.

Panuçi s’ka më dilema, ja formacioni i Shqiperise

Me seancën e fundit stërvitore në stadiumin e ndeshjes, Kristian Panuçi ka shuar edhe dyshimet e tij të fundit në lidhje me formacionin që do të zbresë në fushë nga minuta e parë për ndeshjen kundër Turqisë. Ashtu siç bëri në sfidat e fundit në Kupën e Kombeve tekniku nuk do t’i hyjë asnjë aventure të rrezikshme sulmuese dhe moduli 4-2-3-1 i jep kuqezinjve më shumë ekuilibër në prapavijë, por edhe mundësinë për të goditur me kundërsulme të shpejtë.


Panuçi e kishte projektuar formacionin që në ditën e fundit të grumbullimit në bregdetin e Durrësit, por seanca në “Loro Boriçi” i ka hequr dilemat mbi disa prej interpretuesëve, sidomos në mbrojtje. Në këtë mënyrë, përpara portës së Berishës do të rreshtohen Hysaj e Veseli në krahë, ndërsa në qendër Gjimshiti dhe Ismajli me këtë të fundit që ka fituar balotazhin me Ajetin.
Në mesfushë nuk ka ndryushime nga ajo që Panuçi kishte paralajmëruar që nga seanca e fundit stërvitore në grumbullimin e skuadrës kuqezi. Xhaka dhe i rikthyeri Abrashi japin grintë dhe forcë, ndërsa organizimi i aksioneve sulmuese do t’i besohet Memushaj.
Pasi alarmoi kuqezinjtë të mërkurën kur la përgjysmë seancën e paradites, Armando Sadiku do të zbresë në fushë nga minuta e parë, ndërsa sulmuesin e vetëm të deklaruar do ta ndihmojnë nga krahët Uzuni e Grezda, dy lojtarë të shpejtë dhe me aftësi teknike nga të cilët Kristian Panuçi pret shumë në ndeshjen e mbrëmjes së sotme.