.

Vrau shqiptarin për 210 $, australiani dënohet me 11 vite burg

 


Drejtësia australiane ka dënuar me 11 vite burg një qiradhënës, i cili vrau një shtetas shqiptar dy vite më parë. Bëhet fjalë për shqiptarin, Ramis Jonuzi, i cili sipas BBC u vra pasi nuk kishte t’i paguante shumën e detyrimit financiar prej 210 dollarësh.

Jason Colton 42 vjeç, u deklarua fajtor nga gjykata dhe tashmë do të vuajë dënimin me burg. 33-vjeçari i vrarë ishte fëmija i një çifti shqiptarësh, të cilët prej vitesh kishin emigruar në Australi, raporton ‘BalkanWeb’.

Ramis Jonuzi kishte marrë me qira një dhomë në lagjen ‘Brighton East’ të Melbourne, ndërsa aty do të qëndronte deri sa të përfundonte disa punë personale dhe kishte prenotuar dhomën për tre net. Ai më vonë kërkoi që të zgjaste qiranë edhe për një javë tjetër dhe për këtë do të paguante 210 dollarë.

Në momentin kur erdhi afati për të paguar qiranë, shqiptari në llogari bankare kishte vetëm 10 dollarë. Pas kësaj, pronari i dhomës e goditi duke e dhunuar deri sa Ramis Jonuzi gjeti vdekjen. Në vrasjen e tij rezultoi se kishin marrë pjesë edhe dy persona të tjerë, të cilat u dënuan nga gjykata respektivisht me nga 9.7 vite burg.