.

Debati në Open: E shëmtuar nuk është vetëm gjesti i bojës, por e gjithë replika që ka ardhur si pasojë e një grindjeje personale

 

 

Të ftuarit në studion e “Open”-it nga Eni Vasili dhanë mendimin e tyre nëse akti i ndodhur sot në Kuvendin e Shqipërisë është pasqyrim i tensionit që pritet të shfaqet në protestën e 16 shkurtit në Tiranë

“A është ngjarja e seancës së sotme një kambanë alarmi për atë që do të ndodhë të shtunën në bulevard?”, ishte pyetja e Vasilit për opinionistët e ftuar.

Mentor Kikia theksoi se nuk e sheh këtë veprim të shëmtuar si një parantezë të asaj që do të ndodhë.

“E shëmtuar nuk është vetëm gjesti i bojës, por e gjithë replika që ka ardhur si pasojë e një grindjeje personale, e që nuk ka të bëjë me nivelet e tjera të politikbërjes. Seanca e sotme duhej të ishte protokollare, për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, të përcillej kryetari Talat Xhaferi, e më tej të bënin ç’të donin. Asgjë nuk e përligj atë çfarë ndodhi në këtë seancë. Seanca ishte dedikuar për tjetër gjë dhe jo për gërr-vërret personale të politikës vendase”.

Ndërsa Enton Abilekaj tha se dhuna në Kuvend nuk është e pranueshme në çfarëdolloj rrethane. Për më tepër që aty ndodhej i pranishëm Talat Xhaferi dhe ishin mbledhur për një çështje tjetër. Por, ai e sheh këtë reagim si rrjedhojë e asaj çfarë ndodhi një javë më parë.

“Mos harrojmë se Edi Paloka një javë më parë ishte viktimë e një veprimi të kryeministrit. Edi Rama u tall me një defekt të tijin, aq rëndë saqë videoja u bë virale”, tha Abilekaj.

Top Channel