.

Dy gjëra që duhet t’i kuptojnë Rama e Basha nga protesta e 16 shkurtit


Nga Enton Palushi
Menjëherë pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi mbylljen e protestës të shtunën, pasoi një valë me komente dhe meme në rrjet. Opozita ka organizuar protesta edhe në të shkuarën, por ky zemërim i njerëzve për mbylljen e protestës së 16 shkurtit kishte tjetër kuptim. Në shesh ishin derdhur mijëra njerëz, në një nga protestat jo vetëm më të mëdha, por edhe më të karikuara me zemërim që ka njohur Shqipëria. Reagimet e njerëzve sikur donin t’i tregonin Bashës se kjo nuk ishte më protesta e tij dhe e PD-së.

Profesori dhe filozofi Klementin Mile tenton ta shpjegojë kështu këtë moment. Të organizosh protesta është njësoj si të lindësh një foshnjë të vdekur – protesta nuk është organizim. Dhe pastaj është populli që proteston ndaj qeverisë, jo opozita parlamentare. Kështu opozita vetëm sa e ndihmon qeverinë për të shuar shkëndijat e reagimit popullor. Thënia e tij mund të debatohet shumë, sidomos pjesa e dytë, por interesante mbetet të kuptohet se ndaj qeverisë proteston populli.

Studiuesit Antonio Negri dhe Michael Hardt në një botim të Oksfordit për ‘Tubimet’, thonë se qasja klasike e protestave ka qenë e tillë: Ideja e madhe i takon liderit të lëvizjes, kurse taktikat i bën populli në terren. E kemi parë këtë shembull në protestat e shkuara të PD-së.

Por këtë herë ishte ndryshe. Sepse, siç thonë Negri dhe Hardt, qasja ka ndryshuar. Tashmë idenë e vendos populli, taktikat i zgjedh lidershipi. Njerëzit e kanë vetë potencialin për të kuptuar se kur janë të shtypur, thonë ata. Me fjalë të tjera, idenë për protestën e 16 shkurtit e ka patur populli. Ajo ishte vendosur nga shqiptarët. Ajo që i mbetej Bashës ishte përzgjedhja e taktikave. Kjo ishte arsyeja se përse pati kaq shumë reagime në mbyllje të protestës. Por ndërsa Basha duket se e ka kuptuar situatën dhe thotë se mund të përshkallëzojë hapat duke djegur mandatet e deputetëve, rivali i tij Edi Rama jo vetëm nuk e kupton këtë gjë, por ai nuk e kupton arsyen themelore pse njerëzit dolën të zemëruar në protestë ndaj tij: Ata ishin aty për të ushtruar dhunë, të cilën e mendojnë si të justifikuar në kushtet e vetëmbrojtjes…

***

Jason Brennan është një nga teoricienët më të njohur të shkencave politike në SHBA. Jo vetëm kaq, por i pëlqen që idetë e tij të jenë provokuese. Në kushtet kur e pranojmë se demokracia është në krizë, nuk mjafton vetëm ajo fjalia e zakonshme se ky është një sistem me shumë probleme, por është sistemi më i mirë që kemi njohur deri tani e kështu do jetë edhe për shumë kohë. Brennan shkon përtej, kur në vitin 2016 publikon një libër të titulluar “Kundër demokracisë”.

Edhe unë jam një tifoz i demokracisë, por jam edhe fans i grupit ‘Iron Maiden’, megjithatë mendoj se ‘Iron Maiden’ ka bërë disa albume të tmerrshme- mendoj se edhe demokracia është pak a shumë e tillë.

Propozimi i tij për të rregulluar demokracinë? Epistokracia, ku vetëm personat e informuar të kenë mundësi të votojnë. Ju duket tezë e rrezikshme? Me siguri Brennan nuk e di se ka vende si Shqipëria ku ekzistojë dosje si ajo me numër 339. As nuk ka dëgjuar për ‘thesin’ e miellit për një votë. Nuk ka dëgjuar as që ka një kryeministër që përdor ‘llumin e llumit’ për të blerë votat e të mjerëve, ndërsa përpara godinës qeveritare vendos një ‘kërpudhë‘ si art kontemporan për t’u treguar njerëzve se ‘llumin e llumit’ e do për gjëra të tjera, kurse artin për të treguar se është ndryshe ndaj shqiptarët që i sulen godinës së tij. Ata nuk janë shqiptarë, sepse kryejnë vandalizma dhe meritojnë burgun. Kurse ata që vjedhin tendera, meritojnë të shijojnë ‘kërpudhat’ e Carsten Hollerit. E këtu kalojmë te teza e dytë e Jason Brennan.

***

Nëse teza e epistokracisë do ju ketë futur në mendime, prisni të mësoni më shumë për librin e fundit e Brennan. Ai titullohet “Kur gjithçka dështon: Etika e rezistencës ndaj padrejtësisë shtetërore”. Me pak fjalë, ai na thotë se kur shteti tregohet i padrejtë, qytetarët mund të përdorin dhunë të justifikuar.

Tani të rikthehemi te ‘kërpudha’ e kryeministrisë. Personi që e shkatërroi ka kryer një krim, apo jo? E di që do thoni po. Ai meriton të dënohet, apo jo? A nuk na kanë thënë se nuk duhet të gënjejmë, të vjedhim, të manipulojmë, të shkatërrojmë pronat apo të sulmojmë njerëzit?

Por kur shteti tregohet i padrejtë? Po kur mbërrin në oborrin e shtëpisë tënde për të të shkatërruar banesën? Po kur të arreston dhe ushtron dhunë të tepruar? Po kur të vret? Po kur të vjedh? Kush të mbron përballë kësaj padrejtësie?

Disa njerëz thonë se ne nuk mund të mbrojmë veten kundër padrejtësisë së qeverisë, sepse qeveritë dhe agjentët e tyre kanë autoritet. Por argumenti i autoritetit nuk funksionon. Tjetër gjë është të thuhet se ju keni për detyrë të paguani taksat apo të zbatoni kufizimin e shpejtësisë kur jeni në timon dhe tjetër gjë është të bindeni ndaj një qeverie që përdor dhunë të tepruar dhe injoron të drejtat tuaja. Një ide qendrore në liberalizëm është se çfarëdo autoriteti të kenë qeveritë, ai është i kufizuar, thotë Brennan.

***

Kam parë disa meme shumë interesante për antitubimin që organizoi kryeministri Edi Rama në Vlorë ditën e shtunë. Disa e krahasojnë me Kim Jong-un, të tjerë me tubimet e detyruara të Hitlerit. Sa gjetje interesante! Sepse zemërimi ndaj atyre që bëhen fasade e qeverisë në Vlorë nuk ka lidhje me faktin se ata janë më qeverinë, por me faktin se ata nuk janë në gjendje të vetëmbrohen ndaj dhunës qeveritare. Sepse në thelb, reagimi ynë ndaj qeverisë së dhunshme ka lidhje me vetëmbrojtjen. A nuk ua kërkojmë fëmijëve tanë që të mësohen me vetëmbrojtjen ndaj civilëve? Atëherë, përse të mos u kërkojmë që të vetëmbrohen edhe ndaj qeverisë. Sepse vetëmbrojtja është një parim që nuk zbatohet lehtë. Sepse disa parime morale janë të vështira për t’u zbatuar, -thotë Brennan.

“Në jetën e vërtetë, njerëzit janë shumë më të nënshtruar dhe konformistë ndaj autoritetit qeveritar. Ata janë të gatshëm të hedhin bomba, të vrasin të tjerët, të zhdukin hebrenjtë, kur urdhërohen. Por hezitojnë kur duhet të ngrihen ndaj padrejtësive politike.

***

Natyrisht kjo tezë është e rrezikshme. Strategjia e rezistencës pa dhunë vërtet është mjaft e mirë. Por ajo po jep gjithmonë e më pak fryte kudo në botë. Ndaj një shteti të padrejtë, dhuna mund të justifikohet, shkruan Brennan. Këtë tezë po e përkrahin edhe zëra publikë në Shqipëri. Sepse padrejtësia duket se qëndron në themel të gjithçkaje në vend.