.

Pas protestës


Në kushte normale, protesta e 16 shkurtit do të ishte konsideruar si suksesi më i madh i opozitës. Mijëra njerëz në shesh, aq sa nuk i kemi parë asnjëherë që prej viteve ‘90, të gjithë me një objektiv të vetëm: rrëzimin e Ramës.
Protesta shprehu edhe një herë se çfarë mllefi popullor zien ndaj Kryeministrit Rama dhe asaj tufe njerëzish qesharakë që ai i quan ministra, ndërkohë që ata, nga ana e tyre, e quajnë Skënderbe, duke krijuar kështu një kllounadë që nuk e ka parë ndonjëherë vendi, edhe pse qeverisjet dhe qeveritë e këqija e kanë shoqëruar historinë shqiptare që nga krijimi i shtetit shqiptar. Protesta ka entuziazmuar dhe zhgënjyer njëherësh shumëkënd, sepse asaj liderët e opozitës i kishin caktuar një objektiv: rrëzimin e Ramës. Një gjë e tillë nënkuptonte që ose Rama vetë, i shtyrë nga protesta e opozitës të prekej, ose frikësohej aq fort sa ta dorëzonte pushtetin, ose opozita ta përmbyste me dhunë Ramën dhe të vinte në pushtet po me dhunë.
Të sqarohemi, me përmbysje me dhunë të pushtetit kemi parasysh atë që në terminologjinë politike quhet ose kryengritje e armatosur popullore, ose një coup d’etat, ose një ndërhyrje e armatosur nga jashtë dhe jo protestat si kjo e sotmja të shoqëruar me akte dhune që nuk kanë asnjë lidhje me tri të parat, por më shumë ngjajnë me skenat e dhunshme të tifozëve nëpër stadiume. Në të dyja rastet, mundësia ishte zero. Pra, nuk kishte asnjë gjasë që Rama të prekej aq fort apo të reflektonte aq fort për këtë protestë, sa të kthehej menjëherë nga Vlora dhe në sytë e përlotur të Elisa Spiropalit të dorëzonte çelësat e zyrës në duart e liderëve të opozitës. Mundësia e dytë, pra, ajo e përmbysjes me dhunë të Ramës (në kuptimin e vërtetë që ka përmbysja me dhunë e pushtetit, me tri rrugët e përmendura më sipër), ishte gjithashtu zero. Sepse marrja e pushtetit me dhunë është po aq e papranueshme sa edhe mbajtja e tij me dhunë (siç po bën Rama) dhe për më tepër nuk mund të bëhet në një vend që aspiron të hyjë në Europë.
Faji i liderëve të opozitës, pra, nuk qëndron në faktin se pse nuk e përmbysën Ramën në një ditë, as pse nuk e morën pushtetin në mënyrë të dhunshme. Faji i tyre ishte se krijuan një pritshmëri të tillë dhe i bënë të besonin gjithë atë mizëri njerëzish të ngarendnin nga të gjitha anët e Shqipërisë me shpresën se do ta hiqnin qafe brenda një dite Kryeministrin Rama dhe gjithë pushtetin e krimit të organizuar të krijuar prej tij në këto gjashtë vite qeverisje.
Krejt ndryshe do të ishte nëse liderët e opozitës do të kishin deklaruar fillimin e aksionit politik për rrëzimin e Ramës dhe protestën si etapën e parë të këtij aksioni. Atëherë, protesta do të ishte konsideruar një sukses pa pikë dyshimi dhe s’do të kishte vend për kritika. Kjo e bën edhe më të vështirë në ditët e ardhshme pozitën e opozitës shqiptare para qytetarëve shqiptarë. Kjo mund ta rrisë edhe më tej mosbesimin e mbështetësve të tyre në verbin dhe aksionin e tyre politik. Kjo mund ta rrisë edhe më shumë armiqësinë apo indiferencën e atyre individëve apo grupeve sociale që kërkojnë sot ndryshimin e qeverisjes dhe largimin e Ramës ndaj aksionit opozitar.
Këto vështirësi fillojnë që me protestën e shpallur të së enjtes. Nuk e di se për ç’arsye, përveçse për të parë se si deputetët e opozitës i djegin mandatet para tyre, do të duhej që qytetarët të mblidheshin para Parlamentit. Mendoni, të kundërtën, pra, që ata të vijnë aty, për të parë se si deputetët e opozitës do të hyjnë në të njëjtin Parlament me kolegët që po vetë i akuzojnë se kanë ardhur aty me paratë e krimit. Do të shndërroheshin menjëherë nga qytetarë të revoltuar në spektatorë të një teatri të shëmtuar. Në këto kushte, opozita shqiptare është para dy alternativash.
Alternativa e parë. Të japë shenja se vendosmëria, serioziteti dhe objektivi i saj nuk është sa për të mbushur një ditë bulevardin, por se ky është fillimi i një beteje të gjatë, serioze për demokracinë, zgjedhjet e lira dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Qytetarët dhe mbështetësit e tyre e treguan, me tërë seriozitetin e tyre, se ata janë të gatshëm për të sakrifikuar për një gjë të tillë dhe prandaj erdhën, të shumtë, me kurajë dhe të vendosur. Tashmë, nëse opozita do të tregohet në nivelin e tyre dhe nëse do të tregojë se vërtet do të sakrifikojë për këtë kauzë, do duhet të ndërmarrë disa akte: të deklarojë se nuk do të futet në zgjedhjet lokale me një qeveri që ka treguar me zgjedhjet e para dy viteve se, përmes botës së krimit mund t’i manipulojë sërish ato; të deklarojë se nëse kjo nuk arrihet, opozita do të djegë mandatet dhe me këtë akt do ta hedhë në erë një sistem që nuk ka asgjë të përbashkët me sistemin demokratik.
Alternativa e dytë: të bëjë retorikë boshe, të shkojë gjithnjë duke u rrudhur në protestat e saj dhe të bëjë të njëjtën gjë që bëri para dy vitesh, të hyjë në zgjedhje duke konkurruar me botën e krimit dhe krahun e saj politik, Rilindjen e Edi Ramës, t’i humbë ato, por ama të mos na çajë kokën me angullima postzgjedhore për manipulimin e zgjedhjeve, sepse askush nuk do t’ia varë më, pasi do të konsiderohet jo viktimë, por bashkëpunëtore në manipulimin e zgjedhjeve. Ata që vërtet e kanë seriozisht betejën për demokraci, zgjedhje të lira dhe shtet ligjor, ndahen ose bashkohen me opozitën, varësisht alternativës së dytë dhe s’kanë pse të kenë më iluzione, sepse, nëse e bëjnë një gjë të tillë për herë të dytë, do ishin thjesht budallenj.
Panorama