet, por pyetja mbetet : Në konfliktet e sotme politike, a kanë gjurmë dhe influencë sherret e klaneve kryesore politike të viteve 80?

Ju duket e çuditshme pyetja? Aq më mirë.

Sepse pas angazhoheshin edhe kultura politike lokale që shprehnin jo vetëm vija ndarëse më të mëdha por edhe që vinin nga historia e largët dhe e afërt. Kishte ndarje influencash politike krahinore. A kishin individët dhe grupet konfliktuale brenda sistemit totalitar ndarje ku mund të dallohej zona jugperëndimore e vendit nga ajo verilindore, zona e Jugut nga zona e Veriut, dhe a vazhdojnë këto ndarje të luajnë rol në konfliktet e sotme?

Lebërit, skraparlinjtë, bregdetasit, tiransit, shkodranët, korçarët ishin vetëm konotacione kulturore gjeografike, apo ishin edhe disa vija ndarëse në kulturat politike të të njejtit vend, dhe të të njejtit sistem politik totalitar?

A kishte një dominim të Jugut mbi veriun, të myslymanëve dhe ortodoksëve mbi katolikët, a kishte një sundim politik të të ardhurve ndaj autoktonëve tiranas, durrësakë, korçarë e kështu me radhë?

Pyetja duket e çuditëshme? Aq më mirë. Kjo është shkenca, kur nisin pyetjet e çuditëshme për t’u dhënë përgjigje!

Dhe a kishte ndarje konfliktuale politike midis lidershipit komunist brenda një shoqërie ateiste midis myslimanëve, bektashinjve, ortodoksëve dhe katolikëve? Historiani i ideologjizuar do të çirret duke thënë: Cfarë janë këto?

Pyetja duket e çuditëshme? Aq më mirë. Unë jam gati të provoj përpara çdo gjykate ushtarak dhe drejtuesve të Akademisë të Shkencave që që flejnë mbi dogma ideologjike dhe kanë bllokuar mendimin e gjallë kombëtar se pyetja është krejtësisht e bazuar!

Ja pra ku vijmë që brenda të njejtit identitet kombëtar ka vend të pyetet nëse i kemi tejkaluar apo vazhdojmë t’i ruajmë vijat ndarëse me impakt të fortë në politikën e sotme midis myslimanëve, bektashinjëve dhe ortodoksëve, i kemi tejkaluar në planin politik vijat ndarëse mes korçarëve, shkodranëve, skraparlinjve, lebërve, bregdetasve etj., apo vazhdojmë t’i ruajmë nën dhé?

I kemi tejkaluar vijat ndarëse politike midis klaneve komuniste të viteve 80 apo vazhdojmë që të pësojmë influencën shkatërruese të influencave të aleancave dhe konflikteve të atëhereshme?

Me një fjalë a e ka kryer rilindja e shekullit të 19 unitetin kombëtar në planin politik apo sado ajo arriti rezultate të mëdha dhe të pashoqe tani provohet se përtej një uniciteti totalitar, në liri, ne vazhdojmë të kemi probleme substrukturore identitare në linjat e përmendura?

Ju duken të tepërta këto pyetje që Akademia jonë e Shkencave as i ka bërë kurrë se nuk ka as këllqet dhe as guximin t’i shtrojë? Aq më mirë. Shkenca nuk mund të avancojë pa pyetje të çuditshme.

Përndryshe vazhdojmë avazin e Qemos!

Dhe për ata më ideologjikët, një ftesë për të lexuar veprat e historianit Fernand Braudel, autoritet në historinë e Mesdheut, ku veç të tjerash do të gjejë edhe konfliktin mes malësorëve që luftojnë për pushtet dhe fushorëve që që konkurrojnë për të mira ekonomike.