.

Ekzekutimi i Jurgen Kurtit: Pista ku po fokusohen hetimet

Jurgen Kurti ishte një personazh i njohur për drejtësinë shqiptare. I riu 26-vjeçar u ekzekutua mbrëmjen e djeshme me armë zjarri teksa ndodhej pranë banesës së tij. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00 në rrugën ‘Zef Jubani’ në Tiranë. Dyshohet se Kurti u qëllua nga një makinë tip Benz E Class me ngjyrë e zezë. Pas ekzekutimit, autorët e dyshuar mendohet të jenë larguar në drejtim të Liqenit Artificial.

Në orët e para të mëngjesit të së martës, ekspertë të policisë shkencore kanë mbërritur në vendngjarje, për të parë nëse zona mbulohet me kamera sigurie, por duket se do të jetë shumë e vështirë që të rindërtohet me saktësi ngjarja.

Grupi hetimor ka këqyrur disa pamje të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati, por nuk dallohet qartë nga cili prej disa automjeteve në rresht, është qëlluar në drejtim të 26-vjeçarit. Edhe identifikimi i targave të automjetit nga u qëllua në drejtim të viktimës Kurti ka qenë i vështirë.

Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Jurgen Kurti ka marrë shumë plumba në trup, ndërsa në rrugën ‘Zef Jubani’ janë gjetur të paktën 15 gëzhoja. Gjithashtu dyshohet se atentati i 26-vjeçarit ishte i tipit mafioz. Autorët kishin monitoruar të gjitha lëvizjet e viktimës, duke pritur momentin më të përshtatshëm për ta qëlluar pas shpinë në hyrje të pallatit të tij.

Grupi hetimor dyshon se Kurti u ekzekutua nga dera e pasme e një automjeti në lëvizje, i cili më pas mundi t’i shpëtojë ndjekjes së policisë i ndihmuar edhe nga errësira.

Sipas ABC News, dy janë pistat që po hetohen nga organi i akuzës. E para lidhet me atë të hakmarrjes. Ndërsa pista ku po përqendrohen më shumë hetuesit është ajo e prishjeve së pazareve të drogës. Për këtë arsye janë marrë në pyetje edhe miqtë e afërt të Kurtit.

Edhe pse vetëm 26 vjeç, Kurti – i cili shpesh shihej në studio televizive – ka qenë “protagonist” në dy histori të kronikës së zezë.

Rreth 2 vite më parë ai u përfshi në një ngjarje në Durrës ku humbi jetën Agim Arapi, pronar i një minimarketi. Policia ka shoqëruar edhe disa persona të familjes Arapi në lidhje me ngjarjen. Por edhe pse ndaj tij u ngritën akuza për vrasjen e Arapit, nuk u dënua.

Ndërsa në në prill të vitit 2016 ai u arrestua fillimisht i akuzuar për vrasjen e babait të tij Artur Kurti, por më pas u la i lirë, pasi për ngjarjen u dënua daja i tij, Leonard Ristani, i cili mori përsipër autorësinë e vrasjes.