.

Blerina Bombaj: Ja sa bulmet duhet të konsumojmë dhe si ta marrim kalciumin nga ushqime të tjera

Studimet e fundit shkencore sjellin në vëmendje se konsumimi i qumështit është mbivlerësuar dhe se është koha për të rishikuar rekomandimet për bulmetin.Deri rishtazi, dietologët kanë këshilluar zgjedhjen e bulmetit pa yndyrë ose me yndyrë të reduktuar, por, me të dhënat e reja, këto rekomandime duhet të rishikohen. Veçanërisht sa i takon qumështit, dietologia klinike Blerina Bombaj sjell në vëmendje studimet e fundit të publikuara në revistat shkencore të cilat na këshillojnë të ndryshojmë raportin në konsumimin e qumështit, i njohur shumë për vlerat e larta ushqyese në kalcium. Mirëpo studimet e fundit vlerësojnë djathin dhe kosin më superior sesa qumështi.

Studimet

Por si qëndron e vërteta, studimi PURE (Prospective Urban Rural Epidemiology study), i publikuar në “The Lancet”, në 28 gusht 2018 ka vëzhguar për plot 10 vite, konsumin e ushqimit nga 135.335 persona të rritur, në 18 vende të botës. Rezultati? Vdekshmëria e rritur lidhet me konsumin e lartë të sheqernave dhe jo të yndyrave. Përkundrazi, yndyrat, dhe pikërisht ato që janë akuzuar më së shumti për sëmundjet e zemrës, yndyrat e ngurta – janë lidhur me mbrojtje të sistemit kardiovaskular. Kur studiuesit u thelluan edhe më shumë në të dhënat e mbledhura, konstatuan se konsumi i përditshëm i 2 racioneve bulmet, ofronte mbrojtje nga vdekshmëria, krahasuar me konsumin 0 të bulmetit. Madje edhe bulmeti me yndyrë të plotë shfaqi të njëjtin efekt.

Por, përpara se t’i lëshojmë frenat me bulmetin, duhet të konsiderojmë edhe një tjetër studim që vjen nga vendi ku konsumohet më shumë qumësht se kudo gjetkë – Finlanda, i cili ka gjetur një lidhje të dukshme të konsumit të mbi 2 gotave qumësht në ditë, me 32% më shumë rrezik nga vdekja. Këtij konkluzioni i bashkohen edhe disa studime metanalitike të publikuara së fundmi.

Konkluzioni? Me sa duket, djathi dhe kosi janë më superior sesa qumështi.

Arsyeja perse, nëse vërtetë qumështi ka një efekt negativ për shëndetin kardiovaskular, mbetet ende të studiohet, deri atëherë, vazhdohet të këshillohet zgjedhja e qumështit pa yndyrë, jo më shumë se 2 gota në ditë.

Zëvendësimi

Por, a është qumështi i pazëvendësueshëm? Nuk ka as më të voglin dyshim që qumështi është një produkt shumë i ushqyeshëm. Megjithatë, deri më sot, qumështi rekomandohet kryesisht për kalciumin që ka, i cili është i domosdoshëm për kockat dhe dhëmbët tanë. Vlen këtu të përmendim se, ekspertë të Harvardit, nuk kanë gjetur një efekt mbrojtës të konsumit të qumështit në parandalimin e osteoporozës dhe frakturave. Dhe fakti është se, vendet me konsumin më të ulët të qumështit, si Japonia, India, dhe Peruja, kanë më pak fraktura.

Përveç kësaj, mbi qumështin vërtiten edhe disa anë të tjera të errëta, si p.sh, gjithnjë e më shumë njerëz shfaqin intolerancë ndaj tij, apo alergji serioze.

Përmbajtja e lartë e qumështit në estrogjen mund të nxisë kancerin e prostatës, gjirit dhe vezoreve.

Antibiotikët që përdoren te lopët, mund të kalojnë në qumësht nëse nuk ndiqen me rigorozitet rregullat e sigurisë nga fermerët. Megjithatë, përgjithësisht temperaturat e larta të gatimit eliminojnë pjesën më të madhe të antibiotikëve.

Kujdes, nuk duam të themi të mos pini më qumësht. Por, nga bulmeti, ndoshta disa zgjedhje të tjera mund të jenë edhe më të mira, si p.sh djathi dhe kosi. Me sa duket, procesi i fermentimit të qumështit e kthen situatën në favor të njeriut dhe mikrobeve të mira që jetojnë më të.

Atëherë, sa bulmet duhet të konsumojmë në ditë?

Për fëmijët që rrezikojnë nga kequshqyerja ose nënpesha, qumështi përbën një ushqim shumë të dobishëm.

Për fëmijët e vegjël:

Nga 1- 3 vjeç këshillohen 2 gota qumësht në ditë, (një sasi më e madhe se kaq mund të nxisë mbipeshë dhe anemi te fëmijët), 2 ½ kupa për 4-8 vjeç, dhe 3 kupa 9-18 vjeç, si një burim i rëndësishëm i kalciumit për kockat, por të mos harrojmë se kockat forcohen duke luajtur jashtë shtëpisë dhe jo përballë ekraneve. Nëse fëmija juaj nuk e preferon qumështin, mund t’i jepni kos ose djathë sepse 1 gotë qumësht = 200 ml kos = 45gr djathë. I vetmi ndryshim qëndron te djathi, i cili nuk përmban laktozën – sheqerin e qumështit. Ajo mbetet te hirra, bashkë me disa aminoacide të tretshme në ujë.

Për të rriturit:

Rekomandimet aktuale qëndrojnë në 3 racione bulmet në ditë. Por, në Kongresin e Shoqatës Europiane të Kardiologjisë sivjet, këto rekomandime mund të shtendosen pak për sa i përket djathit dhe kosit, ndërsa për qumështin këshillohet rreptësisht të konsumohet pa yndyrë, dhe personat që e marrin në sasi të madhe duhet të frenohen.

Si mund të plotësoj nevojat në kalcium nëse nuk konsumoj aspak bulmet?

Sasia e kalciumit që ofrohet në 1 gotë qumësht, mund të merret nga ushqimet e mëposhtme:

3 kupa lakër kale

3 lugë të mëdha fara lulekuqe

30gr parmixhano, 45gr djathë i bardhë

90gr sardele konservë

2 kupa fasule të bardha

120gr bajame

600gr troftë

300gr oktapod

Mesazhi përmbyllës

Bulmeti si djathi dhe kosi, me sa duket janë zgjedhje më të shëndetshme se qumështi, por evitoni sasitë e tepruara sepse do të rrezikoni që të mos ju bëjnë më rrobat. Nëse jeni qejflinj të qumështit, më shume se 2 gota janë të panevojshme. Por edhe nëse nuk ju pëlqen bulmeti, ka zgjedhje të tjera që me pak zgjuarsi, mund ta kompensojnë.