.

Mirënjohje…!

ILIR ÇUMANI
Nuk ndodh shpesh që në të përditshmen tonë të takosh e të njohësh nga afër njerëz krejt të zakonshëm, të cilët me jetën dhe veprimtarinë e tyre modeste bëhen shembulli më i mirë për shoqërinë, duke dhënë modele frymëzuese e mbresëlënëse, që lënë gjurmë të pashlyeshme te çdokush. Këta shembuj pozitivë të shoqërojnë përgjatë gjithë trajektores së jetës, duke ndjerë jo vetëm admirim, por edhe vlerësim e respekt të thellë për ta…

“Nënë Kristina” (kështu e thërrisnim asohere të gjithë ne ish-fëmijët e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë mësuesen e nderuar Kristina Kumi), është më shumë se një fenomen njerëzor. Imazhi i mrekullueshëm i kësaj gruaje me shtat të vogël e të brishtë, me fytyrën paqësore e të dhembshur, gjithmonë më ka magjepsur e frymëzuar. Portreti i saj amësor, i butë e i ëmbël, i shoqëruar me gjeste të përkushtimit dhe përulësisë kristiane, ka inspiruar të gjithë qenien time, duke ndikuar ndjeshëm në formëzimin e karakterit dhe të personalitetit tim si qenie humane. Ajo mbetet pa dyshim etalon i gruas së përveçme, e destinuar për të qenë një misionare e patjetërsueshme e krijesës njerëzore. Së pari, nënë shembullore, pastaj një edukatore e talentuar e pasionante, mësuese mbresëlënëse, motër e madhe dhe e dhembshur për të gjithë bonjakët e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë, për plot 20 vjet me radhë. Prezenca e saj në jetët tona të zbrazura mbushi jo vetëm boshllëqet që jeta na i solli me shumicë, por mjekoi me shumë kujdes e dashuri ato plagë të shpirtrave të vegjël e të trazuar, duke plotësuar përsosmërisht figurën më engjëllore e më shpresëdhënëse në sytë tanë, atë të shenjtores që Zoti na e bëri dhuratë në kohët më të vështira. Me profesionin e arsimtares dhe edukatores, ajo i tejkaloi shumëfish përgjegjësitë e saj që i ngarkonte detyra. E lidhur ngushtësisht me profesionin e mësuesisë, me shumë dashuri e përkushtim, ajo hyri natyrshëm në jetët tona për të qenë pjesë organike, e qenësishme dhe e pandashme edhe sot e kësaj dite, me të gjithë ish fëmijët-nxënës që janë rritur prej saj dhe tashmë kanë dalë në jetë. Shumë prej tyre janë bërë intelektualë e profesionistë të zotë, mësues, mjekë, inxhinierë, ushtarakë, arkitektë, laborantë e punëtorë të aftë, kanë ngritur familjet e tyre, janë bërë prindër të devotshëm, nëna e baballarë të mirë, një pjesë edhe gjyshe e gjyshër flokëbardhë…. Në një moshë të thyer, në të mbi ‘80–at e saj, Kristina Kumi ende vazhdon të mbajë kontakte me të gjithë ne, ish-fëmijët jetim të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë. Skrupuloze e sqimatare si ajo, altruiste, fisnike dhe tepër e vëmendshme, kërkuese për çdo gjë që ishte në të mirën e fëmijëve, me një memorie fantastike edhe pse ka 30 vjet që jeton në Athinë, sërish nuk i ka shkëputur asnjëherë lidhjet me çdonjërin prej nesh. Me merakun e madh të një nëne, shpeshherë interesohet në detaje. Pyet për secilin prej nesh dhe merr informacion për hallet e problemet, për sukseset dhe mossukseset tona, jeton në çdo çast me ne dhe për ne, trishtohet e lumturohet njëkohësisht, ashtu siç mund të bëjë vetëm një nënë biologjike për krijesat e saj. Para viteve ’90- të, Kristina Kumi njihej nga të gjithë qytetarët sarandjotë si modeli më shembullor dhe i kompletuar i një gruaje që mishëronte virtytet më të larta njerëzore, si qytetare e denjë, një grua fisnike, bashkëshorte e përkushtuar, nënë shembullore, arsimtare profesioniste e palodhur dhe misionare e humanizmit në përkujdesje dhe mirërritjen e fëmijëve jetim. Orët e punës me fëmijët në Shtëpinë e Fëmijës e kalonin cakun e kohës zyrtare. Vinte në punë herët në mëngjes dhe bënte zgjimin e fëmijëve, kujdesej për higjienën e mëngjesit, na përgatiste ushqimin dhe na vishte përparësen e shkollës duke na përcjellë për në shkollë. Në mesditë, priste me padurim kthimin tonë nga shkolla, shtronte tryezën e drekës për ne, pastaj pushonim pak për t’u rikthyer në sallën e studimit derisa afronte mbrëmja. Përgatiste darkën, na shoqëronte te shtretërit për të fjetur, e, në mbrëmje vonë, me mendje sërish të ngritur shkonte në shtëpinë e saj, duke mos qenë asnjëherë e qetë… Veçanërisht në ato raste kur ndonjë prej fëmijëve në institucion ishte i sëmurë, ose kishte pak temperaturë, ajo nuk do të shkonte atë natë në shtëpinë e saj, por do të gdhihej te koka, në shtratin e fëmijës, edhe pse në familje e saj e prisnin të tjera detyrime, bashkëshorti Koçoja me dy djemtë e vegjël, Gligori dhe Vironi. Nënë Kristina punonte në mënyrë individuale me çdo fëmijë jetim të grupit të saj, sidomos me vajzat e rritura. U mësonte me hollësi si të përballeshin dhe të zgjidhnin problemet apo situata që ato i kalonin me rritjen në moshë. Për shembull, si të mbanin higjienën personale, si të gatuanin, si të qepnin dhe të qëndisnin me punët e dorës, si të kryenin punët e vogla të ditës për të mbajtur pastër mjedisin ku jetonin dhe të kalonin kohën e lirë. E gjithë filozofia e punës së saj si metodiste profesioniste, synonte të nxiste dhe të kultivonte te çdo fëmijë iniciativën personale të vetëveprimit, zhvillimin e imagjinatës dhe të pavarësimit, me qëllim heqjen e klisheve nga barrierat frenuese që shpeshherë e mbanin peng pjesën më të madhe të fëmijëve të institucionalizuar, për shkak të traumave që ata i kishin të mbartura qysh nga koha e braktisjes nga familja apo nga humbja tragjike e prindërve. Kur fëmijët në Shtëpinë e Fëmijës përfundonin ciklin 8- vjeçar dhe dilnin nga ky institucion për të shkuar me bursë në shkollat e mesme apo të larta, ajo nuk do t’i shkëpuste asnjëherë lidhjet me ta, por i forconte edhe më shumë kontaktet përmes letërkëmbimeve dhe korrespondencave të rregullta me secilin prej nesh, interesohej për mbarëvajtjen tonë. Edhe kur përfundonin shkollat, mësuese Kristina interesohej më pas që këta fëmijë të sistemoheshin me strehim, të kapnin një vend pune, duke shkuar dhe trokitur derë më derë në zyrat e Komiteteve Ekzekutive të kohës, në rrethet ku këta fëmijë mbaronin shkollat. “Jam nëna e filan vajze dhe e filan djali, që ka mbaruar këtë shkollë dhe ka marrë këtë profesion. Ju lutem, ku mund ta sistemojmë me punë, se edhe ata duhet të ndërtojnë jetën e të krijojnë familjet e tyre si gjithë të tjerët…”, ishin fjalët që nënë Kristina i mbante në gojë, duke i artikuluar shumë herë nëpër zyrat burokratike të administratës së kohës. Sa e sa herë ka marrë pjesë në gëzime, ditëlindje, fejesa e dasmat e këtyre fëmijëve, duke marrë rolin e nënës për secilin prej tyre. Këtë e bënte me synimin që këto vajza e djem të rritur prej saj në Shtëpinë e Fëmijës, të cilët vendosnin të martoheshin dhe të krijonin familje, të mos ishin kokulur e zemërthyer përpara krushqisë dhe familjes së djalit/vajzës që ata kishin vendosur të lidhnin jetën e tyre. Jeta dhe veprimtaria e kësaj gruaje të heshtur e të thjeshtë personifikon në substancë sakrificat më sublime njerëzore e mëmësore. Sakrificat e panumërta dedikuar fëmijëve jetimë, modestia që kjo grua e jashtëzakonshme kishte, roli i kësaj misionareje me shtat të vogël, por me zemër të madhe, janë një film i pashfaqur në ekrane, pa bujë e publicitete. Ato janë mjaft frymëzuese e inspiruese për çdokënd. Veprimtaria dhe jeta e saj për hir të të tjerëve, është një roman i pashkruar, ku bota e sotme, e varfëruar për fat të keq nga aspiratat dhe vlerat e humanizmit, duhet të hapë sytë dhe të mësojë më shumë kodin e vërtetë të DHEMBSHURISË dhe të DASHURISË, pa meskinitete e hipokrizi. Këtë bëri gjatë gjithë jetës së saj Shën Tereza. Gjëra të vogla, të thjeshta, por me dashuri të madhe e të pafund për NJERIUN, për JETËN… Sa të nevojshme e kemi si shoqëri, secili nga ne, që të bëhemi çdo ditë e nga pak një grimcëz e vogël Shën Terezë….! Vetëm kështu do të mund t’i thyejmë barrierat e së keqes, të shembim muret e urrejtjes, të dhunës, smirës e xhelozisë, të braktisim shëmtinë e padëshiruar që po na tjetërson, na depersonalizon e shpërfytyron, po na merr frymën dhe nuk po na çliron nga kthetrat e saj fatale. Te po shkruaja këto radhë për nënë Kristinën, më kaplon një ndjenjë pesimizmi e dhimbje pa fund. Mendja më shkon te cenet dhe plagët e shumta të shoqërisë, te fenomenet e rënda të realitetit të sotëm, siç janë dhuna në familje, vrasjet, vetëvrasjet, jetët e humbura tragjikisht për shkak të kotësisë dhe çmendurisë të kohës që jetojmë. Asnjë arsye nuk e justifikon zhvlerësimin e jetës, sado të vështira e të pamundura të jenë gjërat në dukje. Ato janë të tilla përkohësisht, mjafton të dimë me kurajë e mençuri të mbajmë gjallë optimizmin, shpresën, të gjejmë rrugët e duhura për zgjidhjen e problemeve, për një të nesërme më të mirë. Kristina Kumi dhe fëmijët jetimë që ajo i rriti me shumë dashuri e përkushtim (këta të fundit, falë saj, e fituan betejën me jetën), janë shembulli më kuptimplotë i madhështisë që përcjell ky mesazh universal. Nënë Kristina është modeli i sotëm i munguar i misionares dhe shenjtores së heshtur që u dha shpresë e dashuri jetëve të vogla e të pafajshme, brenda mureve të një institucioni, aty ku dhembshuria, dashuria dhe ngrohtësia triumfuan mbi vrazhdësinë, indiferencën, neglizhencën, përjashtimin dhe ftohtësinë. Ky shembull është një leksion i madh dhe shumë i nevojshëm për vazhdimësinë e jetës normale, për ekzistencën e shoqërisë njerëzore, për ndërtimin e një klime të shëndetshme, harmonie dhe paqeje sociale në kohët e sotme. Faleminderit e shtrenjta Nënë e përjetshme e Jetimëve, për gjithçka na dhurove nga vetja dhe pa kushte! Ti dite dhe munde t’u jepje kuptimin e vërtetë ditëve tona të zbrazura, na mësove dhe na edukove si ta duam dhe ta çmojmë jetën edhe atëherë kur ajo nuk tregohet shumë bujare…. Qoftë edhe vetëm për këtë, sot, në këtë ditë të veçantë e të bekuar të NËNÊS, është pak që çdonjëri prej nesh të thotë me zë të lartë: MIRËNJOHJE…!