.

Bardhi në Open: Sulmi me shiringë ndaj Ramës është vetëm fillimi, ja skenari i 16 shkurtit

Opozita ka paralajmëruar protestën kombëtare që do të mbahet në Tiranë. Basha e Kryemadhi kanë ndërmarrë një tur dëgjimesh nëpër rrethe, ndërkohë që shumica qeverisëse nuk ka ndërmend të pranojë qeverinë tranzitore për zgjedhje të reja.

Tensioni politik ka mbërritur këtë të enjte në Parlament, ku Edi Paloka spërkati me bojë kryeministrin dhe më pas u përjashtua. E pasi Byroja e përjashtoi me 10 ditë nga punimet e seancave plenare, Garda njoftoi se do ta padisë penalisht, ndërsa Taulant Balla paralajmëroi shkarkimin nga posti i nënkryetarit të Parlamentit.

“Ajo që ndodhi sot ishte prerje në besë ndaj shqiptarëve këtej e andej kufirit. Ishte përpjekje për të turpëruar shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, që janë faktor shtetformues atje, sikurse edhe një shkelje shpellare që kaloi çdo kufi të Kodit të Etikës dhe sjelljes parlamentare”, tha Spiropali.

Kuvendi sot ishte mbledhur për ratifikimin e protokollit të anëtarësimit të fqinjit në NATO, ndaj kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, ishte i pranishëm dhe do t’i adresohej Parlamentit tonë në shqip.

“Ajo që ndodhi ishte e organizuar dhe me plan që Shqipëria të dilte në të gjitha televizionet e vendit fqinj dhe kudo në mediet e huaja. Ne provokohemi vazhdimisht nga një turmë pa kokë. Kanë një kryetar pa kokë, ma mend, pa vizion, pa lidership dhe pa asgjë. Një njeri që ditën e parë të seancës së Kuvendit i quan ministret gra kukulla. Ne jemi nën agresionin e vazhdueshëm të dy-3 deputetëve të opozitës, që sillen si kamikazë”, tha më tej Spiropali.

Ndaj qeverisë ka pasur disa sulme gjatë këtij mandati, Kryemadhi sulmoi kryeministrin me çizme, një deputet demokrat e sulmoi me vezë, ndërsa tani Paloka hodhi një lëng që në dukje ishte bojë.

“Së pari urime Maqedonisë së Veriut për përparimin në një kohë kaq të shkurtër, nga një qeveri e ardhur në pushtet me zgjedhje të lira e të ndershme. Nëse vjen me vota të vjedhura e të krimit, kemi ngjarje si ajo e sotmja në Kuvendin tonë. Ai personi i nxirë sot nga bota, por i nxirë nga të gjitha bëmat që ka bërë, është një njeri që nuk lë gjë pa thënë dhe pa ofenduar në Kuvend. Ishte ky, që urdhëroi një kriminel që të dhunonte brenda Kuvendit të Shqipërisë një deputet të opozitës, sikurse ka përdorur fjalët më banale, ndërsa më herët nxiti dhe shtyu deputetët e tij të rrihnin me rripa deputetët e opozitës”, tha Gazmend Bardhi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike.

Sipas Bardhit, ky është vetëm fillimi, pasi ofendimeve të Edi Ramës çdo ditë ndaj shqiptarëve, nga 16 shkurti do t’u jepet përgjigje.