.

Momentet që s’duhen humbur/Nga sherret në  “Open” tek analizat ç’do ndodhë me PD  dhe LSI(Video)

Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Open” në “Top Channel”, me moderatore Eni Vasilin u diskutua për vendimin e opozitës e cila ka dorëzuar zyrtarisht dje mandatet në kryesinë e Kuvendit.Nëpërmjet të ftuarve në studio, por edhe lidhjeve direkte me politikanë, u shuan dyshimet dhe u zbuluan disa nga skenarët dhe zgjidhjet e mundshme për zgjidhjen e situatës së rëndë politike.

Emisioni ka nisur me një përplasje të Kryemadhit mes avokatit Spartak Ngjela i cili tha se nuk ka pasur dorëzim të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, por menjëherë ka replikuar kryetarja e LSI e cila sqaroi cfarë ndodhi jashtë kamerave.

Dorëzimi i mandateve u konfirmua edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj i cili theksoi se sekretari i përgjithshëm i dorëzoi dosjen Bashës me listat e deputetëve të dorëhequr.

Kryemadhi ka sqaruar se ka qenë një procedurë zyrtare, por nuk u lejuan kamerat, ku sekretarët përkatës kanë dorëzuar dorëheqjet individuale të deputetëve.

Pjesë nga debati

Kryemadhi: Ka qenë një ritual normal edhe pse nuk u lejuan kamerat, ku sekretarët përkatës kanë dorëzuar dorëheqjet individuale të deputetëve, për tu larguar njëherë e përgjithmonë nga një parlament që është i faktuar botërisht, ku ka individë të caktuar të lidhur me bandat dhe trafikun e votave. PD ka pasur grupin e saj, ne listën tonë.

Ngjela: Nuk kanë bërë deklarata personale, i kanë me vete

Kryemadhi: Më vjen keq se je njeri i ligjit…

Ngjela: Eee i ligjit, nuk i keni dorëzuar

Kryemadhi: Mos më ndërprerë mua dhe mos u trego i paedukatë. Janë të firmosur me emra dhe atësi. Opozita nuk ka për detyrë të të sqarojë as ty dhe as ndonjë tjetër që paguhet nga Rama. Ju kanë gënjyer. Deklaratën time e keni ne media, më 20 shkurt, ditën kur është rrëzuar busti, dhe ky është rrëzimi i dytë i bustit.

Një tjetër përplasje ka pasur mes Ngjelës dhe Eduard Shalsit, ku avokati ka shpërthyer dhe ka dhënë një deklaratë të fortë ndaj ministrit.

“Rama ma ka thënë vetë që ty të përdor për zhurmues nëpër studio televizive”, tha Ngjela në studio.

Ndërsa Agron Shehaj ka thënë se nëse Shalsi dhe deputetët e PS zhvishen nga imuniteti, shkojnë në burg.

Në studion e “Open”, analisti Baton Haxhiu ka bërë një analizë të situatës politike në vend dhe paralajmëroi futjen e një partie të re në jetën politike në Shqipëri.

Analisti duke komentuar djegien e mandateve nga ana e opozitës së bashkuar, tha se pas këtij akti në vend mund të kemi hapsirë për krijimin e një partie politike të re, e cila mund të jetë edhe Vetëvendosja.

“Partitë si LSI dhe PD, njëra do zbehet, tjetra do zhduket.Sepse shqiptarët do kërkojnë dicka të re”, eshte shprehur analisti, Baton Haxhiu

Djegia e mandateve, Baton Haxhiu bën deklaratën e fortë:Ka nisur funerali i PD, ja cfarë po bën Berisha

Ndërsa drejtuesi i “Exit.al” Neritan Sejamini ka treguar se zgjedhjet janë zgjidhja e qëndrueshme për situatën pas djegies së mandateve. Ndërsa Paskal Milo ka thënë më tej lidhur me situatën se faktorët ndërkombëtar nuk kanë për të ndenjur rehat për sa kohë në Shqipëri ka një krizë politike dhe se vendimi i opozitës, ishte i pamenduar.

Më poshtë emisioni i plotë: