.

Afera me koncensionarin e Sharrës, si përgjigjet ministri Klosi

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 për çështjet e krizës politike Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi komentoi edhe aferën abuzive të koncensionarit në landifillin e Sharrës. Përmes kronikave në edicionet informative, News24 ka denoncuar skandalin, në të cilin me miratimin e Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Mjedisit ndërtuesit që shkarkojnë në Landfillin e Sharrës duhet të paguajnë për llogari të kompanisë Integrated Energy” B.V tarifën prej 480 lek për ton për dherat. Ministri Klosi iu shmang pyetjeve në lidhje me tarifat, ndërsa tha se shembulli i atij landfilli duhet ndjekur edhe në qytete të tjera të vendit.

“Demokracia ka këtë të mirë se mund të pasqyrohen të vërtetat. Duhet të bëjnë një investigim si janë hyrjet në qytetet e tjera. Mbetjet që dalin nga ndërtimet hidhen vend e pavend. Përmes një kontrate është dhënë landfilli i Sharrës që të hidhen inertet. Këto janë mallra që ndotin ambientin. Kjo që ndodh në Tiranë duhet të ndodhë kudo. Është një kosto që duhet të paguhet dhe nuk është kosto shtesë. Deri më sot dherat hidheshin në shtratet e lumenjve.

Landfilli i Sharrës është vendi për dherat dhe mbetjet inerte. Landfilli është për të gjitha dherat e dala nga ndërtimi. Të gjithë ndërtuesit kanë në lejen e tyre të ndërtimit të përcaktuar vendin për inertet. Vend depozitimi i mbetjeve është pjesë e lejes që merr firma. Kjo që ndodh në Tiranë duhet të ndodhë kudo në qytetet shqiptare. Kush do ta marrë dherat le të shkojnë ta marrin në landfill me leje nga bashkia. Duhet të ketë vend depozitimesh ligjore për të gjitha llojet e mbetjeve. Unë nuk bëj vlerësimin se si janë këto mbetje. Ai vend është përcaktuar nga bashkia e Tiranës.

Bashkia paguan vetëm një tarifë, e cila është për mbetjet urbane. Paguhet për grumbullimin e dheut dhe ka kosto” – u shpreh Klosi, ndërsa nuk e konkretizoi një përgjigje se përse Bashkia e Tiranës duhet t’i paguajë dy tarifa koncensionarit në landfillin e Sharrës./BW