.

Andi Bushati: Ja çfarë kanë nisur të na thonë ndërkombëtarët

Një zyrtar i Bashkimit Europian mbërriti të enjten në Tiranë, në një vizitë që u pa gjerësisht si hapi i parë i ndërhyrjeve të Brukselit për zgjidhjen e krizës. Drejtori për Zgjerimin në KE, Christian Danielsson tha se vendimi i opozitës për lënien e mandateve minon rrugën drejt integrimit të vendit. Kurse kreu i PD, Lulzim Basha u përgjigj se opozita kërkon të shembë këtë sistem dhe jo vetëm largimin e Ramës.

Nga ana tjetër, analisti Andi Bushati thotë se ndërkombëtarët kanë nisur të shpërndajnë mesazhin se opozita po pengon integrimin tek ish-deputetët dhe tek media.

“Edhe sot ndërkombëtarët i kanë përplasur opozitës në fytyrë akuzën se po bëhet pengesë për integrimin e vendit. Me gojën e drejtorit të saj për zgjerimin, Christian Danielsson, BE ka përsëritur qëndrimet e ashpra ndaj djegjes së mandateve, duke e quajtur këtë akt një kurth për përparimin e Shqipërisë drejt Europës. Ky mesazh, tashmë i stërthënë, është pjesë e një pakete që diplomatët perendimorë po ia përcjellin ish-deputetëve, gazetarëve (përfshirë edhe Lapsi.al) dhe opinionbërësve të ndryshëm, duke pretenduar se situata e tanishme do të pengojë hapjen e negociatave të cilat realisht janë shumë pranë,” shkruan Bushati.

“Pa i hyrë anektodës nëse janë hapur apo jo realisht negociatat, se ne këtu në Tiranë e kemi festuar njëherë caktimin e datës dhe startin e tyre, ka një problem edhe më serioz: A duhet të kompleksohen opozitarët dhe mbështetësit e aksionit të tyre nga tregimi me gisht si delja e zëzë që ka bllokuar rrugën e vendit drejt BE-së?

Përgjigjia është e thjeshtë dhe e prerë: aspak.

Sepse oferta, mbyllni sytë për një çast, kaloni njëherë qershorin dhe pastaj do të keni më tepër garanci se edhe një pushtet autoritar si ai i Ramës kufizohet më shumë, nuk përbën një alternativë. Europa, sa do më përpara nesh që të jetë, ka treguar edhe brenda saj se nuk i ka instrumentet për të kontrolluar rrëshqitjet antidemokratike edhe të shteteve të saj anëtarë, jo më të atyre që aspirojnë të bëhen një ditë,” shkruan Bushati.

Kurse analisti Artur Zheji shkruan në portalin e tij se protestat do të pastrojnë Shqipërinë nga banorët e kënetës.

“Personalisht, më vjen shumë keq, që duke shkelur mbi kohën time, shkruaj dhe bëj analiza për aktin e fundit të një dështimi, që filloi pak vite më parë si një alternativë shtetformuese e një zotërie që e kam ndihur me zell dhe sinqeritet të plotë, në rininë e vet, por vërej, pa ndonjë kënaqësi te veçantë që 20-30.000 njerëz të panjohur për mua i lexojnë dhe u zbardhen ca dritë hije. Dhe kjo është e dobishme. Dhe atyre u them se protestat, instrumenti i sotëm kundër këtij regjimi dhe kultura e nesërme për të parandaluar regjimet, është shansi ynë i fundit, që të këpusim zinxhirët e tiranisë së të fortëve, të monopoleve të oligarkëve që dhjetëra fishojnë paratë e tyre dhe nuk pjerdhin asfare për të përditëshmen dhe hallet tona jetike”.