.

Shpallja e rikandidimit, Erion Veliaj: Të vijë Luli, Saliu…të dy bashkë!

Turi “Bashkia që duam” do të ndalet në kryeqytet me datë 23 mars, ndërsa kryebashkiaku Erion Veliaj ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë.

Teksa konfirmoi për Top Channel rikandidimin për drejtimin e Bashkisë së Tiranës edhe për 4 vite të tjera, kandidatura që do të mësohen zyrtarisht në Kongresin e Partisë Socialiste, Veliaj tha se ky mandat i dytë do të vijë me projekte të reja.
“Mezi e pres që të fillojmë këtë mandat të dytë, me projekte të reja, por dhe me gjëra që kemi mësuar si t’i bëjmë më mirë. Të jemi të gjithë të shtunën në Kongresin e PS-së, ku ne do të shpallim në publik, jo në salla të mbyllura, kandidaturën për një mandat të dytë të Tiranës, si dhe Këshillit Bashkiak të Tiranës, në orën 11 te sheshi ‘Nënë Tereza’. Është një mënyrë që qyteti ngre kokë dhe më shumë se një përsëritje e Ditës së Verës, në një pranverë të fushatës sonë të dytë”, tha Erion Veliaj.

Sa i përket pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet lokale, Veliaj thekson se është qyteti ai që përfiton nga alternativat e kandidaturave.

“Të vijë Luli, Saliu…të dy bashkë! Të vijë kush të dojë. Por, rëndësi ka të kemi një pjesëmarrje. Qoftë dhe ajo pakicë që e voton ende PD-në, të ketë edhe ajo përfaqësuesit e vet në Këshillin Bashkiak. Sepse unë besoj që gjithmonë duhet një mendim alternativ”, tha Erion Veliaj.

Teksa përmend fjalët e ndërkombëtarëve, kryebashkiaku Veliaj mendon se veprimet e opozitës kanë të fshehura pasigurinë e tyre.

“Edhe për sa kohë Shtetet e Bashkuara të Amerikë, për sa kohë Gjermania, BE, OSBE-ODIHR thonë kjo qeveri ëshë një qeveri legjitime, të zgjohesh dy vite mbrapa dhe të thuash të ribëjmë ndeshjen e Champions League se nuk mu duk rezultati ”fair” është pak poshtëruese për ata që të kanë votuar, është pak sjellje prej humbësi, nuk reflekton siguri që populli të do dhe që ke disa vota, edhe besoj që nuk do të funkssionojë”, tha kryebashkiaku i Tiranës