.

Vrasja e dyfishtë në Vlorë, ‘Çipuri’ s’tregon asgjë për atentatin, por policia është e bindur se…

Armando Sulejmani, i njohur si ish-pjesëtar i grupit të “Gaxhait”, u është përgjigjur me zjarr autorëve të atentatit, të cilët lanë të vdekur shokun dhe kunatin e tij.

Për ngjarjen e rëndë të ndodhur në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë më 17 shkurt, 42-vjeçari është lënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë me masën e sigurisë “Arrest me burg”.

I njohur me nofkën “Çipuri”, Sulejmani rezulton se në momentin kur në drejtim të makinës “Pasat”, ku ai ndodhej bashkë me kunatin Orest Rexho dhe shokun Arjan Hasanaj, u është kundërpërgjigjur autorëve duke qëlluar të paktën 6 herë me një pistoletë amerikane “Magnum S&ë 357”.
Nga plumbat e atentatorëve që qëlluan me breshëri kallashnikovi mbetën të vdekur në vend 37- vjeçari Rexho dhe 45-vjeçari Hasanaj. Ky i fundit ishte në drejtim të automjetit, ndërsa Orest Rexho ishte pasagjer në vendin e parë. Edhe pse dyshohet se Sulejmani ishte shënjestra e atentatit, 42-vjeçari ka shpëtuar me një plumb në këmbë dhe një tjetër në krah, nga fakti se ishte ulur në ndenjëset e pasme të makinës.

Masa e sigurisë për “Çipurin” është dhënë në ambientet e Spitalit Rajonal të qytetit të Vlorës, ku edhe ndodhet aktualisht Sulejmani nën kujdesin e mjekëve. Mësohet se gjatë dhënies së masës së sigurisë, ai nuk ka deklaruar asgjë. Gjithashtu, edhe gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, 42- vjeçari nuk ka dhënë ndonjë informacion të vlefshëm për ngjarjen, ndonëse Policia e Vlorës është e bindur se ai i njeh autorët apo porositësit.

Nga Policia konfirmohet se “Çipuri” është një person me precedentë penalë dhe i njohur si ishpjesëtar i bandës së “Gaxhait”. Dyshohet se një pjesë e gëzhojave mund të kenë mbetur në brendësi të mjetit që kanë përdorur autorët, i cili më pas u gjet i djegur në afërsi të Sherishtës, pranë fshatit Babicë, por për këtë fakt nuk jepen detaje apo informacione të tjera.

Në vendin ku ishte automjeti i djegur u gjetën tri armë kallashnikovë. Mësohet se është qëlluar nga vetëm dy armë dhe një tjetër mbahej për çdo lloj situate nga drejtuesi i automjetit. Ky është atentati i dytë, të cilit i mbijeton, pasi në maj 2016, nga një atentat tjetër me breshëri automatiku, mori vetëm një plumb në krah.

PANORAMA