.

Industria ushqimore: Po goditemi nga ndryshimi i TVSH-së

Ulja e rimbursimit të tvsh-së për fermerët nga 20% në 6%, kundërshtohet nga prodhuesit dhe tregtarët. Ata thonë se ndryshimet që janë bërë në paketën e re fiskale të 2019 ndihmojnë importuesit dhe dëmtojnë prodhimin vendas. Sipas tregtarëve lëndën e parë ata e blejnë me një tvsh 6 % por e shesin me 20% TVSH. Kjo kosto e shtuar prej 14% sipas tyre dëmton sektorin.
“Kanë vendosur një taksë mbi produktin vendas sepse TVSH është të paguash mbi vlerën që i shton produktit. Ne gjendemi në një situatë që edhe sikur produktin ta shesim pa asnjë lloj marzhi të paguajmë 14% dhe kjo ndikon shumë në cmimet e shitjes apo në cmimin e blerjes pra do jemi përballë fermerëve që të ulim cmimin apo të rrisim cmimet e shtijeve në treg”

Nga përllogaritjet e kryera kostoja vjetore e kësaj takse të re për prodhimin primar bujqësor vendas arrin në 100 milionë euro në vit. Prodhuesit i kërkojnë qeverisë barazimin e nivelit të tvsh me 6% si në shitje dhe në blerje me argumentin e uljes së kostove për qytetarët dhe harmonizimin me legjislacionin fiskal të vendeve europiane.
Prodhuesit thonë se shqetësimet ja kanë paraqitur si Ministrisë së Financave ashtu dhe Ministrisë së Bujqësisë me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje.
/balkanweb/