.

Reflektime mbi Ditën e Grave

JOANA XHEMALI*
Dita Ndërkombëtare e Grave është një event mbarëbotëror, që kremton arritjet politike, ekonomike dhe sociale të grave. Njëkohësisht, është një ditë reflektimi kolektiv e advokimi mbarëglobal për të ndërmarrë masa konkrete, për përmbushjen e të drejtave të grave dhe arritjen e barazisë gjinore. Pa dyshim, situata e grave dhe arritjet në fushën e barazisë gjinore duhen shikuar ngushtësisht brenda kontekstit të çdo shoqërie e shteti. Në Shqipëri, 8 Marsi nuk duhet konceptualizuar si ditë mimozash e ligjëratash boshe institucionale, por duhet konfiguruar si një ditë reflektimi në lidhje me veten, shoqërinë civile, institucionet edukuese, kulturore, mediatike, vendimmarrëse dhe ato ligjzbatuese, për t’u vetëdijesuar mbi kontributin tonë si individë, shoqëri dhe shtet, në luftën kundër pabarazive gjinore dhe përpjekjeve për përmirësimin e jetës së grave.

Kur përdor termin “gratë shqiptare”, nuk i referohem domosdoshmërisht një kategorie të ngushtë analitike, që përkon me gratë heteroseksuale, të bardha, klasën socio-ekonomike të mesme apo të lartë, moshën e re dhe atyre që gëzojnë privilegjin e të jetuarit brenda një trupi të shëndetshëm, por u referohem të gjitha grave të klasës punëtore, atyre që u përkasin pakicave të ndryshme, rome, egjiptiane, moshës së tretë, homoseksuale, biseksuale, transgjinore e me aftësi fizike të ndryshme.

Dita e Grave duhet të na shërbejë si ditë reflektimi mbi të drejtat ekonomike, politike dhe shoqërore jo vetëm ndaj atyre grave shqiptare që ndodhen në pozita të privilegjuara, por më tepër ndaj atyre që jetojnë në pozita të disfavorshme dhe që përballen me diskriminime të shumëfishta. Të drejtat e studenteve, grave rurale dhe gjithë atyre që nuk patën mundësi të shkolloheshin, të grave të pastreha, të punëtoreve, që punojnë me orë të tejzgjatura në kushte çnjerëzore dhe me pagesë minimale, të grave me aftësi të kufizuara, që përjashtohen socioekonomikisht nga sistemi apo atyre, që dergjen në shtratin e sëmundjes dhe s’kanë mundësi ekonomike të kurohen. Nuk mund të lihen në harresën e frikshme kolektive gratë e dhunuara nga partneri, baballarët dhe institucionet, gratë dhe vajzat që kanë humbur jetën për shkak të dhunës patriarkale, gratë – nëna të papuna që s’mund të ushqejnë fëmijët të tyre, pasi asistenca sociale është e pamjaftueshme, gratë lesbike, biseksuale e transgjinore që përjetojnë diskriminim të shumëfishtë, për shkak të orientimit të tyre seksual.

Është tronditës dhe i dhimbshëm fakti, që sot shumica e grave dhe vajzave në Shqipëri janë subjekt i vazhdueshëm i dhunës me bazë gjinore. Dhunë, që manifestohet në mënyrë sistematike, strukturore dhe të institucionalizuar. Dhunë, e cila merr jetë dhe fashit shpresën, për të jetuar në një shoqëri demokratike e të drejtë, ku të gjithë kemi të drejta të barabarta, pavarësisht identitetit tonë gjinor, orientimit seksual, klasës socio-ekonomike, përkatësisë etnike e fetare, moshës dhe aftësive fizike.

Gratë shqiptare vazhdojnë të jenë subjekt i diskriminimit gjinor dhe stigmatizimit shoqëror, për shkak të stereotipave shoqërorë, roleve shtypëse gjinore dhe standardeve të dyfishta seksuale. Produkt ky, jo i një mentaliteti primitiv, por i një shoqërie patriarkale, që justifikon marrëdhëniet asimetrike të pushtetit mes grave dhe burrave, duke iu përligjur këtyre të fundit pozitat dominuese dhe lirinë seksuale. Mjafton që të shtypësh në platformën e kërkimit “Google” fjalët kyçe “8 Marsi në Shqipëri” dhe menjëherë shfaqen një seri artikujsh machistë, që e vendosin theksin te harbimi dhe tërbimet e grave shqiptare në festa striptizmi të mbajtura në klubet e kryeqytetit me rastin e kremtimit të Ditës së Grave.

Me sa duket, këta pseudo-profesionistë, përfaqësues të denjë të machism-it toksik, shqetësohen së tepërmi kur gratë “devijojnë” nga normat sociale të seksualitetit dhe roleve gjinore. Nga ana tjetër, nuk e prishin aspak terezinë kur media e shkruar dhe ajo audio–vizive i paraqet gratë e vajzat vazhdimisht si objekte seksuale, apo kur ato masakrohen nga partnerët e tyre. Shoqëria shqiptare është e ngërthyer nga një histerizëm patologjik, që e konfiguron gruan dhe vajzën si një pronë, që lëviz nga duart e babait tek ato të burrit, si një objekt pa subjektivitet, që nuk ka as zë e as zotësi për të vepruar, por është e destinuar të ngelet nën tutelën patriarkale.

Po ashtu, kultura e fajësimit të viktimave në rastin e përdhunimeve apo ngacmimeve seksuale flet shumë, se si një shoqëri patriarkale si e jona përligj dhe normalizon dhunën ndaj grave dhe justifikon dhunuesin. Nuk ishte ajo që e deshi dhe as minifundi apo dekolteja e saj që e kërkoi, por rendi patriarkal, që legjitimon burrat të cenojnë integritetin trupor, lirinë seksuale dhe dinjitetin e grave. Nuk duhet t’u mësohet grave e vajzave se si të vishen apo të sillen, por ne si shoqëri kemi obligimin moral t’u mësojmë burrave si të mos përdhunojnë, dhunojnë e masakrojnë.

Mungesa e lirisë seksuale shprehet dhe në pamundësinë dhe vështirësinë që kanë gratë e vajzat shqiptare për të shprehur e jetuar lirisht seksualitetin e tyre. Të jesh grua heteroseksuale në Shqipëri do të thotë të kanalizosh seksualitetin tënd brenda institucionit të bashkëjetesës e martesës, për qëllime riprodhuese. Kur ndodh që ky seksualitet del jashtë këtyre kornizave dhe jetohet në kuadrin e dëshirave trupore, rrezikon të cilësohesh si e përdalë apo e pamoralshme. Ndërsa të jesh grua transgjinore, lesbike dhe biseksuale do të thotë të jetosh në makthin e së padukshmes, të jetosh me dhimbjen e përjashtimit nga familja e shoqëria dhe të përballesh me rrezikun e përditshëm të të paragjykuarit e të dhunuarit, si devijante e anormale.

Diskriminimet gjinore mishërohen dhe në aspektin ekonomik, në marrjen e pagesave më të ulëta për kryerjen e së njëjtës punë dhe nënpërfaqësimin e grave në poste të larta drejtuese në institucione publike e kompani private. Për shkak të presioneve shoqërore e pabarazive gjinore, gratë dhe vajzat shqiptare vazhdojnë të sakrifikojnë karrierën profesionale. Në rastin më të mirë kryejnë punë të dyfishtë, mbajnë mbi shpatulla edhe përgjegjësinë e edukimit dhe përkujdesjes për fëmijët e familjet, ndërsa partnerët e tyre kanë luksin të ngjisin lehtësisht shkallët e karrierës profesionale, duke u promovuar në pozita të larta drejtuese. Nuk duhet të harrojmë se, përkujdesja familjare ndaj fëmijëve përbën punë të papaguar, që kontribuon si në ekonominë familjare, por edhe në atë shtetërore.

Lexuesit e këtij shkrimi ndoshta mund t’i konsiderojnë këto konstatime, edhe pse jo shteruese, si jorelevante, duke menduar se ka gra shqiptare në poste të larta drejtuese e vendimmarrëse. I ftoj të reflektojnë për një çast, mbi faktin se shumica e këtyre grave kanë pasur mundësinë ekonomike të arsimohen brenda dhe jashtë vendit dhe se ato nuk përfaqësojnë realitetin e hidhur, as pasqyrojnë vështirësitë ekonomike e sociale, me të cilat hasen shumica e grave urbane dhe rurale shqiptare.

Pabarazitë gjinore, prevalente në shoqërinë shqiptare, pengojnë fuqizimin ekonomik, social, politik dhe kulturor të grave si dhe përforcojnë pozitat e tyre nënshtruese. Kësisoj, mendoj se Dita Ndërkombëtare e Grave në një shoqëri patriarkale si e jona, duhet të na shërbejë si një moment kremtimi kolektiv për të nderuar luftën e përditshme personale të grave, në përballje me dhunën dhe diskriminimet me bazë gjinore, si dhe vështirësitë ekonomike e sociale me të cilat ato ndeshen. Mbi të gjitha, kjo ditë duhet të na shërbejë si një ditë proteste e rebelimi kolektiv kundër padrejtësive e pabarazive gjinore dhe si një moment vetëdijesimi social e institucional, ku secili prej nesh të ndërgjegjësohet e reflektojë se si të kontribuojmë për ndërtimin e një shoqërie të lirë, demokratike e të barabartë, e cila mikpret pa kushte mënyrat e pafundme të të qenit dhe t’u bërit grua dhe ku të drejtat e grave të mos cenohen dhe shkelen sistematikisht e arbitrarisht.

*Eksperte në studimet gjinore